Krasniqi pas takimit me Escobar e Lajçak: PDK e mbështet një marrëveshje me njohje të ndërsjellë

Prishtinë, 1 shkurt 2022 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në takim me z. Escobar dhe z. Lajçak është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe për qëndrimin e PDK-së ndaj këtyre zhvillimeve.

Ai ka thënë se PDK e mbështe dialogun me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeve finale. Ai ka theksuar se marrëveshja finale duhet të sigurojë njohje të ndërsjellë dhe  nuk e cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“PDK e mbështet dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi.

(r.m.)