Nga Ruben Avxhiu
Në vitin 1975, kur vendet europiane nënshkruanin Kartën e Helsinkit dhe themelonin KSBE-në (OSBE-në e sotme), Shqipëria komuniste e sunduar nga Enver Hoxha refuzoi të merrte pjesë.
Në një shkrim personal, në atë kohë, Enver Hoxha e quajti marrëveshjen europiane të sigurisë si një platformë për të përgatitur luftën e tretë botërore mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovietik.
Në fakt, në Aktet e Helsinkit sanksionohej shenjtëria e sovranitetit të vendeve europiane duke pasur parasysh përvojën e tmerrshme të dy luftrave botërore dhe ndarjes së Luftës së Ftohtë. Për herë të parë, po nënshkruhej një marrëveshje për sigurinë që firmosej nga të gjitha vendet europiane, demokratike dhe socialiste, perëndimore e lindore, por-amerikane e pro-sovietike, përfshi edhe vetë SHBA-në dhe Bashkimin Sovietik.
Në mbarë hapësirën europiane, kishte vetëm dy vrima të zeza, Shqipëria dhe Andorra. Kjo e fundit në të gjitha kuptimet e papërfillshme.
Dekalogu i OSBE-së së sotme përfshinte: barazinë sovrane, mospërdorimin e forcës, pandryshueshmërinë e kufijve, integritetin territorial të shteteve, zgjidhjen paqësore të konflikteve, mos-ndërhyrjen në çështjet e brendshme, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përfshi edhe ato fetare, si dhe të drejtat e barabarta dhe vetëvendosjen për popujt, bashkëpunimin mes shteteve dhe përmbushjen në mirëbesim të detyrimeve të të drejtës ndërkombëtare.
Akti Final i Helsinkit linte hapësirë manovrimi për kufijtë që ndryshoheshin me mjete demokratike dhe e drejta e vendvendosjes nuk pengonte ambicjen e popujve të shtypur, përfshi edhe vendet balltike që kishin mbetur në BRSS, po kjo mund të shtrihej edhe për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, sidomos Kosovës. Debatet nuk kanë munguar në atë kohë.
Mungesa e Shqipërisë, nga ana tjetër, nuk duket se ishte për arsyet globale që shprehte Enver Hoxha, po për shkak të pikave që kërkonin liritë themelore të njerëzve. Shqipëria komuniste ishte në atë kohë një lloj “Koreje e Veriut” në brigjet europiane. Një paqe mbarë europiane shihej me dyshim nga vendi i bunkerëve, ku Hoxha ndihej më i sigurtë në një Europë të ndarë nga ideologjia e frika sesa në një kontinent të bashkuar. Jo më kot regjimi u rrëzua bashkë me Luftën e Ftohtë, 30 vjet më parë, në 15 vjetorin e KSBE-së.
Sot, në mënyrë simbolike, Shqipëria po vihet në krye të organizatës që dikur e denoncoi dhe e përfoli. Sot, ajo është pjesë e strukturave të sigurisë mbarëeuropiane dhe e kontribuese në to, si pjesë e NATO-s.
Shqipëria nuk ka shkëlqyer në shumë drejtime lidhur me të drejtat e njeriut e demokracisë. Po edhe OSBE nuk është anëtarësia më e përzgjedhur në këtë aspekt. Anëtare si Rusia përkundrazi cënojnë sovranitetin e vendeve të tjera anëtare.
Kjo nuk duhet të justifikojë Shqipërinë e cila duhej të ishte në një gjendje tjetër kur të merrte në dorë këtë rol kryesues. Demokracia në vend është në krizë të thellë dhe zgjedhje të reja janë një domodoshmëri. Partitë politike duhej të bëjnë një marrëveshje kombëtare për hir të të ardhmes së vendit. Liria e medias, ndershëmria në votime e aspekte të tjera në cilat OSBE është e angazhuar, Shqipëria sjell një shembull të mjerë personal. Treguesit janë në rënie në vitet e fundit. Shpresa se afrimi i kësaj date do ta shtynte Shqipërinë të bënte përmirësime doli pa fryte.
Shqipëria nuk ka as ministër të Jashtëm për të drejtuar OSBE-në, ndoshta me qëllim, kryeministri Rama e ka ruajtur këtë privilegj për vete duke mbajtur vetëm një ministër-në-detyrë.
Megjithë pakënaqësitë, çdo shqiptar patriot dëshiron që Shqipëria të lërë mbresa pozitive në këtë detyrë. Të përdorë shembullin e saj, përvojën e saj në dikutaturë e luftë, në rajonin e gjakosur nga konfliktet dhe harmoninë e saj ndërfetare, për të rritur imazhin dhe efektivitetin e OSBE-së.
Ndoshta në punë e sipër mund të ndihmojë edhe veten, Kosovën, rajonin e përtej. Më së paku kjo ngjarje është një lopatë më shumë me dhe mbi trashëgiminë e vdekur të diktaturës izolacioniste të Enver Hoxhës. Në tryezën e sigurisë europiane, sado në mënyrë simbolike, Shqipëria u ul sot, në krye të vendit.