Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përjashtoi të dielën mundësinë e dërgimit të forcave të NATO-s në Ukrainë, qëndrim i cili u konfirmua edhe nga zyrtarët britanikë. Në të njëjtën ditë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se Moska po i kërkon NATO-s dhe OSBE-së shpjegime se si synojnë t’i zbatojnë angazhimet e ndërmarra për sigurinë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të dielën se aleanca nuk ka ndërmend të dislokojë forca në Ukrainë në rast të një ndërhyrjeje ruse.
“Ukraina nuk është vend i NATO-s dhe garancia prej 100% se një sulm ndaj njërit prej aleatëve do të marrë një përgjigje nga e gjithë aleanca, vlen për vendet e NATO-s, dhe jo vendet partnere”.
Megjithatë zoti Stoltenberg tha se aleanca e ndihmon Ukrainën me ngritjen e kapaciteteve, modernizimin e mbrojtjes së tyre, përfshirë edhe mbrojtjen kibernetike.
“Vendet e NATO-s gjithashtu ofrojnë paisje, armë mbrojtëse, siç ka ofruar p.sh. tani Britania armë kundra-tank. Pra, ne bëjmë shumë gjëra për ta ndihmuar Ukrainën që të forcojë aftësitë mbrojtëse”, tha ai.
Edhe Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, i tha BBC-së se nuk ka shumë gjasa që ushtarët britanikë të dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase. Megjithatë, ajo shtoi se:
“Mendojmë se ka shumë të ngjarë që Putini kërkon ta pushtojë Ukrainën, prandaj po bëjmë çfarë mundemi nëpërmjet masave parandaluese dhe diplomacisë për ta bindur të heqë dorë”.
Edhe Kryeministri britanik Boris Johnson shkruajti në Twitter pasi u informua për situatën nga shefat e shtabit britanik, se “Situata është gjithnjë e më shqetësuese. Vazhdoj t’i bëj thirrje Rusisë të angazhohet në negociata dhe të shmangë pushtimin e papërgjegjshëm dhe katastrofik”.
Zoti Stoltenberg shprehu gjithashtu shqetësimin për situatën e energjisë në Evropë dhe varësinë nga gazi rus.
“Jemi të shqetësuar nga situata energjitike në Evropë pasi dëshmon për rrezikun e të qenit të ndërvarur nga vetëm një furnizues i gazit natyror. Kjo është arsyeja pse vendet e NATO-s bien dakort se duhet të punojmë dhe të përqëndrohemi për një diversifikim të burimeve”, tha në kanalin BBC zoti Stoltenberg.
Ndërkohë Rusia po i kërkon NATO-s të qartësojë nëse synon të zbatojë angazhimet kryesore për sigurinë, tha të dielën Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, pasi Moska deklaroi se përgjigja e NATO-s ndaj kërkesave të saj nuk ishte e mjaftueshme.
“Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme po u dërgojmë sot një kërkesë zyrtare kolegëve tanë në NATO dhe OSBE, duke u kërkuar të shpjegojnë se si synojnë të zbatojnë angazhimin e tyre për të mos forcuar sigurinë e tyre në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera”, tha në televizionin shtetëror zoti Lavrov.
Duke grumbulluar mbi 100 mijë forca pranë kufirit me Ukrainën, Rusia e ka detyruar NATO-n, aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, si dhe OSBE-në, e cila ka 57 vende anëtare, që të negociojnë për sigurinë rajonale. (VOA)