Rusi-Ukrainë një betejë armësh ende larg
Nga Azem PARLLAKU
Lëvizje masive e trupave, dërgesa të armëve, kërcënime reciproke, raunde të pafundme të bisedimeve dhe tensione të nivelit më të lartë për të ndaluar Rusinë të nisë një konflikt ushtarak në territorin e Ukrainës, pasojat e të cilit janë të paparashikueshme. Ky është ankthi që ka mbërthyer opinionin publik për disa javë me radhë, në ndërkohë që zgjidhjet diplomatike në horizont, qasen me më pak shanse.
Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin trans-atlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë, por me sa duket agresiviteti i ripërtërirë i Rusisë, po dëshmon se këto vlera janë përsëri duke u minuar nga kërcënimet dhe sfidat, disa prej të cilave Evropa nuk i kishte njohur për dekada të tëra.
Për Rusinë batareja e kërcënimeve nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me një kërkesë të qartë ndaj Perëndimit. Qeveria e Vladimir Putinit dëshiron që Shtete e Bashkuara dhe Evropa ta ndryshojnë tërësisht arkitekturën e tyre të periudhës pas Luftës së Ftohtë. Në veçanti, Kremlini kërkon që NATO-ja të zotohet me shkrim që nuk do të pranojë asnjë shtet të Europës Lindore (si Moldavia, Ukraina ose Gjeorgjia) dhe t’i tërheqë trupat ushtarake të vendosura në territoret lindore, si në Bullgari e Rumani. Moska pretendon se Uashingtoni dhe NATO-ja i kanë shkelur vazhdimisht premtimet e bëra në vitet e pas Luftës së Ftohtë: “se NATO nuk do të zgjerohej në shtetet e ish-bllokut sovjetik”.Kur në vitin 1991 është shpërbërë Bashkimi Sovjetik, Rusia ka humbur kontrollin e 14 republikave që i ka dominuar më parë. Humbja e Ukrainës, megjithatë, ka qenë më e dhimbshme. Ukraina, me shekuj, ka qenë pjesë e perandorisë ruse, përpara se të bëhej republikë sovjetike. Vendi tani është duke lëvizur gjithnjë e më shumë drejt Perëndimit.
Pavarësisht këtij debati historik, nga këndvështrimi i Kremlinit të tanishëm, zgjerimi i NATO-s drejt kufijve të tij përbën kërcënim për sigurinë e Rusisë. Ndonëse proçesi i zgjerimit nuk ngrihet nga vetë Aleanca, por nga nisma e shteteve që vullnetarisht kërkojnë një gjë të tillë, qeveria ruse vlerëson se një pjesë e madhe e shteteve evropiane, që janë anëtarësuar në organizatë nga viti 1990, janë pjesë e sferës së saj të ndikimit. Kthimi sa më i madh prapa i ndryshimeve të tri dekadave të fundit dhe garancia se Ukraina dhe Gjeorgjia fqinje nuk do të bëhen kurrë aleate në NATO është njëra nga prioritetet kryesore të Putinit.
Mardhënia e Perëndimit me Rusinë po luhatet sërish, mbasi kjo e fundit mbetet një aktor misterioz, që praktikon një formë enigmatike nacionaliste dhe fetare, e cila përligj misionin e Rusisë për prestigj dhe ekspansion. E shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, Rusia ka sipërfaqen më të madhe të tokës në krahasim me çdo shtet tjetër bashkëkor. Një vend me përmasa të tilla ende sot, vuan nga frika e sëmurë se është i kufizuar. Edhe pse është shteti më i madh në botë me territor, Rusia ka një problem të rëndësishëm gjeografik në lidhje me qasjen e saj në det. Për të siguruar qasje në Detin Mesdhe, asaj i duhet mbajtja e kontrollit të Detit të Zi. Ky skenar u ndërlikua më tej për Moskën me ndarjen e Bashkimit Sovjetik, pasi baza e tij më e rëndësishme detare, Sevastopoli, u bë Ukrainase. Konflikti i vitit 2014, i cili kulmoi me aneksimin e Krimesë nga Rusia, e ktheu këtë vend historik ushtarak te Kremlini dhe pas përpjekjeve gjithëpërfshirëse për modernizim, flota ruse sot është një forcë që duhet llogaritur në Detin e Zi. Dhe pse kanë kaluar tetë vjet nga koha kur Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë dhe ka aneksuar Gadishullin e Krimesë gjë që ka nxitur një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër saj, ende dhe sot, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë e gjejnë sërish veten duke u përpjekur të kuptojnë se si ta pengojnë presidentin rus, Vladimir Putin, nga pushtimi eventual i Ukrainës.
Rusia në fakt në një mënyrë është në luftë me Ukrainën, pasi që nga pushtimi i Krimesë me 2014, në dy krahina të tjera Dontiesk dhe Luhan, ka mbështetur separatistë me armë dhe njerëz, në përpjekje për t’ia shkëputur Ukrainës këto dy rajone. Edhe nëse tensionet aktuale në kufijtë e Ukrainës, nuk do të sjellin në fund një konflikt të hapur, ky përshkallëzim i qëllimshëm parashikon gjëra aspak të mira për vitin 2022. Ajo që dëshiron Putin, është kthimi pas në kohë në vitet 1990, përpara se vendet e ish-Traktatit të Varshavës si Polonia dhe ish-republikat sovjetike si Estonia t’i bashkoheshin NATO-s. Aktualisht Rusia ka grumbulluar rreth 127 mijë trupa në kufirin me Ukrainën, por vetë Ukraina numëron 200 mijë trupa aktive dhe 250 mijë rezervë. Prandaj, për një pushtim të mundshëm Rusisë i duhen shumë më shumë trupa. Ukraina është një territor i madh. Ajo ka ushtrinë e tretë më të madhe në Evropë. Dhe nëse jemi duke punuar në bazë të një raporti tre me një të ushtrive pushtuese kundrejt atyre mbrojtëse, që është numri që ju nevojitet për të qenë i suksesshëm, atëherë Rusisë do t’i duhen 500,000 deri në 600,000 trupa për të mposhtur Ukrainën. Nuk e ka atë shifër dhe nuk parashikohet ta ketë.
Një betejë që i vlen kapitalit politik të presidentit Putin
Historia e Rusisë e ka lënë Europën me një trashëgimi të nostalgjisë romantike për periudhat e bashkëpunimit, por, gjithashtu edhe një frikë të paqartë në lidhje me pafundësinë dhe enigmën. Pas përpjekjeve të kombeve kryesore të Europës, ka qëndruar dhe qëndron nxitja për të patur një mardhënie të veçantë me Rusinë, për të parandaluar një përsëritje të presioneve historike. Në bisedimet e tanishme diplomatike mes Rusisë, ShBA-së dhe NATO-s, Bashkimi Europian nuk është i ftuar në tavolinë dhe luan një rol dytësor. Reagimi i vendeve anëtare ndaj dërgimit të trupave të Moskës në kufi me Ukrainën, ndonëse dënues në të gjitha rastet, ka qenë më i kujdesshëm se reagimet e Uashingtonit dhe Britanisë së Madhe. Njëra nga arsyet është se, në një kontekst të krizës energjetike, në të cilën çmimet e rrymës janë rritur shumë në mbarë kontinentin, disa nga vendet e Bashkimit Europian janë të varura nga gazi natyror që vjen nga Rusia. Ukraina është njëra nga eksportueset më të mëdha të grurit në botë. E njohur me shekuj si “hambari i Evropës”, nga plantacionet e saj të mëdha varet arritja e bukës në miliona tryeza përreth botës, e më së shumti tek konsumatori i kontinentit të vjetër.
Nëse Ukraina ka një rëndësi gjeopolitike, kjo vlen më së shumti për Evropën. Nëse dikush duhet t’i siguronte Kievit, ndihma financiare dhe armë, ajo është sërish Evropa. Nëse dikush duhet të ofrojë garanci ushtarake në Ukrainë, ai është prapë kontinenti i vjetër. Nëse dikush duhet të dërgojë trupa në Ukrainë, ajo është Evropa. Nëse dikush duhet forcojë mbrojtjen ushtarake të Evropës, kjo është vetë Evropa. Por kjo e fundit, nuk duket se është shumë e shqetësuar në këtë drejtim.
Nga ana tjetër mardhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kanë provuar muajin e mjaltit. Këto mardhënie u bënë në thelb dypolare, duke qenë se të dyja superfuqitë kundërshtonin njëra-tjetrën përgjatë një vije ndarëse që kalonte nëpër qendrën e Europës. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë kërkuar një prirje globale për shoqëritë e tyre. Idealizmi amerikan rrjedh nga koncepti i lirisë, ndërsa ai rus zhvillohet nga një kuptim i vuajtjes së përbashkët dhe nënshtrimit të përbashkët ndaj autoritetit. Idealizmi amerikan synon izolimin, idealizmi rus ka nxitur ekspansinizmin dhe nacionalizmin.
Kriza aktuale në Ukrainë është rezultat i sjelljeve të tepruara si të Rusisë po ashtu edhe të SHBA-së. Teprimi i Rusisë ka të bëjë me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimin e qendrës industriale të Ukrainës në Donetsk dhe Luhansk; apo edhe në përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta mbajtur Ukrainën të varur prej saj për energji, inpute industriale dhe tregje.Edhe SHBA e ka tepruar në disa raste. Në vitin 2008, administrata e presidentit amerikan George Ë.Bush bëri thirrje që Ukraina të ftohej t’i bashkohej NATO-s, gjë që do ta vendoste praninë e aleancës në kufirin e gjatë të Rusisë me atë vend. Ai propozim provokues i përçau aleatët e SHBA-së, por NATO konfirmoi në fund se Ukraina është e mirëpritur në aleancë, duke vënë në dukje se Rusia nuk ka asnjë veto se kush i bashkohet kësaj organizate.
Kur Rusia aneksoi me dhunë Krimenë në vitin 2014, një nga objektivat e saj, ishte që NATO të mos kishte asnjëherë qasje tek baza dhe flota detare ruse në Detin e Zi. Duke vendosur rreth 127 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës, dhe duke vazhduar me sulmet e ashpra verbale, Putin e ka bërë të qartë se nuk do ta lehtësojë së shpejti presionin ndaj udhëheqësve të Evropës. Për Uashingtonin, kjo është një enigmë gjeopolitike. Për SHBA-në dhe NATO-n, dakordësimi mbi kërkesat e Putinit, do të nënkuptonte hedhjen e hapit politikisht të papranueshëm të kapitullimit ndaj Moskës.
Po ashtu, Perëndimi do të ndjente papritur nevojën e një rishikimi kaq revolucionar të sistemit të sigurisë evropiane të pas Luftës së Ftohtë. Pra Kremlini po krijon një pretekst, me anë të të cilit mund të rishikojë lirshëm sistemin ekzistues të marrëdhënieve, një hap për të cilin Kremlini mendon se ka ardhur koha. Nëse është kështu, ne mund të presim që Moska të ndërmarrë hapa të tjerë që tregojnë vendosmërinë e Rusisë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme statuskuonë. Rusia ka më shumë gjasa të vazhdojë të zhvillojë formën shumë të sofistikuar të luftës psikologjike dhe hibride që ka përdorur kundër Ukrainës dhe Evropës me intensitet në rritje gjatë dekadës së fundit.
Veçanërisht Europa duhet të jetë gati për të gjitha eventualitetet dhe nuk duhet të gjendet e papërgatitur, siç ndodhi në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Mbi të gjitha duhet kuptuar se, kjo është një situatë serioze. Putini është i paparashikueshëm dhe do të shfrytëzonte çdo boshllëk dhe çdo dobësi që ai do të diktonte.