Gjeneral Tabor tregon pse SHBA e përzgjodhi Shqipërinë për bazën e Forcave Operacionale Speciale

Arsyet përse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale i zbuloi këtë të hënë Gjeneral Major David Tabor, në një intervistë në “Zona Zero”, me gazetarin Thimi Samarxhiu në Top News.

Gjeneral Tabor tregoi se pasi u shqyrtuan shumë vende, ajo çfarë u vu re fillimisht ishte pozicioni gjeografik që ka Shqipëria, kjo sipas tij, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që SHBA ka pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar.

Sipas tij, kjo do të jetë një bazë ushtarake relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që priten të vendosen në Shqipëri në ndihmë të angazhimit që SHBA-të kanë jo vetëm këtu, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin.

Top News: Gjeneral Major David Tabor, faleminderit që gjetët mundësinë dhe kohën për këtë intervistë për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve që janë ngritur pas vendimit tuaj.

 Gjeneral Major David Tabor: Më lejo t’ju them, Thimi, se ju jam shumë mirënjohës që po më jepni mundësinë të flas me ju dhe t’i komunikoj popullit shqiptar dhe kujtdo se cilat janë qëllimet dhe planet tona. Më lejoni ta nis duke thënë se asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar. Jemi shumë mirënjohës për këtë mundësi që do të kemi për vitet në vijim. Të falënderoj edhe një herë për kohën dhe pres me kënaqësi pyetjet. Shpresoj, gjithashtu, edhe të takohemi një ditë, shumë shpejt besoj.

Top News: Dhe pyetja e parë është pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën zgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale?

Gjeneral Tabor: Po. E di se kjo është pyetje e rëndësishme për këdo. Mendoj se është e rëndësishme të theksoj se kjo është një komandë rajonale që do të shërbejë për angazhimin e forcave tona me shumë aleatë dhe partnerë në të gjithë rajonin. Sinqerisht, pasi shqyrtuam shumë vende, vumë re pozicionin qendror që ka Shqipëria, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që kemi pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për ta bërë këtë gjë realitet.

Top News: Cili do të jetë roli i kësaj njësie?

Gjeneral Tabor: Siç e përmenda, kjo do të jetë një komandë në mbështetje të operimit dhe kontrollit të forcave tona të angazhuara në të gjithë rajonin. Do të jetë një bazë relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që do të vendosen në Shqipëri mbi bazë rotacioni në ndihmë të angazhimit që ne kemi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin. Duke qenë më të pranishëm, do të mund të ndërtojmë një marrëdhënie më solide në të gjithë këtë zonë.

Top News: A është ky mision afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë?

Gjeneral Tabor: Thimi, sa na përket neve, ky është një proces që nuk e ka një datë mbarimi. Ne mendojmë se po e nisim si një proces afatgjatë dhe mbi këtë bazë do të punojmë bashkë me aleatët tanë të mrekullueshëm aty në Shqipëri. Siç e theksova, kjo ka ardhur si kërkesë e qeverisë shqiptare. Pra, për sa kohë shqiptarët janë të lumtur me praninë tonë aty, po aq të lumtur do jemi edhe ne, sigurisht, që të qëndrojmë.

Top News: A ishte vendimi për instalimin e një shtabi të avancuar në Shqipëri në kuadrin e konkurrencës më të gjerë të fuqive në rajon? Rusia ka tashmë një bazë të avancuar në Serbinë Jugore për shembull.

Gjeneral Tabor: Po, e dimë se çfarë po bëjnë shumë vende, por nuk është kjo ajo që na motivon. Ajo çka na motivon vërtet është stërvitja bashkë me aleatët dhe me partnerët tanë për të krijuar kapacitete edhe më të mëdha. Se çfarë bëjnë vendet e tjera, nuk është se është edhe aq e rëndësishme për ne. Ajo çka u intereson aleatëve tanë po, ajo ka shumë rëndësi për ne. Kështu që ne do të vazhdojmë t’i forcojmë këto marrëdhënie kurdo dhe kudo që të mundemi.

Top News: Çfarë lloj ndërveprimi do të keni me Forcat e Armatosura Shqiptare?

Gjeneral Tabor: Jam shumë i entuziazmuar për mundësinë që kemi për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi me forcat e armatosura shqiptare. Siç e dini, Shqipëria ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në angazhime të mëparshme, si në Irak, ashtu edhe në Afganistan. Përveç kësaj, kemi pasur edhe një sërë stërvitjesh me forcat shqiptare të operacioneve speciale. Kështu që e presim me kënaqësi mundësinë të stërvitemi dhe të mësojmë nga njëri-tjetri dhe që të ndërtojmë kapacitetet e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë kontribuuese për stabilitetin e rajonit e madje edhe në NATO e më gjerë.

Top News: Cilat janë implikimet e sigurisë si për Shqipërinë ashtu edhe për territorin e saj?

Gjeneral Tabor: Siç e thashë edhe më parë, Thimi, kjo është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet tona dhe unë shpresoj se kështu rritet edhe ndjenja e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin, sensi i besimit që kanë të tjerët në këtë rajon e madje edhe në NATO dhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se secili nga është shumë më i fortë nëse jemi të gjithë bashkë sesa secili veç e veç.

Top News: Në kuadrin ligjor, cilat janë marrëveshjet ligjore ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komandës së forcave speciale për kryerjen e operacioneve brenda dhe jashtë territorit shqiptar?

Gjeneral Tabor: Pyetje interesante, Thimi, që e ka përgjigjen të thjeshtë. Nuk ka ndryshuar asgjë. Ne do të vazhdojmë të operojmë përmes pranisë sonë atje nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, duke punuar përmes Ambasadës sonë dhe Zyrës sonë atje për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes. Kështu që për ne është shumë e thjeshtë. Presim me kënaqësi të jemi atje.

Top News: A do të ndihmoni Forcat Speciale shqiptare? P.sh. për sa i përket pajisjeve speciale dhe ndonjë mjeti tjetër që u mundëson atyre të rrisin aftësitë e tyre operacionale?

Gjeneral Tabor: Mundësia tashmë ekziston dhe ne jemi të gatshëm që ta shfrytëzojmë afërsinë tonë me këtë rast për të përforcuar kontaktet me forcat speciale shqiptare. Siç e thashë, do të punojmë përmes Ambasadës Amerikane, Zyrës për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes për të vlerësuar dhe për të përmirësuar vërtet kapacitetet ne bazë të vullnetit të ushtrisë shqiptare në përgjithësi dhe forcave të operacioneve speciale në veçanti.

Top News: Cili është vlerësimi juaj për aftësitë e Forcave Speciale Shqiptare?

Gjeneral Tabor: Do t’i kthehesha edhe një herë përvojës që kemi pasur me forcat speciale shqiptare në Irak, në Afganistan dhe në operacionet stërvitore kohët e fundit. Mund t’ju them se kemi të bëjmë me një forcë të përkushtuar dhe, siç themi zakonisht ne këtu, në operacionet speciale amerikane, ajo që ka më shumë rëndësi janë njerëzit, jo pajisjet. Aty ku ka njerëz të zotë, që janë të fokusuar te misioni, që i përkushtohen sigurisë dhe stabilitetit dhe paqes në rajon, gjithçka është e mundur. Pra, kemi një bazë të mirë me forcat shqiptare të operacioneve speciale dhe presim me kënaqësi mundësinë që t’i ndihmojmë që të bëhen ajo çka ata vetë duan të bëhen.

Top News: A do të ketë Shtabi që do të krijohet në Shqipëri njësi speciale nga vende të tjera të NATO-s si Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Greqia ose Mali i Zi?

Gjeneral Tabor: Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë vërtet me aleatë të tjerë të NATO-s dhe me vende të tjera partnere në të gjithë rajonin. Kjo komandë që ne po ngremë është një qendër komandimi për operacionet tona speciale në Evropë dhe si e tillë nuk kemi në plan që pjesë e saj të jetë edhe ndonjë vend tjetër aleat. Sigurisht që në bashkërendim me ushtrinë dhe me qeverinë shqiptare, do të jemi të gatshëm që ta konsiderojmë këtë nëse do të ketë interes reciprok. Duhet, gjithashtu, të them se edhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë marrëdhënie me Shqipërinë dhe me ushtrinë shqiptare dhe besoj që në këtë rast jemi në gjendje që ta mbështesim njëri-tjetrin reciprokisht. Kështu që nëse do të lindin mundësi të tilla, ne jemi pa dyshim të gatshëm që t’i eksplorojmë, por nuk është se po nisemi me planin që të ndërtojmë një tip shtabi qendror më të madh për aleatët që shkon përtej thjesht një qendre komande të Shteteve të Bashkuara për operacionet speciale.

Top News: A është në plan vendosja e forcave luftarake ose stërvitore diku tjetër, në rajon apo më gjerë?

Gjeneral Tabor: Sigurisht, ka gjithmonë mundësi, kudo. Siç e thashë, ne kemi bërë shumë stërvitje në Shqipëri dhe Shqipëria ka marrë pjesë në disa nga ushtrimet tona stërvitore dhe besoj se kjo ka për të qenë një nga mundësitë më të mira që lind me ngritjen e kësaj komande. Do të ketë më shumë kontakte me forcat ushtarake shqiptare dhe më shumë përfshirje të tyre në ushtrime të NATO-s, qofshin ato ushtrime që bëhen brendapërbrenda Shqipërisë apo qofshin edhe ushtrime të tjera në kontinent, apo edhe kudo qoftë në botë, nëse ekziston dëshira. Një nga stërvitjet tona të mëdha, ku do të marrë pjesë Shqipëria është ushtë stërvitja e përvitshme “Trojan Footprint”, bashkë me tre vende të tjera në Evropë. Kështu që presim me shumë kënaqësi që të mund t’i rrisim mundësitë ekzistuese, duke i shfrytëzuar këto mundësi për rritjen e kapacitetit, sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe në të gjithë Evropën.

Top News: Gjeneral shumë faleminderit. Ju uroj punë të mbarë dhe Ju presim në Tiranë

Gjeneral Tabor: Thimi, faleminderit edhe një herë. E vlerësoj vërtet shumë këtë mundësi që më dhatë për të folur me ju, për të folur me popullin shqiptar dhe shpresoj të takohemi së shpejti për një kafe në Tiranë e të njihem edhe me qytetarë të tjerë të mrekullueshëm shqiptarë. Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj një ditë të bukur!

(TopNews)