Incidenti i ri në Shkup: “Maskat” rrahin rëndë tre nxënës shqiptarë

Rikthehen rrahjet ndaj nxënësve shqiptarë. Të enjten, mbi 30 huliganë maqedonas të maskuar me kapela dhe shalle kanë rrahur rëndë tre nxënës nga Haraçina. Të lënduarit janë shtrirë në Spitalin e qytetit, ndërkohë që policia, sikur çdo herë tjetër, akoma nuk ka gjetur “maskat” që po keqtrajtojnë shqiptarët

 

Ilir Ivanovski

Vetëm një ditë pas keqtrajtimit brutal të 13-vjeçarit Blin Shabani në lagjen e Çairit, viktima të personave të maskuar janë bërë edhe tre nxënës shqiptarë të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov”, që gjendet në lagjen e Aerodromit në Shkup. Nëse djali i mitur nga Çairi u sulmua nga ana e tre personave me maska, këtë herë – grupi i nxënësve shqiptar nga Haraçina e që mësojnë në shkollën “Dimitar Vllahov” është sulmuar nga ana e rreth tridhjetë personave të panjohur. Siç janë rrëfyer vet nxënësit e keqtrajtuar para prindërve të tyre dhe mediave, më shumë se tridhjetë personat me kapele dhe shalle në fytyrë kanë qenë të ndarë në tre grupe dhe të armatosur me shkopinj bejsbolli, shufra hekuri dhe sende të tjera të forta, me të cilat kanë sulmuar në momentet kur nxënësit shqiptarë janë nisur nga shkolla për në shtëpi.
Lëndimet më të rënda gjatë këtij sulmi i ka marrë 16-vjeçari, B. Jusufi, i cili me lëndime të rënda në kokë dhe në të gjithë trupin me urgjencë është dërguar në Spitalin e përgjithshëm të Shkupit. Para mediave, të afërmve dhe përfaqësuesve të Komunës së Haraçinës, ngjarjen e rëndë e kanë shpjeguar disa nga nxënësit, të cilët të shqetësuar në masë janë shprehur se kjo nuk ka qenë hera e parë të ngacmohen, shahen dhe ofendohen nga huliganë maqedonas. Megjithatë, sipas tyre, rreth mesditës së enjte është arritur kulmi.
“Nuk kishim ku të ikim. Të ndarë në tre grupe, personat që kanë mbajtur kapele në kokë dhe shalle në fytyrë na e bllokuan rrugën dhe filluan të na godasin me sendet e forta që i kanë pasur me vete. Ne ishim dhjetë shokë. Disa prej nesh arritën t’i shmangin goditjet dhe të fshihen, megjithatë tre nga ne u rrahën shumë keq”, u shprehën nxënësit e keqtrajtuar të vitit të dytë dhe të tretë të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov”.
Të shqetësuar për sigurinë dhe jetën e nxënësve, para mediave, revoltën kanë shprehur edhe prindërit e nxënësve, të cilët kanë kërkuar masa emergjente për ndalimin e dhunës dhe për rritjen e nivelit të sigurisë. “Po të vazhdojë kështu, do të detyrohemi t’i mbajmë fëmijët në shtëpi. E dërgova djalin shëndosh e mirë, shikoni si e kanë bërë”, tha Kadire Jusufi, e ëma e djalit B. Jusufi, i cili ka marrë lëndimet më të rënda. Apel për qetësimin e gjendjes dhe eliminimin e tensioneve ndëretnike ka bërë edhe vet kryetari i Komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, i cili nuk përjashtoi mundësinë e ekzistimit të një “skenari të errët”, duke u përdorur fëmijët si mjet. “Rrahja e nxënësve shqiptarë u bë praktikë e përditshme. Kërkojmë të gjenden autorët. Prindërit i dërgojnë fëmijët në shkollë shëndoshë e mirë dhe i pranojnë të rrahur. Prandaj u bëj apel institucioneve të marrin masat e nevojshme. Për incidentin, unë personalisht do të njoftoj edhe autoritet e huaja. Thjeshtë, nuk mund të vazhdohet kështu. Incidente kemi çdo ditë, megjithatë huliganët maqedonas nuk zbulohen. Duhet të ndalojnë tensionet ndëretnike dhe t’i thuhet stop dhunës. Nuk dua të mendoj në këtë drejtim, por krijohet përshtypja se pas këtyre ngjarjeve mund të fshihet një skenar”, tha Bastri Bajrami, kryetari i Haraçinës. Ndërkohë, policia ka evidentuar rastin, por nuk ka arritur të ndalojë ndonjë nga personat e maskuar, që u zhdukën rrugicave të Aerodromit menjëherë pas rrahjes. “Kemi marrë masat e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e autorëve, megjithatë për momentin, ato janë të pakapshëm për organet e rendit, ndërsa nuk dihen as motivet”, tha Liza Bendevska, zëdhënësja e policisë së Shkupit. Ndryshe, një ditë më parë, për të ditë herë me radhë huliganët maqedonas rrahën rëndë edhe Blin Shabanin nga Çairi i Shkupit. Përveç goditjeve me shkelma dhe bokse, Blini u godit edhe me thikë në fytyrë, ndërkohë që policia nuk ka gjetur akoma kryerësit