Prishtinë, 30 janar 2022 – Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Por, ai ka bërë të qartë se Bashkimi Evropian, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përjashtojnë krijimin e Asociacionit të komunave që cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ne nuk duam një tjetër ‘Republika Srpska’. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e parë situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë”, ka thënë Lajçak, në një intervistë për Express.
Lajçak nuk ka pranuar të thotë nëse BE e mbështet formimin e një asociacioni do nuk të ketë kompetenca ekzekutive, por ka theksuar se askush nuk do ta detyrojë Kosovën të nënshkruajë diçka të dëmshme.
“Askush nuk do t’ua japë një letër dhe t’ju thotë: ‘nënshkruani1’. Ju jeni palë e barabartë në proces dhe keni absolutisht të drejtë të vini me propozimet tuaja në proces. Dhe, në vend se të thuhet ‘nuk e duam këtë apo nuk e duam atë’, do të ishte më mirë të thuhet ‘kjo është ajo çfarë propozojmë’, ‘kjo është se si duam të bëhet kjo’”, është shprehur Lajçak.
“Ju jeni në proces. Ju keni të drejtë të propozoni dhe të refuzoni. Në fund, çfarëdo gjëje, për të cilën pajtoheni, duhet të jetë një kompromis”, ka theksuar ai
Miroslav Lajçak do të vizitojë këtë javë Prishtinë dhe Beogradin, sëbashku me të dërguarin e presidentit amerikanpër Ballkanin {erëndimor,GabrielEscobar. Ai ka treguar për qëllimin e kësaj vizite.
“Qëllimet e kësaj vizite mund të them se janë tri. E para, për ta përcjellë mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA. E dyta, për të dëgjuar partnerët dhe për të diskutuar me ta si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale”, ka thënë Lajçak.
(r.m.)