Nga Ruben Avxhiu
Sot, lexova një shkrim në The New York Times për mospërputhjen totale të bilanceve në luftën kundër koronavirusit dhe pikëpamjeve për faktorët që ndikojnë në përhapjen e tij. Në vend që të mësojmë nga përvoja e njëri-tjetrit, vetëm sa po hutohemi. Çfarë ndodh në një vend nuk po ndodh në tjetrin. Çdo mësim i nxjerrë vjen me hije dyshimi.
Koronavirusi ka shkaktuar aq shumë të vdekur në Iran, saqë vendi është detyruar të bëjë varrime masive, kurse në Irak, që ndodhet në kufi me Iranin, nuk kanë vdekur as 100 vetë.
Republika Domenikane ka zbuluar rreth 7,600 raste me virus. Nga ana tjetër e kufirit, Haiti ka pasur vetëm 85.
Në Indonezi kanë vdekur mijëra vetë nga koronavirusi, në Malajzinë fqinje rreth 100. (Po jo të paktën e ka një shpjegim; ka bërë izolime masive të popullatës.)
Koronavirusi është treguar shumë kapriçioz, në disa vende ka bërë kërdinë e disa duket se i ka kursyer. Thuhet se metropole si New York City dihet që do ta pësonin. Parisi dhe Londra gjithashtu kanë pasur pjesën më të madhe të rasteve në vendet e tyre. Po pse atëhere nuk ka ndodhur kështu edhe në Bangkok, Baghdad, New Delhi dhe Lagos, që gjithashtu kanë dendësi të jashtëzakonshme.
Shkencëtarë e mjekë, politikanë e opinionistë po përplasen nëpër debate me lloj lloj teorish e spekullimesh. Disa prej tyre me themel, disa të dalë mendsh.
Por çdo teori që propozohet vjen me përjashtime që e vënë menjëherë në dyshim.
Njërën prej tyre, idenë e mantusë në krah, vaksinën kundër turbekulozit, e përshkrova edhe unë në një shkrim të hershëm. Edhe ajo si shumë të tjera, nuk është konfirmuar kudo, por as nuk është hedhur poshtë.
Mjekë të ndryshëm në Arabinë Saudite tani po studjojnë gjenetikën. Thonë se duhet të jetë diçka te genet e njeriut që ka kaq shumë dallime mes pasojave të koronavirusit në vendeve të ndryshme.
Dis apo merren me demografinë, klimën, madje edhe ilaçet për hipertensionin. Këto ditë një studim nga Europa solli mungesën e vitaminës D si problem.
Një teori që i hedh poshtë të gjitha pastaj është ajo që virusi nuk kursen asnjë vend. Ai thjesht nuk ka arritur ende aty në masë. Për shembull, Rusia e Turqia ishin raste që habisnin debatuesit me mungesën e infektimeve, kurse tani gjendja ka ndryshuar. Rusia ka katër ditë që shton me gati nga 10,000 raste të reja e me nga 1,000 të vdekur, e lënë mbrapa vetëm nga SHBA.
“Koha mund të dalë barazuesja më e madhe”, thotë shkrimi në The New York Times, duke kujtuar se Gripi Spanjoll hyri në SHBA në 1918, u duk sikur u shua gjatë verës, po u kthye në dy vitet e tjera edhe më i egër duke bërë namin. Në fund, mbërriti edhe në Alaska dhe ishujt e Paqësorit të Jugut, që kujtonin se ishin të sigurtë duke infektuar një të tretën e popullsisë së botës.
Ata që po e studjojnë përhapjen kanë arsye të jenë të hutuar. Sa më pak di për këtë virus aq më shumë priresh të japësh mend. Mbase si me çdo gjë tjetër.