Pas interesimit të shtuar të SHBA për të mbyllur çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, qëndron një arsye shumë e fortë, më tepër e karakterit gjeopolitik, prandaj Qeveria e zotit Kurti duhet ta shfyrtëzojë këtë moment që të demonstrojë fleksibilitet maksimal në arritjen e një kompromisi i cili do të jetë i monitoruar dhe garantuar nga Washingtoni, Brukseli dhe NATO
Betejat politike dhe ushtarake kundër Serbisë, Kosova i zhvilloi në koordinim dhe mbështetje të plotë nga partnerët strategjik, sidomos SHBA-të. Falë kësaj mbështetjeje, Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran.
Por edhe Ukraina është shtet i pavarur, mirëpo sovraniteti i saj është i rrezikuar seriozisht nga Rusia. Kjo e fundit ka dërguar mbi 1000 trupa në kufinjt e shtetit fqinj, ndërkohë që Kievi zyrtar vazhdon të jetë në qendër të shqetësimit dhe brengosjes ndërkombëtare. Administrata e zotit Biden ka qenë mjaft e qartë në ultimatumin drejtuar Kremlinit, të cilin e ka kërcënuar me masa ndëshkuese në rast të cënimit të integritetit territorial të Ukrainës.
Ky paralelizëm në mes të Kosovës dhe Ukrainës mund të duket në shikim të parë i sforcuar dhe paksa apokaliptik, mirëpo analogjia e gjërave na shtyn të mendojmë se një shtet quhet plotësisht sovran vetëm atëherë kur arrin të zmraps çfarëdo lloj agresioni nga jashtë. Po t’i pyesni ekspertët ushtarak dhe të sigurisë sigurisht që do të merrni përgjigje dekurajuese kur është në pyetje raporti i forcave në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ashiqare del në pah një asimetri e frikshme në favor të fqiut tonë verior. Pra, ky sovranitet që aktualisht gëzon Kosova sigurohet falë pranisë ushtarake të KFOR-it dhe mekanizmave politik e diplomatik që ushtron Washingtoni zyrtar në funksion të krijimit të një klime të sigurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të Ballkanit.
Mbështetja amerikane për Kosovën është e një rëndësie jetike, prandaj jo pak njerëz druajnë se një ditë amerikanët mund ta braktisin Kosovën dhe kjo situatë do ta gjejë atë të papërgatitur për t’iu përgjigjur sfidave nga jashtë. Shqetësime të tilla pati edhe me rastin e largimit të trupave amerikane nga Afganistani pas një marrëveshje me talebanët, kur skeptikët filluan të tërheqin paralele mes Afganistanit dhe Kosovës duke aluduar në skena të aeroportit të Kabullit që do të reprizohen edhe në Prishtinë. Por doli se këto shqetësime dhe aludime ishin të pavend, për arsye se amerikanët jo vetëm që nuk u tërhoqën nga Kosova, por ata po tregojnë shenja se kanë shtuar interesimin për këtë pjesë të Ballkanit, sidomos pas ndërrimit të stafit udhëheqës diplomatik në shumicën e ambasadave në kryqendrat rajonale, përfshi edhe Prishtinën, ku ditë më parë Kosova mirëpriti ambasadorin e posaemëruar amerikan, Jeff Hovenier.
Në funskion të këtij interesimi ishte edhe letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar ditë më parë kryeministrit Albin Kurti, ku theksohej se marrëdhënia mes dy shteteve është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane e të pavarur Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, sekretari amerikan i shtetit në letër theksonte se në qendër të bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke.
“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka vazhduar ai.
Blinken ka potencuar se raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë mbesin pengesë për anëtarësim në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke shtuar se pranimi i Kosovës në to është qëllimi i përbashkët i Kosovës me SHBA-në. Blinkeni ka ofruar mbështetje për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pra, Kosova jo vetëm që vazhdon të mbetet e mbuluar nga “reflektorët” amerikanë, por ajo paraqet një test prove për qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit, për faktin se marrëdhëniet me Serbinë vazhdojnë të prodhojnë krizë dhe animozitet rajonal.
“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken në letrën etij drejtuar Kurtit.
Nëse e lexojmë mes rreshtash këtë letër, dhe kjo vlen sidomos për këshilltarët e Kryeministrit Kurti, Kosova në një të ardhme jo shumë të latrgët duhet të përgatitet për një kompromis politik me Serbinë, ku në tavolinën e negociatave do të nxirren të gjitha çështjet e hapura. Nëse dikush ka iluzione se do të lë diçka nën tavolinë, diçka që do të mbulohet nga pluhuri i harresës, do të gabohet shumë rëndë, për arsye se kompromisi i kërkuar nga amerikanët tani nuk lë shumë hapësirë për manovra të pakufishme politike as të Prishtinës , as të Beogradit.
Kompromisi i tanishëm i kërkuar nga Administrata Biden dallon shumë nga Administrata Trump, për arsye se ky i fundit ia kishte lënë duart e lira Serbisë ngjashëm siç mund të ndodhë në një meç të pabarbartë kur një boksieri i lihen duart e lira kurse tjetrit i lidhen. Në një situatë të tillë nuk bëhej fjalë për kurrfarë kompromosi por për nënshtrim të Kosovës ndaj diktateve dhe kushteve të Serbisë, të cilat, fatkeqësisht legjitimoheshin edhe në Washington. Kosova me duar të lidhura, ku arbitër ishte Riçard Grenell, ishte e predispozuar të humbas çdo meç kundrejt Serbisë, prandaj fitorja e Zotit Biden, në Kosovë u kremtua si fitore personale e popullit të saj.
Por, çka po bën elita jonë, sidomos Qeveria, Parlamenti, opozita, intelegjencia, mediat, akademikët, që këtë fitore të z. Biden ta kthejë në favor afatgjatë për popullin e Kosovës?
Tani ndodhemi në një kthesë të rëndësishme të zhvillimeve gjeopolitike, pas përpjekjeve për të çmontuar BeH e Dejtonit, pas trazirave në Podgoricë dhe pas zhvillimeve të fundit në kufinjt e Ukrainës, ku çdo hap i gabuar mund të reprodukojë pasoja me impakt të thellë edhe për të ardhmen e Kosovës.
Letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duhet analizuar e rishikuar me sy kritik dhe në të nuk duhet kërkuar me çdo kusht pikat që, eventualisht, favorizojnë Kosovën, por gjithsesi edhe ato pika që e obligojnë atë të tregoj sens të lart përgjegjësie në gjetjen e një kompromisi në tejkalkimin e raporteve me Serbinë.
Blinkeni i ka thënë Kurtit se pret që lidershipi i tij ta rikthejë momentumin në dialog duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës, duke nxitur transparencë e duke shmangur veprime apo retorikë që mund të rrisë tensione. Ai ka bërë thirrje për vëmendje në arritjen e marrëveshjes për energji për veriun e Kosovës dhe për avancim të çështjes së personave të pagjetur.
“Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.
Blinken ka përsëritur kërkesën për mbështetje të vendimeve gjyqësore – në veçanti ato që lidhen me të drejtat e minoriteteve, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Twitter, e ka mirëpritur letrën dhe mbështetjen që i erdhi nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Kurti ka thënë se Kosova është mirënjohëse për angazhimin e SHBA-së në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshje që prodhon njohje reciproke.
“E mirëpres letrën dhe mbështetjen e sekretarit Amerikan, Antony Blinken, për prioritet dhe punët tona në punë dhe drejtësi. Kosova është mirënjohëse për angazhimin e SHBA-së në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje që prodhon njohje reciproke. Mezi pres të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti.
Përtejt kurtoazisë së këtyre letrave që mbështillet nga velloja e gjuhës fine diplomatike, megjithatë në terren qëndron një proces ende i hapur. Kosova ende beson se do të jetë e gatshme të diktojë stil dhe dinamikë në procesin negocues me Serbinë, kurse kjo e fundit ende shpreson se do të arrijë të jetësojë në Kosovë projektin e bosnjizimit.
Kërkersat e ashtuquajtura maksimaliste nga të dyja palët do të duhej të pësojnë “hekurosje”, sidomos tani pas letrës së Antony Blinken, i cili ka adresuar disa detyra që duhet t’i kryejnë Prishtina dhe Beogradi, të përmbledhura në tri çështje kruciale: njohja reciproke, respektimi i të drejtave të minoriteteve (aludohet në statusin e serbëve), përfshi edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që kanë të bëjnë me ta (aludohet në statusin e tokës përreth Manastirit të Deçanit) si dhe çështja e të pagjeturve ( aludohet në detyrimet e autoriteteve serbe për identifikimin e vendndodhjeve të varrezave masive me shqiptarë të ekzekutuar).
Prej të gjitha këtyre çështjeve, statusi i serbëbe mbetet “thembër Akli” për politikën e Kosovës. Nga mënyra si është trajtuar deri më tani kjo çështje, sidomos në vitet e mëhershme, Kosova ka demonstruar një qëndrim defanziv, duke pranuar gjithçka që është servirur në tryezën e bisedimeve. Si rezultat i këtyre qëndrimeve është projektuar edhe narrativi i Beogradit mbi statusin e mjerueshëm të serbëve të Kosovës i cili me patjetër duhet përmirësuar, paçka se Pakoja e Ahtisarit kishte ofruar garanca shtesë për minoritetin serb në Kosovë, përfshi edhe ulëset e garantuara në Parlsment, madje edhe përtej konventave ndërkombëtare.
Tani çka i mbetet të ndërmerr Qeveria Kurti që të gjitha gjërat të biejnë në vendin e vet, pa shkaktuar ndonjë pakënaqësi te njëra palë, apo te tjetra. Me fjalë të tjera, çak duhet të bëjë Qeveria e z. Kurti që, në njërën anë, të plotësohetn disa ambicje të Serbisë por me kush që të ruhet sovraniteti i Kosovës, dhe në anën tjetër, të demonstrohet politika e vendimarrjes autonome kosovare por pa i prishur raportet me amerikanët.
Këto dhe pyetje tjera të vështira, Qeveri e Kosovës duhet t’i shqyrtojë me miqtë amerikanë, duke kërkuar nga ata garanca shtesë për dy çështje tepër të rëndësishme: që Kosova të bëjë kompromis deri në kufinjt e moscenimit të sovranitetit të saj dhe të kërkoj reciprocitet në mes të drejtave të shqiptarëve në Jug të Serbisë dhe serbëve në Kosovë.
Pas interesimit të shtuar të SHBA për të mbyllur çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, qëndron një arsye shumë e fortë, më tepër e karakterit gjeopolitik, prandaj Qeveria e zotit Kurti duhet ta shfyrtëzojë këtë momentum që të demonstrojë fleksibilitet maksimal në arritjen e një kompromisi i cili do të jetë i monitoruar dhe garantuar nga Washingtoni, Brukseli dhe NATO. Vetëm në këtë mënyrë sovraniteti i Kosovës do të jetë një “mollë e ndaluar” për luftënxitësit në Beograd, por edhe një shans më shumë që edhe kjo pjesë e rajonit të përfshihet në proceset eurointgruese e auroatlantike, për të cilat Kosova ka nevojë si toka e thatë për shi.
Prishtinë, 24 janar 2022