Nga Ruben Avxhiu
Mbrëmjen e 26 qershorit, Amerika ndoqi në televizion debatin e parë presidencial mes 10 kandidatëve të Partisë Demokrate. Dhjetë të tjerë, janë caktuar të debatojnë një ditë më pas.
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme t’i ndjekësh për këdo që ka kuriozitet dhe interes për politikën, për të sotmen dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara, po njëfarësoj edhe të gjithë botës.
Është nga ana tjetër edhe një kujtesë e radhës sesa larg jemi në Shqipëri nga ky realitet. Demokracia nuk është askund e lehtë dhe nëse ka diçka që e karakterizon është nevoja për ta shpëtuar vazhdimisht nga vetëvetja. Që të perifrazoj shprehjen e njohur, është kaq e keqe saqë e vetmja arsye që nuk e lëshojmë është se asgjë tjetër nuk funksionion.
Nata e parë e debatit na kujton se në Shqipëri nuk kemi hedhur ende hapin e parë vendimtar drejt demokracisë. Ai është demokratizimi i partive tona politike.
Nëse kishte një gjë kryesore që vihej re në debatin mes kandidatëve ishte larmia e pikëpamjeve dhe mendimeve. Ndonëse i përkasin të njëjtës parti, kandiatët kanë pikëpamje shumë të ndryshme që variojnë nga e majta radikale te qendra e moderuar.
Karakteristika e dytë që vihet re është se një senator e një guvernator janë të barabartë në skenë me një kongresist e një kryetar bashkie. Se askush nuk komandon në parti, e fituesi i kësaj gare do të kërkojnë me ngulm e me dashuri bashkimin e të gjithëve në fund, kundër kundërshtarit politik.
Çfarë kemi ne, në partitë tona politike shqiptare. Kryetarë që janë të pagabueshëm. Që zgjohen në mëngjes me një ide të çartur e të pamenduar mirë dhe kalojnë gjysmën e ditës duke marrë lëvdata nga servilët për mençurinë e pakrahasueshme e gjysmën tjetër duk përjashtuar ata që nuk u habitën mjaftueshëm.
Partitë politike shqiptare nuk prodhojnë udhëheqës e nuk prodhojnë ide. Nuk ka asnjë debat e as një minimum demokracie. Të gjitha partitë kryesore, duke filluar nga PS e PD, janë në fakt diktatura politike, ku çdokush, jo të rivalizojë kryetarin, po mjafton edhe të debatojë apo të ofrojë ndonjë aletarnativë taktike ndaj kryetarit, përfundon i përjashtuar.
Rivalët e mundur nuk ftohen të bëhen bashkëpunëtorë. Ata nuk falen kurrë për mëkatin e konkurrimit. Madje edhe kur konkurrimi ka qenë formal. Edhe kur i kanë ftuar të luajnë rolin e gjoja rivalit, në një garë me rezultat të paracaktuar. Nuk largohet vetëm kandidati i mundur. Largohen edhe ata që e kanë mbështetur. Nëse nuk e kuptojnë që duhet të largohen vetë, atëhere dëbohen me votën e komanduar.
Kryetarët e partive politike shqiptare kërkojnë pastaj në zgjedhjet parlamentare e lokale të vendit atë lloj demokracie që brenda partive të tyre nuk do ta lejonin kurrë. Mirëpo që të gjithë këta kryetarë janë zgjedhur e rizgjedhur në vota të pabarabarta e jotransparente, e askush nuk ka autoritetin moral që t’i japë tjetrit leksione demokracie.
Çirren nga mikrofonat duke folur në emër të demokracisë po është një tallje. Nuk arrijnë të merren vesh me njëri-tjetrin se nuk janë mësuar të debatojnë e dialogojnë. Se janë mësuar të dëbojnë këdo që mendon ndryshe. Të vetëburgosur në rrethin që i duartroket kanë mbetur pa zgjidhje e pa rrugëdalje. Po e rrokullisin vendin drejt një katastrofe. E vetmja arsye pse nuk ka ende një luftë civile është se populli tani nuk ka më iluzione për ta. Mbështetja është tangjenciale.
Po këta politikanë nuk erdhën deri këtu vetëm. U shoqëruan e u toleruan deri këtu, nga një shoqëri apatike. Nga një mjedis që ka pranuar dhe normalizuar shtypjen e diskutimit normal. Ku i vetmi dialog jo vetëm mes politikanëve, po edhe mes profesionistëve e deri nëpër kafene është përpjekja e vazhueshme për imponim. Për dije absolute. Një shoqëri e mbushur me mitomanë e me njerëz që ose kanë plotësisht të drejtë ose nuk kanë fare. Një vend ku jo vetëm debati është i vështirë, po edhe një bisedë e thjeshtë është e pamundur. Njerëzit janë ose të etur të tregojnë se janë dakord me ty, a thua se sadopak dallim do të ishte fundi i botës; ose nuk rreshtin së kundërshtuari, a thua se ndonjë pikë takimi në mendim mund të cënojë superioritetin e mendimit që supozohet të rrezatojnë vazhdimisht.
Është vështirë nganjëherë të kuptosh se ku mbaron trauma mendore e shpirtërore që na ka lënë diktatura komuniste e parimeve “o me ne o me ata”, ku ai që shpallej i gabuar nuk humbiste postin po edhe jetën, e ku fillon trauma e një pseudodemokracie ku e vetmja garë ka qenë mbijetesa në një konkurrencë mizore, plot hile e dhunim, ku vlerat u banalizuan e tiparet më të ndyra morale të kohës së diktaturës u ruajtën.
Në dhjetor të vitit 1990, nuk e dija se ishim ngritur për të zëvendësuar një diktator dhe partinë e tij, me disa diktatorë që do të konkurronin me partitë e tyre, në xhep. Në debatin se cila diktaturë duhet të vijë në pushtet, unë nuk kam asgjë për të ofruar. Jam aleat me humbësit e garave të brendshme në partitë kryesore. Ata janë mbase politikanë akoma më të këqinj, po te raporti me ta fillon demokracia që presim. Ne kemi nevojë për udhëheqës që nuk kanë frikë ta lënë politikën se kanë një jetë diku tjetër. Udhëheqës që na vjen keq kur çohen e ikin. Që do të na duhet t’i lusim që të hyjnë në gara, që të na japin një shans për të na udhëhequr drejt një të ardhme më të mirë. Udhëheqës që nuk kanë frikë të mos korruptohen. Që nuk kanë frikë se mos ua zbulojnë si janë majmur në rrugë të paligjshme. Që nuk janë peng i interesave. Që nuk janë shitur. Udhëheqës që fitojnë dhe nuk kanë frikë nga ata që humbasin. Që janë në paqe më përkohësinë e tyre në jetën politike. Ata që mendojnë se çfarë do të thotë historia për ta. Ata që kanë më shumë kuriozitet për ata që mendojnë ndryshe se nga ata që bien dakord me ta. Se duan të mësojnë diçka më shumë. Se duan ta perfeksionojnë mendimin që kanë në kokë. Strategjinë. Vizionin. Po mbi të gjitha kemi nevojë për një shoqëri të civilizuar. Ku njeriu nuk kërkon vetëm të mirat materiale, po edhe dinjitet, edhe karakter, edhe aftësi për të falur e për mirëkuptuar.
Në këtë debat televiziv ku parakaloi edhe njëherë demokracia amerikane me të gjithë madhështinë e të metave të saj, mendja ime ishte te Shqipëria dhe atë që e pret në këtë 30 qershor. Te çmimi që pritet të paguhet, te leksionet e reja të historisë që mezi presim t’i harrojmë, në eksperimentin tonë të pangopur me veten. Te oqeani që na ndan edhe figurativisht, te shpresa që nuk vdes për një të ardhme më të mirë.