Nga Ruben Avxhiu
Historinë më të pazakontë nga zgjedhjet e fundit në Rusi, e ka treguar studjuesja ruse, Olga Zeveleva:
Demokracia në Rusi është në nivele qesharake, po të paktën në Moskë, qëndresa ndaj Putinit është forcuar shumë këtë vit.
Një aktivist i opozitës, Alexander Solovyov, vendosi të sfidojë pushtetin e Putinit dhe të kandidojë për një vend në Dumën (parlamentin) e një rajoni Moskës.
Pushtetarët e korruptuar vendosën të bëjnë një rreng. Gjetën dikë me të njëjtin emër, i quajtur po Alexander Solovyov (le ta quajmë Alexander Solovyov Nr.2) dhe e bindën të kandidojë. Dikë krejt të panjohur, me asnjë lidhje me politikën apo jetën publike.
Arsyeja ishte e qartë. Dy emrat do të hutonin votuesit duke bërë që të votonin gabimisht për Alexander Solovyov Nr. 2 dhe jo kandidatin e opozitës Alexander Solovyov Nr. 1.
Nga ana tjetër ishte edhe një mundësi e mirë për t’u tallur me opozitën që kujtonte se do të mund t’ua merrte pushtetin mafies së korruptuar në administratë.
Mirëpo, megjithë këtë plan, fushata e opozitarit Alexander Solovyov (Nr. 1) i nervozoi kaq shumë pushtetarët sa nuk duruan dot dhe e arrestuan, e dënuan me burg dhe ia hoqën emrin fare nga fletëvotimi.
Nga burgu, Alexander Solovyov Nr.1 deklaroi se tani që nuk ishte më në garë, njerëzit duhej të votonin për kandidatin e rremë Solovyev Nr.2.
Kjo do ta kthente talljen përmbys. Vërtet ishte një kandidat i rremë, i futur kot nga pushteti, po të paktën nuk ishte vërtet pushtetar.
Njerëzit u bindën dhe ditën e zgjedhjeve dolën në votime dhe me votën e tyre Alexander Solovyov Nr 2 u zgjodh vërtet dhe është tani anëtar i Dumës rajonale të Moskës. ·
Rusia, veç të tjerash, nuk ka më as shkrimtarët e medhënj të rangut botëror që nxirrte dikur. Po të ishin gjallë, zotin Alexander Solovyov Nr.2, një askushi që papritur e pa kujtuar, e pa veten parlamentar, do ta shihnin si një personazh me potencial të madh.