Escobar: “SHBA e mbështet fuqimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”

Prishtinë, 31 janar 2022 – I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi të hënën në Prishtinë, pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se SHBA e mbështet fuqimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“SHBA e mbështet fuqimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ju keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, deklaroi Escobar në Prishtinë, në konferencën e përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me nikoqirin e takimit, kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Escobar tha gjithashtu se SHBA e mbështet plotësisht dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe ai duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik pjesë e së cilit ju tashmë jeni dhe ky dialog do t’ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, shtoi ai.

Escobar, i cili është edhe zëvendës-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë,  tha se SHBA-të po punojnë me miqtë evropianë që Ballkanin ta konsiderojnë si mundësi të jashtëzakonshme dhe jo si rrezik.

“Rajoni ka një perspektivë të jashtëzakonshme pasi jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë, prandaj, bashkë me miqtë tanë evropianë, po punojmë që ta njohin Ballkanin Perëndimor si mundësi të jashtëzakonshme dhe jo si rrezik”, shtoi Escobar.

Ndërsa emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se vizita e përbashkët e tij dhe Escobarit është mesazh se BE e SHBA kanë të njëjtin qëndrim lidhur me të ardhmen e rajonit.

“Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutime me kryeministrin dhe presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE dhe SHBA punojnë krahë për krah dhe ndajnë një vizion të njëjtë për Kosovën, për procesin e dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e rajonit”, tha Lajçak.

Ai tha se me kryeministrin Kurti dhe me presidenten Osmani do të vazhdojnë bisedimet lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.

“Do të jemi deri të mërkurën dhe deri atëherë shpresojmë se do të kemi një pasqyrë më të qartë për të ardhmen”, tha Lajçak.

This image has an empty alt attribute; its file name is Albin-Kurti-8.jpg

Nga ana e tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës është për dialog parimor dhe të balancuar, nga i cili do të përfitonin qytetarët e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë. Ai theksoi se sovraniteti, integriteti territorial dhe sunksionaliteti i shtetit të Kosovës janë të panegociueshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet dhe është ë angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, deklaroi Kurti.

Kurti u shpreh se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnike, por tha se do të merren praktikat më të mira sepse nuk mund të ketë diku komunitet të diskriminuar e diku tjetër të privilegjuar.

“Jam kryeministri i të gjithë qytetarëve pa dallim prandaj edhe jam i gatshëm që t’ju përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës edhe të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë me çrast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimi Evropian e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, vijoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës u zotua edhe për bashkëpunim rajonal duke thënë se angazhohen në Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, po pa përmendur nismat e tjera siç është ajo e “Open Balkan”.

Para se të takoheshin me kryeministrin Kurti, Escobar e Lajçak u takuan me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani u ka thënë dy diplomatëve se Kosova është e përkushtuar në dialogun që në qendër e ka njohjen reciproke.

“Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, citohet të ketë thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara në Bruksel dhe ka theksuar se ajo pret trajtim të barabartë të palëve në vazhdim të dialogut me Serbinë.

“Presidentja, gjithashtu, bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, thuhet në komunikatë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen edhe me liderët politikë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Escobar e Lajçak do të udhëtojnë nga Prishtina në Beograd, për të diskutuar lidhur me të njëtat tema edhe me autoritetet e Serbisë.

(r.m.)