ADEM GLLAVICA, JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE

Në 22-vjetorin e përjetësimit

 Personaliteti madhor intelektual, menquria tipike atdhetare e Adem Gllavicës, reflektoi gjysmëshekulli atdhetari shqiptare mbi bllokadën komuniste, Ky personalitet monumental me vlera pozitive kombëtare e historike në vazhdimësi ka ushqyer brezet e rinisë shqiptare në Lypjan e rrethinë, Idetë atdhetare të Adem Gllavica me shokë kanë mbajtur gjallë dhe kanë zhvilluar moral të pastër kombëtar gjatë gjithë sundimit të komunizmit sllav në Kosovë.

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

Histori tragjike e shqiptarëve në Kosovë

          Rrethanat historike rrezikuan etnogjeografinë dhe substancën fizike e biologjike shqiptare në pjesën e dytë të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të. Ky kompleks procesesh e veprimesh rrezikonin vendosjen e fatit të hapësirës shqiptare përgjithësisht. Realisht këto ngjarje zhvilloheshin pas dobësimit të Perandorisë Turke, kur trevat etnike shqiptare i priste një fat tjetër i hyrjes në okupim të ri, paralelisht veprohej edhe në krijimin i shtetit shqiptar, por të cunguar në vetëm nga më pak se gjysmën e trojeve etnike shqiptare.

Fatin e shqiptarëve  e kishin marrë në trajtim forcat e qendrave ndërkombëtare të vendosjes. Kongresi i Berlinit 1878 e Shën Stefani, shqiptarët dhe Shqipërinë e trajtuan vetëm për shprehje gjeografike. Kurse më 1913 Konferenca e Londrës me ndihmën e SHBA-ve, përkundër kërkesave të delegacioneve shqiptare, që Shqipëria të jetë në kufijtë “ku bukës i thonë bukë, e ujit i thonë ujë”, kishte marrë vendim që, Shqipëria të vetëvendoset shtet i pavarur me kufij të kufizuar, të cilët që nga atëherë, janë aktual edhe për Shqipërinë e sotme zyrtare, historike apo londineze, siç i thonë dhe e shkruajnë shumica nga analistët e historisë shtetërore dhe historianët. Në Shqipëri e rreth Shqipërisë, mes viteve, që nga viti 1913 e deri më 1919/20, u ndërruan qëndrime e qeveri të ndryshme, në Konferencën e Versajit dhe Konferencën e Paqes në Paris, kur hapësirat shqiptare i ndanë, sipas vendimeve të padrejta ndërkombëtare, shumë troje etnike shqiptare iu dhuruan fqinjëve grabitqar ortodoksë serbë, malazias e grekë.

Fëmiria e  Adem Gllavicës

Në vitet e këtyre vëllimeve në fshatin Gllavicë të Lypjanit, në Kosovës, më 14 shtator 1917, u lind Adem Selim Gllavica, i familjes Reçica, më shumë i njohur në popull, literaturë publicistike e historike, për Adem Gllavica, (mbiemër i marrë nga emërtimi i fshatit të lindjes Gllavicë,a), se sa Adem Selimi, siç evidentohet në dokumentacionin personal apo edhe nga ndonjë shkrim. Datëlindje të cilën në një shpjegim të publikuar në librin e Gani Demirit-Ratkoceri, “Adem Selimi-Gllavica”, e konteston edhe vet Ademi, që sipas një kallzimi të nënës për kohën e luftërave bullgare, ai duhet të ketë lindur një vit më herët, në shtator të 1916. Adem Gllavica, personalitet që kap dimensione, atdhetari, luftëtari, për çështjen kombëtare  arsimdashësi e shkencëtari, intelektuali e veprimtari politik prej demokrati nga vepra e të cilit dekada të tëra do të gjejnë frymëzim dhe inspirim veprues gjenerata të tëra të mjediseve kosovare. Në popull njihet, thuhet e shkruhet në literaturën e deritashme historike, se ai rrjedh nga një familje e ardhur nga trojet etnike shqiptare pas ngjarjeve sa të mëdha historike, aq edhe tragjike për një hapësirë të madhe shqiptare pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fshati Reçicë. Atëherë ky fshat, si edhe afro 700 vendbanime të tjera në Jablanicë, Kosanicë e Toplicë  të banuara kryesisht nga shqiptarët, tash të mbetura vetëm emërtime në Serbi, të cilave vetëm toponimia, antroponimia e mikrotoponimia dëshmon se dikur ishin vendbanime shqiptare.

Që kur u lind Ademit i mungoi përkujdesi atëror, ngrohtësia e nënës, ngrohtësi që rrit fëmijën, ishte e mangët. Sepse nënë Fatimës i mungonte bashkëshorti- “dyreku i shtëpisë”. Gruaja shqiptare e asaj kohe, mbështetje dhe siguri  fizike, shpirtërore, materiale e morale kishte bashkëshortin. Ademi i njomë dhe Nënë Fatimja, pasqyrojnë portretin real të fëmijës jetim që mbështetje të vetme kishte nënën, grua të vejë, të cilën mungesa e të shoqit e hodhi në erërat e pasigurisë në jetë. Grua e nënë që për dashuri ndaj fëmijës, përplaset në furtunat e rënda të varfërisë materiale, reziston mentalitetin e moralit oriental dhe raporteve primitive shumë të ashpëra gjinore të kodifikuara në kanun dhe besim fetar. Në këto rrethana Ademi pranë të ëmës, në shqetësime shpirtërore kaloi fëmijërinë e hershme herë në vendlindje, në Gllavicë, e herë të dajallarët në Pleshinë.

Pas thyerjes së shpirtit, nga ashpërsia e Kanunit, martesa e së ëmës thyen sigurinë e ëndrrave fëmijërore, largohen e ftohen raportet e Ademit me Nënë Fatimën. Ademi i ri përplasej në shqetësimet e shkaktuara nga këto doket e traditave të ashpra  të cilat e bënin të pasigurt qenien e tij fizike dhe thelluan gjurmë në gjendjen e tij shpirtërore. Kjo ngarkesë e shkallëzuar shpirtërore e shqetësuese deri në pafajësi, me gjithë kujtimet për nënën lanë gjurmë të thella të cilat Ademin dhe karakterin njerëzor e intelektual do ta përcjellin gjatë në fazat e jetës dhe formimit të tij.

Ademi u lind  kur i ati ishte në shërbim ushtarak gjatë luftës së Parë botërore, i cili humbi diku pa shenjë e pa dok në betejat e kësaj lufte në hapësirat maqedone. Ndërsa e ëma Fatimja, vajza e Islam Magjerëse, e mbetur herët jetime në përkujdesen e axhës së saj në Pleshinë.  Pas lindjes së Adem Gllavicës, Fatimja me të birin Ademin dhe nënën e saj e cila jetonte tek e bija Fatimja, e ruante djalin e vetëm Ademin në Gllavicë, këto dy gra të veja qëndruan aty deri më 1921  në pasurinë e trashëguar nga bashkëshorti Hasani. Sa jetuan në Gllavicë për Fatimen e vejë dhe Ademin jetim përkujdesej axha Hysen Reçica. Në Gllavicë ajo kishte një oborr me pemishte dhe tri ara buke.

Pas shkuarje në Pleshinë, pas vitit 1921, Fatimja me të birin Ademin dhe nënën u transferuan në pronën që  kishte të trashëguar nga babai i saj Islam Magjera. Ademi me të ëmën në Pleshinë jetonin mirë, meqë nga Gllavica merrnin dridhrat e bukës, kurse në Pleshinë kishin pemishte frutore dhe të lashta të tjera. Fatimja nga ashpërsia e raporteve kanunore të kohës nuk mundi të qëndrojë shumë në Pleshinë dhe të jetë në përkujdesen e përhershëm të djalit të vetëm të saj Ademit. Axha Qazim që ishte përkujdesur për nënën e Fatimës e cila e kishte rritur Fatimen, tash pasi kjo ishte mbetur e vejë detyrimisht e marton diku në Shkup. Ademi, djali i vetëm i sajë tash mbetët jetim, jo vetëm i pa babë, por tash pas martesës së saj në Shkup, Nënë Fatimja Ademin pafajësish e la jetim edhe pa nënë, përkundër se nënë Fatimja ishte e gjallë. Ademi ka përkujtuar me dhimbësuri mungesën e nënës, madje si djalë i saj pak sa pafajësisht është inatosur në Fatimën, e cila po ashtu gjer sa jetoi barti përveç sëmundjes së rëndë që kishte edhe mallin e dhembjen për birin e saj Ademin, për të cilin nuk i mundësohej të takohej e të dijë si është e ku është e si jeton.

Pasi vdiq Nënë Fatimja, Ademi kuptoi me brengosje të madhe shpirtërore se ajo ishte martuar me detyrim dhe gjatë kishte qenë e sëmurë, Nënë Fatimja gjatë kishte bartur mallin për të birin e saj Ademin, Ai veç sa u pikëllua për inatosje e mërinë e paarsyeshme nga  pafuqia e saj, si edhe shumë nënave shqiptare të kohës, të cilën gjatë e kishte bartur për nënën të cilën pa arsye e kishte ngarkuar e fajësuar. Ademi i ri e kuptoi pozitën e nënës shqiptare, mundësinë e vogël të saj për të vendosur, madje edhe për familjen dhe fëmijët e saj, ktheu e shkriu mallin e kallur flakë të dashurisë së tij për të ëmën e cila gjatë i mungoi. Madje, Ademi për shkak të moshës së re, pas pjekurisë prindërore kishte shprehur pendim se pa qëllim e pa vetëdije të arsyeshme ka mbajtur qëndrim, bindje dhe gjykim  negativ për “mospërfilljen” e tij nga e ëma, Ajo mungesë e nënës dhe ajo ndarje e vrazhdë dhe e rëndë nga nëna, ishe pasojë  nga tradita e ligë dhe raporteve të trajtimit negativ të gruas si qenie e papërfillshme në ato kohëra Ademin e ka brengosur e rënduar gjatë në jetë, Ademi në pjekuri kuptoi torturat shpirtërore e fizike që përjetoi Fatimja nga Qazimi për ta detyruar që ta martojë jashtë dëshirës së sajë, ia sollën siç thotë populli “shpirtin te hunda”, sa disa herë jo vetëm që kundërshtoi propozimet e Qazimit për martesën e saj, por edhe tentoi të ikë nga rrezikimi i një martese jashtë dëshire. Fatimja rezistoi kështu deri në vitin 1925. Ajo jashtë çdo mundësie  për të rezistuar edhe më tutje ishte martuar në Shkup. Me qëllim që mos ta  lëndonte Ademin, djali i axhës Bislimi e mori atë nga Pleshina në Gllavicë, duke shpjeguar se ai do të shkojë për shkollim më të afërt në Llugaxhi, por njëkohësisht edhe për largimin e tij nga shtëpia e dajës Qazimit, ku i mbetur pa nënën nuk kishte asnjë arsye të qëndrojë më tutje.

Ademi shkon në Gllavicë me peshën e rëndë fëmijërore për mungesën e nënës Fatime, por doemos pajtohet me fatin, dhe për pesë vjet ju hyri mësimeve në shkollë e Llugaxhisë. Gruaja e axhës në shpirtin e Ademit të vogël vazhdimisht mbolli dhe arriti të rrisë urrejtje fëmijërore për nënën, sa për pesë vjet Ademi nuk pranoi të shihet me te edhe pse ajo vinte vazhdimisht ta vizitojë në Gllavicë. Këtë mospajtim ai do ta vazhdojë edhe gjashtë vjetet e para nga tetë vjetët e shkollimit të tij në Medresenë e Shkupit.

Për gjashtë vjet Fatimja vazhdimisht vinte e kërkonte ta takojë, ta shohë e të shpërmallej me djalin e saj. Ademi Gllavica rikujton këto vuajtje shpirtërore, më 1936 e 1937 kur vendosi kontaktet me nënë Fatimen thot: “Më erdhën mendtë, mu hoq inati e urrejtja që kisha për nënën. Shkova e u takove, por ishte shumë vonë. Ajo e shkreta kishte marr veremin.” Ademi nga përmallimi e ndjenja e madhe për dashurinë ndaj nënës e përshkruan atë: ”Ishte grua e bukur, me shtat të madh- zeshkane. Tash kur e takova nuk ishte më ajo. Më tha: Biro, unë po vdes, po pasi të takova, zhigu për ty mu hoq, e do të vdes e qetë”.

Shkolla e Llugagjisë

Kur Ademi kishte moshën 7-8 vjeçare, i mbetur jetim pa babë, në fëmijëri të hershme kishte përjetuar katrahurat e shkaktuara nga pasojat e traditave të ashpra. Pesha tjetër shpirtërore e fizike ishte sundimi e okupimi i ashpër nga Mbretëria Serbe Kroate Sllovene, e cila për qëllime asimiluese të shqiptarëve, në vargun e shkollave të hapura në Kosovë, hapi shkolla edhe në trevën e tashme komunale të Lypjanit, njëra mes tyre ishte shkolla fillore në fshatin Llugaxhi e hapur më 1925, me mësuesin e parë Serafin Jovanoviq.

Në këtë shkollë përveç fëmijëve shqiptarë nga Llugaxhia aty mësimet i vijonin edhe nxënësit nga fshatrat  Gllavicë, Marec, Rubovc dhe Babush. Kur Adem Gllavica u regjistrua në këtë shkollë, ishte bërë jo vetëm ndërrimi i mësuesit, por për shkak të numrit të shtuar të nxënësve, meqë kjo shkollë atë vit shkollor numëronte afro 100 nxënës, andaj për këtë arsye ishin caktuar dy mësues, Mirko Vujadinoviq dhe Urosh Nedelkoviq.

Për Uroshin thuhej se gjatë luftës nacionalçlirimtare në fshatin Gadime kishte organizuar arrestimin e mbi 300 shqiptarëve me qëllim që në emër të luftës antifashiste, këta t’i pushkatojë për armiq. Ademi ishte nxënës i mësuesit Mirko Vujadinoviqit, për të cilin Ademi si fëmijë kishte një admirim. Thuhej se mësuesi Mirko, me prejardhje malaziase, gjatë kohës sa punoi mësues në Llugaxhi, kishte angazhim të nivelit me nxënës. Meqë siç dihet atyre viteve MSKS në mjediset shqiptare hapte vetëm shkollim fillore katër klasash me qëllim që më atë nivel shkollim të arsyetohej para opinionit ndërkombëtar, se shqiptarët në këtë mbretëri gëzojnë të drejta të plota kombëtare e njerëzore, dhe qëllimi tjetër shtetëror e politik ishte që shqiptarëve mos të ju ofrohet nivel më i lartë shkollimi, i cili do ju mundësonte vazhdimin e shkollimit të mesëm dhe në vazhdimësi edhe shkollimin e lartë.

Andaj shkollat e hapura fillore në mjediset shqiptare, kryesisht ishte shkolla katër klasëshe, me qëllim shkëputjeje të vazhdimësisë e të rinjve shqiptarë në shkollim të mëtejshëm. Kur është fjala për mësuesin Mirko, ai ishte shumë i afërt me nxënësit dhe fshatarët e mjedisit në Llugaxhi, kishte përgatitje profesionale dhe virtyte njerëzore të ofrohet e integrohet me komunitetin. Ai plotësoi kushtin e parë të mundësisë për komunikim me rrethin.

Mësoi mirë gjuhën shqipe, mësoi traditën dhe mënyrën e jetës shqiptare, qëndronte dhe afrohej me fshatarët, dhe pa asnjë kompleks vishej me kostume shqiptare. Adem Gllavicës, ky mësues do ti bëjë përshtypje dhe do mbetet në kujtesë pozitive. Ademi që nga fëmijëria krijonte vija të karakterit kombëtar intelektual, jo shpirt të infektuar të urrejtjes, ai nuk urrente asnjë popull dhe nuk fajësonte tërësinë kombëtare serbe, ai nuk kishte moral e as veprim krimineli, si do ta quajnë gjatë shkruesit e historiografisë komuniste, por ishte njeri me tipare të burrërisë njerëzore.

Ai e deshi mësuesin Mirko, pa e fajësuar atë se mësimet i mbante në atë gjuhë që Ademi nuk e fliste në shtëpi, gjuhë e popullit nga i cili vuante ai, familja e tij, rrethi dhe gjithë populli i pafajshëm shqiptar, por atë padrejtësi e kundërshtoi dhe e luftoi për të huaj, padrejtësi e qeverisje të keqe të sistemit okupues shtetëror. Këtë më së miri e dëshmoi për mësuesin Mirko, familjen dhe katër fëmijët e tij, të cilëve Ademi iu ndihmoi sa ishte nënprefekt në Ferizaj.

Gjatë mësimeve fillore në gjuhën serbe në shkollën e Llugaxhisë Ademi dallohej nga nxënësit e tjerë. Ky sistem arsimi për fëmijët shqiptarë ishte dyfishi i padrejtësisë njerëzore i zyrtarizuar nga shtetit  robërim i dyfishtë i padrejtësisë ndaj fëmijëve shqiptarë. Pesha e  parë e rëndë mbi kurrizin e fëmijëve shqiptarë ishte se, ata duhej të dëgjonin e mësonin mësimet në gjuhë të huaj, përkundër asaj se shumica nga fëmijët shqiptarë, atë gjuhë-serbishten nuk e njihnin fare. Atë gjuhë, populli i të cilës ishte robërues shpirtëror e fizik të familjeve, rrethit familjar dhe përgjithësisht trevave etnike dhe popullit shqiptar.

Pesha e dytë mbi kurrizin e fëmijëve shqiptar ishte, se nxënësit shqiptarë të këtyre shkollave, kishin ngarkim shtesë edhe mësimet fetare islame të cilat ishin një peshë e veçantë për ndjenjën e tyre fëmijërore, mësime të cilat po ashtu mbaheshin në një gjuhë sa të largët aq edhe të panjohur. Të dy mësimdhënësit kishin qëllim tjetërsimi të qenies kombëtare  shqiptare, edhe dhaskalet serbë edhe hoxhët, ndaj nxënësve shqiptar përdornin ndëshkimin fizik për formë dhe mjet në procesin mësimor, dhaskali serb kishte mjet kamxhikun, e hoxha në mësim ndaj nxënësve përdorte fallakun, një formë dhune e torturës shtazarake. Nxënësit në atë sistem arsimor i kufizohej mundësia e pjesëmarrjes subjektive në  mësim nxënie.

Nxënësi në procesin mësimor ishte vetëm objekt mbi të cilin zbatohej përdorimi i dhunës për formë dhe mjet mësimor. Përkundër gjitha këtyre rrethanave, Ademi u dallua nxënës shembullor, jo vetëm në mësimet në lëndët laike, ku daskalli kishte vëmendjen e veçantë ndaj zgjuarsisë dhe aftësisë së këtij nxënësi, i cili përveç mësimeve të cilat i zotëronte shembullor, ai kishte aftësi që ato mësime ti zbatonte në jetën praktike dhe ti fuqizonte me kreativitet aktiv dhe zbatueshmëri praktike të vlerave të tyre në jetën praktike. Njëkohësisht, Ademi u dallua edhe në mësimet fetare, ai që në moshën parashkollore, kishte arritur të marrë njohuri fetare dhe të veçohej në leximin e Ku’anit. Përkundër ndjenjës kombëtare që Ademi në vazhdim të moshës së tij, do të këtë vështrim dhe qëndrim të thellë analitik dhe do të ndërlidhet në zhvillimin dhe ndryshimin e këtyre proceseve shoqërore.

Mësimet fillestare në gjuhë dhe kulturë jashtë qenies e moralit të ndjenjës shpirtërore e kombëtare, në gjuhë serbe dhe atë arabe. Ai që fëmijë, sikur gjithë fëmijët të tjerë shqiptar, jashtë dëshirës dhe vullnetit, e kuptoi se kjo për kohën e rrethanat ishte e vetmja mundësi e pasurimin me njohuri të mjaftueshme që mundësonte vazhdimin e mësimeve  në shkollim të lartë. Kjo ishte  mundësi e vetme, ishte synim i mundshëm dhe nevojë e domosdo e kërkesave të shqiptarëve në ato rrethana të rënda okupuese.

Student dhe veprimtar patriot në Medresenë e Madhe të Shkupit

Arsyet e vonesës dyvjeçare të Ademit për Regjistrim në Medresenë e Madhe të Shkupit, mund ti  mbështesim në rrethana ekzistuese personale, familjare e shoqërore në të cilat ai u gjet. Ademi fëmijë pa baba dhe në një mes të trashëguar me tradita të ashpra patriarkale, po ashtu lindur e  rritur në rrethana  të ashpërsuara shoqërore të një sistemi politik të egër shtetëror, me moral  fisnor patriarkal e disponim të zyrtarizuara politik e ligjor antishqiptare.

Meqë Adem Gllavica shkollimin fillor e kreu në vitin 1928 në fshatin Llugaxhi, në Medrese të Shkupit,  Erdhi në vitin 1930, në gushtin kërcëllues, pasi kishin mbaruar provimet pranuese në Medresën e Madhe, por jo vonë! Ademi mund të mos arrinte në kohë të caktuar, por vonë jo kurrë!” Shkruan akademik Idriz Ajeti për Adem Gllavicën, shokun e tij të klasës, punës dhe jetës së përbashkët 15 vjeçare. Kjo bindje “vonë jo kurrë” e profesor Ajetit, ka konotacion mbështetës në aftësitë e përgatitjen arsimore të Adem Gllavicës, aftësi të cilat eprorët e Medresesë i arsyetojnë dhe i përligjin për vonesën objektive të shkaktuar nga rrethanat materiale dhe vështirësitë familjare, të cilat mund të kuptohen kur Profesor Ajeti përshkruan pamjen fizike kur ai erdhi në Shkup djalë me pamje të bukur dhe inteligjencë të lartë në medrese erdhi, meqë kjo shkollë ishte e vetmja që të rinjtë shqiptarë ju mundësonte vazhdimin e shkollimit universitar I veshur me rroba të grisura, i mbathur me opinga. Ademi vjen në Medresën e Madhe të Shkupi dhe lut të hyjë te Drejtori i shkollës Mehmedbashiq”, i cili pasi dëgjoi problemet dhe arsyet e vonesës për regjistrim të Ademi në Medrese, drejtori formoi komision të veçantë për pranimin e tij, në të cilin ishte vet Drejtori Mehmedbashiq, orientalist i njohur, dhe Ilia Llapushina profesor i gjuhës serbe, Adem Gllavica provohet në lëndën e Serbokroatishtes, në histori dhe lexim të Musafit, Ku’anit. Meqë përgjigjet e Ademit ishin të shkëlqyeshme, leximi i Musafit e mahniti drejtorin Mehmedbashiq, Ademi pranohet në Medrese dhe me urdhrin e drejtorit, atij ju blenë një palë rrobe. Këtë Ademi e arsyetoi me arritje të suksesit të shkëlqyeshëm gjatë gjithë shkollimit të tij në Medrese.

Kur një avokat që kishte zyrën afër Medresesë, kërkoi nga Drejtori të caktojë një nxënës shembullor që ti ndihmojë në mësime djalit të tij, që ishte nxënës i gjimnazit, propozimi i drejtorit bije në Ademin, nga shpërblimet e të cilit, Ademi bleu tre palë rroba. Ndërsa në konkursin me temë “Shkupi gjatë shekujve”, Ademi fiton shpërblimin e konkursit. Kurse gjatë pushimeve dimërore, punimi i Ademit për Këngën e Demë Ahmetit të shënuar në Kosovë, ndoshta nga ndonjë i moshuar  në vendlindjen e tij, Ademi mori vendin e parë, meqë varianti ishte shqip me përkthimin e profesor Vido Llakoviq  kjo këngë u botua në revistën “Prilozi”. Variante i cili më vonë 1938/39 siç dëshmon Akademik Idriz Ajeti, në shkrimin, “Si e njoh unë Adem Gllavicën”, pas takimit me kryeredaktorin e gazetës sarajevase botohet në “Muslimanski svjest”. Kënga bën fjalë për përplasjet e serbëve me shqiptarë në kufirin shqiptar-serbë, në kryengritjen e parë serbe 1804 e më vonë. Në këtë punim garues, Ademi dëshmoi se është i përkushtuar punës për zgjimin e ndjenjave kombëtare. Adem Gllavica e donte, e njihte dhe punonte në muzikë. Ai ishte anëtar në korin e shkollë, ishte violonçelist në orkestrën e harqeve, kurse në orkestrën e tamburave i binte braçit (tamburës), mandolinës.

Ademi dallohej nga bashkënxënësit e Medresesë për ndjenja liridashëse atdhetare e demokratike, për marrëdhënie të drejta njerëzore ndër nxënësit shqiptarë në Medrese edhe për ndjenja të vlerave shpirtërore  pozitive historike e kombëtare, ku Ademi printe nga shokët e shkollës. Ai veprimtarinë atdhetare e filloi atëherë kur krijoi kontaktet e para me zyrtarë të Konsullatës shqiptare në Shkup nga ku tjetër mund të fillohet më mbarë e më drejtë përveç nga zyrtarët e shtetit kombëtar shqiptar, nga aty Ademi fillon fazën e veprimeve të para ilegale, kërkimin dhe leximin e literaturës me përmbajtje kombëtare përmes së cilës bëhet edukimi njohës, shkencor, historik, politik e shpirtërore për çështjen kombëtare. Nga aty Ademi merrte dhe furnizonte shokët me literaturë shqipe. Andaj, nuk është rastisje që nxënësit shqiptarë në medresenë e Shkupit, që atëherë kishin Lexuar “Bagëti e Bujqësia” të Naim Frashërit apo siç shkruan Profesor I. Ajeti, lexuam edhe shkrimin e Aleksandër Xhuvanit, “Jeta e Mehmet Ali Pashës në Egjipt”. Adem Gllavica edhe nxënës i Medresës edhe student në Zagreb veproi kundër projekteve dhe aspiratës serbe për shpërnguljen e shqiptarëve e pastrimit etnik të Kosovës. Mocanikët ende e mbajnë në kujtim afrimin e Ademit me shqiptarët katolikë në Ferizaj e Moravë të Binqës dhe përgjithësi me shqiptarët e besimit katolik në Kosovë.

Të shumtën e herëve ai merrte pjesë në festat katolike fetare në Letnicë. Bashkë me shokët Halit Ibishi, Idriz A. Ajeti nga Pjetërshtica e Isak Sherifin më 1935/36, Ademi organizoi një vizitë medresantëve të komunës së Medvegjës. Ademi sipas udhëzimeve të konsullatës shqiptare shëtiti dhe inçizoi strukturën e popullatës në Ohër, Resnje e rrethinë të Shkupit. Gjitha këto shëtitje njohëse Ademit më vonë do ti shërbejnë për përvojë njohëse në strategjinë e zhvillimit të luftimeve që nga Beteja e Ferizajt dhe Gadimës, drejt Kopilakës dhe luftimeve e betejave të shpeshta nga Hogoshti e deri në Malet e Sharrit dhe viset e Pollogut. Thënë shkurt e shqip, jo vetëm Adem Gllavica, por shumica e nxënësve nga Medreseja e Shkupit, dolën kuadro kulmore atdhetare, si në luftë kundër ideologjisë komuniste, ashtu edhe në luftë kundër fashizmit, të dyja këto ideologji si edhe racizmi ishin ekstreme dhe prodhonin politikë të rrezikshme. Nxënësit e kësaj medreseje u bënë kulmorë edhe në lëmin e shkencës, arsimit dhe diturisë shqiptare në përgjithësi.

Në mesin e tyre veçohet Adem Gllavica, si për angazhimet e tij në veprimtarinë atdhetare, ashtu edhe në luftë të armatosur kundër komunizmit, kontributin e tij në arsim dhe atë në shkencë.

 Ademi natyrshëm e me zhdërvjelltësi nisë veprimtarinë atdhetare, madje këtë veprimtari përkundër rrethanave të rrezikshme shoqërore administrative e shtetërore, ai kishte pengesa edhe nga rrethanat e rënda personale materiale e familjare. Këtë veprimtari ai e fillon dhe e zhvillon si proces logjik sipas kushteve të lejueshme e rrethana të mundshme. Andaj, nuk është rastisje, që këtë e fillon nga Abetarja shqipe dhe kontaktet e para me konsullatën shqiptare në Shkup, kontaktet të cilat ai do ti vazhdojë më vonë edhe me Ambasadën Shqiptare gjatë studimeve në Zagreb. Këtë sakrificë Ademi e bën për shpërndarjen e abetares dhe literaturës shqipe, të cilat i merr në përfaqësinë diplomatike shqiptare dhe ua shpërndante shokëve në dy medresetë dhe rinisë atdhetare në Shkup, dhe në disa mjedise të tjera të Kosovës. Kjo shkathtësi e veprimit ilegal u dëshmua e nivelit, sepse në asnjë rast nuk u zbulua nga regjimi i ashpër serb, nga do pësonte dënim të rëndë. Pushteti mbretëror shqiptar, për këtë zhdërvjelltësi e përkushtim atdhetar, për këtë veprim patriotik  Qeveria Shqiptare Ademit dhe disa nga shokëve të tij, Zeqir Bajramit, Sahit Islamit, Selim Gllavicës e Hasan Kaleshit, do ju ndajë bursa për vazhdimin e shkollimit në medrese dhe në vazhdimin e studimeve universitare. Ky kontakt e kjo veprimtari atdhetare, Ademin në vazhdimësi të jetës dhe veprimtarisë atdhetare do të ndikojë të orientohet në përcaktimin politik pro Mbretërisë shqiptare dhe Mbretit Zogu i Parë.

Adem Gllavica kurrë nuk harroi detyrën e shenjtë që të veprojë dhe përgatitë masat e popullit shqiptar në vendlindje dhe rrethinë të Ferizajt, kundër Projektit të Vasa Qubrilloviqit. Në kontakte të vazhdueshme me popull ai zhvillonte aktivitet kundër realizimit të këtij projekti famëkeq në shpërnguljen shqiptarëve. Në këtë veprim dallohej për së miri, me afrimin e tij me shumë familje shqiptare. Ndoshta ky fillim i natyrshëm i veprimtarisë atdhetare, në vazhdimësi të jetës Ademin do ta ndikojë në përcaktimin politik për Mbretërinë e Zogut, Legalitetin, për dallim nga NDSH-ja e mëvonshme, legaliteti ishte drejtim politik pro fashizmit gjerman, të cilin përkrahësit shqiptarë do ta konsiderojnë për çlirimtar të trojeve dhe popullit shqiptar në Kosovë.

Profesor në gjimnzin Sami Frashëri

Në prill 1941 kur Gjermania pushtoi Kosovën, Ademi ishte vetëm pak ditë para diplomimit në Universitetin e Zagrebit. Ai erdhi në Prishtinë mori ditarin në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë dhe postin e Drejtorit në fermën e frutikulturës, pemëtarisë në Fushë-Kosovë. Tash Ademi merrej gjallërisht  me politikë, siç njofton Vezire Gjiraku,  “Ademi spikaste në takimet e intelektualeve kosovarë dhe atyre nga Shqipëria”, Ademi organizoi një koktej për intelektualët shqiptarë, ku siç thotë Vezirja, në pranverën e 1943, për herë të parë u takova me Ademin, pas një bisede  u pa që mendimet e ndjenjat tona puqeshin. Ndihmoi fakti që unë vetë isha kosovare, u morëm vesh më lehtë”.

Luftëtar për mbrojtjen e Kosovës

Ademi patriot së bashku me bashkëshorten Veziren  me të cilën u martua  kah fundi i verës 1943, dasma e tyre u bë në hollin e gjimnazit “Sami Frashëri”,  bashkëshortët e rinj një vit më parë do të kryejnë celebrimin e martesës në shërbimet civile në Tiranë. Pastaj, dy bashkëshortët rrëmbyen edhe armët kundër pushtetit komunist sllav dhe me ardhjen e ushtrisë gjermane, ai bashkë me Shashivar Alinë, Ismail Goranin, Hizvi Sulejmanin, Ilaz Agushin, Abdyl Hencin e të tjerë, me rastin e ardhjes së forcave gjermane organizoi pritje madhështore në Prishtinë. Në këtë paraqitje të mirëpritjes së organizuar kishte edhe flamur kombëtar shqiptar me shtiza pa Sëpatën e Likorit. Këtë veprim imponues Ademi e bëri për të paralajmëruar çlirimtarët gjermanë, siç vlerësohej nga forcat e Legalitetit ardhja e ushtrisë gjermanëve në hapësirat kosovare, se këtu në Kosovë, gjermanët duhet të vendosin një pushtet shqiptar, edhe pse shumica shqiptare me  një rezervë e pranuan administratën e pushtuesit, i cili hapi shkolla në gjuhën shqipe, lejoi përdorimin e flamurit kombëtar edhe pse me dekor ideologjik fashist  dhe mundësoi qarkullimin e lirë në gjithë trojet etnike shqiptare. Kërkesë të ngjashme imponuese për vendosjen e pushtetit në Kosovë organizuan edhe serbët.

Kryetar i Rinisë Nacionaliste

Më 1943 Ademi organizoi dhe udhëhoqi Rininë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Kosovës nga forcat serbe dhe ushtria pretendente gllabëruese territoriale bullgare të ndihmuara edhe nga ushtria e kuqe ruse. Këtë kohë ai Organizoi Lidhjen e Dytë të Prizrenit,  të cilën Ademi e udhëhoqi dhe u zgjodh kryetar i Rinisë, në këtë Lidhje 1943, u arrit të formohet ushtria shqiptare nacionaliste prej 2000 pjesëmarrësish, ushtri e cila deri më 1944 mbuloi anë e kënd Kosovën dhe arriti të ketë 10.000 ushtarë aktivë. Pas pak ditësh kësaj ushtrie nacionaliste iu bashkuan Mulla Idriz Gjilani, Hysen Terpeza e Shashivar Alia dhe Shefqet Kapedani-Bylykbashi. Në këtë organizim ushtarak njëkohësisht u përfshinë Llap e Gollap e deri në Brezin Kufitar, ndërsa në Fushë-Kosovë ishin emëruar Qazim Sefë Llugaxhia dhe Ismail Gorani, organizim luftarak kishte edhe në zonën kufitare me Serbi e deri në Malet e Karadakut në kufi me Maqedoninë. Kurse në Malet e Sharrit vepronte Abdyl Durra i cili krijoi lidhje me Xhemë Gostivarin në Pollog. Luftimet kishin përfshirë malet e Gjilanit, pjesët lindore të Farizajit me Malet e Jezercit në perëndim e deri në Malet e Ceralevës. Në krahun tjetër komunistet formuan parti politike dhe luftuan kundër Ballit Kombëtar dhe fashizmit.

Zhvillimet tragjike në Kosovë 1944-1946

Ndërkaq pozicioni veprues ushtarak e politik i NDSH-ja praktikisht ishte në mes Ballit Kombëtar dhe Komunistëve. NDSH-ja nuk kishte përcaktim të prerë në mbështetjen e fashizmit, nuk synonte të hyjë në shërbim të fashizmit edhe pse pranonte se kjo rrymë politike e ushtarake solli shkollën shqipe, flamurin shqiptar dhe administratën shtetërore me pushtetarët shqiptarë. Në anën tjetër NDSH-ja për shkak të mbështetjes dhe përkrahjes bindëse në fashizmin gjerman nuk pajtohej me Ballin-Legalitetin, ashtu siç nuk pajtohej as me komunistet, për arsye se këta ishin në bashkëpunim me serbët dhe sllavizmin.

Për ndryshe lirshëm mund të thuhet, se NDSH-ja nuk kundërshtonte luftën për çlirimin e vendit as të komunistëve e as të Ballit Kombëtar për çlirimin e atdheut dhe shtetin sovran. Adem Gllavica kishte njohuri analitike se Balli Kombëtar ishte themeluar në Shqipërinë Jugore, atëherë kur pak ose fare nuk dihej për Kosovën dhe pozitën e rëndë robëruese të saj nën dhunën serbe. Kjo frymë patriotike e ndërtuar nga Mit-hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Ermenji, Skënder Muqo, Ismail Potera, Vasil Andoni e Luan Gashi me shokë, mori shtrirje thuaja në gjithë hapësirën shqiptare dhe arriti në Kosovë me vëndfillim, ku tjetër pos në Gjimnazin e posa hapur shqiptarë “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në Kosovë frymën e Ballit Kombëtar e kishin sjellur profesorët nga Shqipëria Vasil Andoni, Luan Gashi dhe nga këtu me përkrahjen edhe të Adem Gllavicës dhe profesorëve të tjerë të këtij gjimnazi në Prishtinë, kjo lëvizje atdhetare mori shtrirje në gjithë Kosovën, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ideologjia e Legalitetit ishte lakmuese për shqiptarët e Kosovës, sepse ajo ofronte mundësinë e shkëputjes dhe lirimit nga robëria serbe si dhe realizimin e aspiratës kombëtare për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm etnik shqiptar.

Ademi, këtij përcaktimi politik, do ti përmbahet edhe me arsyetimin e logjikshëm kombëtar. Sepse në këto rrethana u krijuan raporte konfliktesh, të cilat lehtë mund të vinte, siç edhe pati raste e dukuri, të vëllavrasjeve për shkaqe te përplasjeve mes grupimeve politike ndërshqiptare. Këtë më së miri e dëshmoi Lufta e Ferizajt, ku forcat partizane të Shqipërisë në bashkëveprim me forcat partizane Bullgare të Georgi Dimitrovit dhe ato çetnike serbe, tash me yllin komunist, nga të cilët pësuan edhe luftimet e Shaban Polluzhës dhe luftimet e organizuara nga Ademi me shokë edhe në Gjilan me rrethinë e vende të tjera në të tri zonat gjermane, italiane dhe bullgare siç ishte ndarë Kosova nga takimi i Romës.

Ademi kundër vëllavrasjes

Për të ikur nga vëllavrasjet mes shqiptare u organizua takimi në Cërnillë mes Adem Gllavicës e Luan Gashit nga Balli Kombëtar- Legaliteti, në të cilin për shkaqe të krijimit të rrethana të pasigurisë, Ademi e Luani  nuk do shkojnë në këtë takim, në këtë takim ata do ti zëvendësojë Hysen Terpeza, dhe Ali Shukrisë nga pala partizane. Ka mendime të pa argumentuara, se në këtë takim ishte edhe Shefqet Peçi. Ky takim në vend të marrëveshjes ka përfunduar siç thuhet me përplasje e kërcënime të ashpra mes Shefqet Peçit dhe Hysen Terpezës, sa ka ardhur deri në ngrehje të revolverëve. Ademi, siç do shohim edhe më vonë, për asnjë çmim nuk përcaktohet për vëllavrasje. Këtë ai e dëshmon edhe me një kontakt në Plitkoviq mes Ademit dhe Shaban Haxhisë, komandant i Brigadës së Shtatë Partizane në Plitkoviq. Ai dëshmon për veprim të natyrshëm e strategjik prej ushtaraku, kur sheh se forcat antifashiste të Ushtrisë Nacionalçlirimtare arrijnë nivelin e dominimit të lehtë mbi forcat rezistuese, për rrugëdalje planifikon tërheqjen. Fton bashkëluftëtarët të arsyetojnë që mos të hyjnë në konflikt që thellon vëllavrasjen, ky konflikt nuk do sillte as “Fitoren e Pirros” për shqiptarët, konflikt që e planifikonin dhe përfundimin e tij e prisnin forcat sllave partizane jashtë shqiptare. Këtë e dëshmoi edhe në rastet konkrete kur UNÇ në Kosovë të përziera edhe me luftëtarë të përkatësisë serbe e malaziase, të ndihmuara edhe nga njësitë e Ushtrisë Komuniste Ruse forcohet me ardhjen e njësive të UNÇ shqiptare. Ademi vendos të bëjë thirrje bashkëluftëtarëve që të largohen nga lufta e mëtejshme vëllavrasëse. Ata, që, sipas ligjeve ushtarake të UNÇ nuk mund të rëndohen për vepra të rënda, mund të kthehen në familjet e tyre, edhe pse ndoshta mund të pësojnë arrestime, dënime me burgim të rëndë. Por, Ademi porositë bashkëluftëtarët, ata që janë të bindur dhe kanë përcaktim, janë të pa luhatshëm kundërshtarë të sistemit komunist, të cilëve nuk kanë minimumin e besimit, të bashkohen njësive tona dhe të largohemi nga territoret e fushëbetejat aktuale të shkojmë drejtë Greqisë, meqë edhe qeveritarët komunistë në Shqipëri, pas Mukjes, për shkaqe të përcaktimeve politike, nuk mundësojnë vendosje apo strehim në trevat e Shqipërisë komuniste. Pasi që Ademi kishte përcaktim Zogist-legalist dhe njëkohësisht ishte edhe veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit e atdhetar i pakontestueshëm për çështjen kombëtare dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, realizimin e të cilës e mendonte jo në formën arbitrare, por sipas parimit të së drejtës për vetëvendosje dhe me plebishit të arsyeshëm të popullit.

Gjatë luftës 1941/45 kishte edhe prapësi e lëshime të rënda ndërshqiptare, ato bëheshin me qëllim, nga ndikimet apo kurdisjet ose nga pa përvoja e veprimit politik e ushtarak, apo ndoshta  të dyja së bashku për të cilat nuk mund të thuhen preras. Këto lëshime venerohen në rastin e formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit 16 shtator 1944, në të cilën nuk ftohen e nuk marrin pjesë përfaqësuesit nga Shqipëria, ashtu edhe me rastin e Mukjes 12 shkurt 1943 nuk marrin pjesë përkrahsit e kërkesave për veprim të përbashkët kombëtar e luftarak nga Kosova. Në asnjërën nga këto takime të rëndësisë kombëtare nuk përfshihen përfaqësuesit e gjitha trevave etnike shqiptare. Kjo ndoshta ishte pasojë, apo direktivë nga qendrat e jashtme të interesit, kur dihet se në gjithë hapësirën shqiptare, grupet politike e ushtarake, si Balli Kombëtar, LPLTSH,  e cila doli nga Lëvizja e Rezistencës Shqiptare Anti-Jugosllave, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja e Ballit Kombëtar dhe Lëvizja Demokratike dhe nga NDSH-ja, Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, Komiteti Nacional Demokratik KND. Të gjitha këto angazhime ishin për një unitet veprimi për krijimin e një realiteti të ri për çlirimin kombëtar dhe formimin e Shqipërisë etnike.

Përballeshin me  njësitë partizane këndej dhe andej Drini, të cilat po ashtu kishin një veprim të koordinuar për dëbimin e fashizmit nga trevat e shteteve dhe popujve të tyre, të cilat pas çlirimit, siç deklaroheshin qendrat e tyre, do të merren vesh për kufijtë shtetërore e kombëtar. Këtë e dëshmon edhe Mbledhja e Bujanit dhe pengimi i realizimit të vendimeve nga kjo mbledhje.

 Kjo ideologji lakmuese vazhdoi deri në Kongresin e Tretë në Blinajë (Lipovicë) 25 korrik 1946, ku u mor vendim për formimin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare /LLTSH/, e cila doli me bashkimin e Lëvizjes për Rezistencë Shqiptare Antijugosllave, Lëvizjes së Legalitetit, Lëvizjes së Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Demokratike dhe vazhdoi për shkaqe të Kuvendit të Prizrenit /8-10 korrik 1945/ kur Jugosllavët aneksuan Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit dhe hapësira tjera etnike shqiptare që i bashkëngjitën Serbisë federale, Malit të Zi dhe Maqedonisë. NDSH dhe LPLTSH-ja bënë Thirrje: “Populli shqiptarë nën Jugosllavi, mbi gjysma  që jeton në vise etnike kompaktësisht 85-100%, nuk pranon asnjë lidhje me Beogradin dhe dëshira jonë e vërtet është bashkimi me Shqipërinë, pa marr parasysh regjimin që do të jetë në atë, me ligje të njëjta dhe nën kushte morale e materiale të njëjta”

Martirët në rezistencën ndaj okupatorëve të rinj sllavo-komunistë

 Më 27 shtator 1945 u vu në ndjekje nga OZNA jugosllave, njësiti nën komandën e Adem Gllavicës,  nga kjo ditë Ajet Gurguri u nda në Lipovicë prej shtabit suprem të UPNDSH-së të Adem Gllavicës dhe kaloi në mbrojtje të Mulla Arif Shalës, kurse më 14 nëntor 1945 Ademi me një numër bashkëluftëtarësh largohet për në Greqi, nga do të vëzhgojë dhe do të veprojë për çështjen e Kosovës. Në pranverë të 1946, u formua shtabi i Adem Gllavicës në Greqi dhe u pagëzua Shtabi i Zonës së Parë. Shtabi i Zonës së Parë në Greqi me Adem Gllavicën në krye që ishte betuar në Flamurin kombëtar, Librin e shenjët dhe Armën se kanë me punuar e luftuar me besnikëri e vetësakrificë e çmim të jetës për kombin shqiptar dhe për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare të Shqipërisë etnike. Me direktivë të Zonës së Parë të Adem Gllavicës, u thirr Kongresi i NDSH në Blinaja, ish-Lipovicë, në të cilin do të marrin pjesë veprimtarë e komandantë të NDSH-s- dhe LPLTSH-së, Kongresin e III-të të NDSH-së e përgatiti Zona e Dytë, por ky organizim u zbulua nga OZNA e Spasoje Gjakoviqit që kishte rekrutuar bashkëpunëtorët e vet, nga të cilët ishte informuar për mbajtjen dhe qëllimet e Kongresit të III të LPLTSH-së, nga filloi veprimi likuidues, ai vrau Ymer Berishën por këtë vrasje e mbajti në mësheftësi. Nga OZNA më vonë do të vritet edhe Halim Orana.  OZNA arrestoi shumë anëtarët e NDSH dhe LPLTSH-së para se të fillonte Kongresi në Lipovicë i cili me mjeshtri ishte shpallur se do mbahet në Malet e Kosmaqit, dhe pa  pengesa të mëdha u mbajt në Lipovicë, më 25 korrik 1946.

Në kongres morën pjesë 20 delegatë NDSH dhe LPLTSH dhe 180 pjesëtarë të njësive Ushtrisë UNDSH dhe komandantët e tyre. Në kongres Gjon Serreqi hapi diskutimet për tërheqje nga Kosova për Greqi, siç rekomandohej nga Zona e Parë e Adem Gllavicës këtë e prononcuan disa nga pjesëmarrësit në Kongres. Kishte edhe kundërshtime kërcënuese ndaj Gjonit dhe Ajet Gurgurit: “Të gjitha ata, të cilët propozojnë që të shkohet për Greqi duhet të pushkatohen. Për shkak se këtu duhet të luftohet për liri të popullit”. Në kongresin e Lipovicës u formuan Katër zona ushtarake dhe u zgjodhën komandantët e tyre. Kongresi mbylli punimet me qëndrim se do luftohet deri në lirinë e vendit.

Ademi në mërgim

Pas largimit të Ademit në Greqi, tentimit për tu organizua në veprime ushtarake, madje edhe kundër sistemit komunist në Shqipëri, vetëm sa shprehnin pozicion kundërshtues dhe krijonin pozicione të rrezikimit të jetës së diversantëve, të cilët nga Shqipëria thuaja asnjëri nuk arrinte të nxjerr kokën e vet. Ademi nuk pranoi të angazhohet në veprime diversantësh në Shqipëri, ai me siguri nuk kishte ndërruar qëndrim ndaj komunistëve, por nuk dëshironte të hyjë në shërbim të huaj për sulme diversantë në shtetin dhe popullin e tij. Andaj, Ademi jo vetëm që i  këshilloi, por edhe i kundërshtoi bashkëluftëtarët e vet, që mos të rrezikojnë me veprime të tilla.  Kur, kuptuan se as veprimet diversante, që fatkeqësisht bëheshin vetëm në Shqipëri e jo edhe në sistemin komunist jugosllav, ku shqiptarët ishin dyfish të robëruar, në një anë ishin ndarë nga trojet etnike dhe shteti shqiptar, robërim i dytë se kishin mbetur nën sundimin dhe torturën fizike e shpirtërore sllave, nga i cili kërcënohej me mjete dhune dhe rrezikohej substanca biologjike e qenies shqiptare.

Sistemi titist kishte coptuar trojet etnike shqiptare me qëllim të mos mundësisë së organizimit për tu kundërvu ndaj sistemit komunist sllav. Adem Gllavica pasi kaloi disa kohë në Greqi, analizoi gjitha mundësitë e veprimeve patriotike e ushtarake, në asnjë kohë e rrethanë nuk shihte mundësi të veprimit konkret e fitimtar. Me keqardhje e zemër të plasur edhe fizikisht i largua nga afërsia e atdheut. Ky ishte shqetësim i tij shpirtërore i cili do ta përcjell këtë atdhetar e intelektual gjatë gjithë jetës edhe në Australinë e largët. Pas largimit nga Greqia Adem Gllavica vendoset në Australi, atje do ushtrojë profesionin e agronomit dhe bashkëpunëtorit shkencor profesional në një institut të hortikulturës (pemëtarie).

Ademi në lëmin e angazhimeve shkencore, ka pasur një pikëmbështetje që nga Universiteti i Zagrebit, ku pas diplomimit ju kishte ofruar edhe vazhdimi i punës shkencore profesionale, që të jetë mësimdhënës në këtë universitet. Pas shkuarje në Australi, ndoshta të vetmit, ose ndër të rrallët, Ademit i pranohet diploma universitare të cilën e  dëshmoi edhe me aftësi në punën shkencore. Ademi edhe në Australi dhe në emër të dijetarëve australianë pranohet në qarqet institucionale shkencore ndërkombëtare. Në tubime, tryeza e simpoziume profesionale në të cilat nuk janë të pakta e të rralla punimet shkencore në të cilat Ademi shtron teza dhe jep vlerësime të mbështetura shkencore për pemëtari.

            Nga ky pozicion Ademi mërgimtar ngelet vetëm vëzhgues i brengosur që përcillte me shqetësim ngjarjet dhe zhvillimet politike në atdheun e tij në Shqipëri, por me vëmendje e shqetësim ai ndiqte ngjarjet që zhvilloheshin në pjesën e popullit të robëruar në Kosovën e tij, sa te dashur, aq edhe të dhimbshme, Gjithë jetën me shqetësime përcillte ngjarjet edhe në trojet etnike shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Nuk ishin të rralla e të pakta shqetësimet për rrezikim të popullit dhe trojeve etnike shqiptare të cilat Ademin  patriot e luftëtar për të drejta kombëtare shqiptare dhe njeri të ndershëm e personalitet të njerëzishëm e brengosnin shumë. Andaj nuk janë të rralla as reagimet shqetësuese të këtij personaliteti të historisë sonë të re, të cilit politika komuniste ia ndalonte me ndëshkim publikimet e veprimtarisë së tij patriotike dhe krijimtarinë e tij intelektuale e shkencore. Ademi vazhdimisht mbante kontakte me shqiptarët e diasporës, ai përmes tyre njoftohej për gjitha ngjarjet politike, shoqërore e zhvillimet shkencore të nivelit shtetërore e  kombëtar. Edhe ngjarjet e 1990 në rrënimin e komunizmit në Shqipëri, por edhe lëvizjet e mëdha politike në Kosovë që nga 1968, 1981 e sidomos ato të 1989/90 e deri në finalizimin e tyre  në qershor të 1999. Adem Gllavica i përcillte jo vetëm me shpirt të trazuar  prej atdhetari, por edhe me kujdesin dhe përkushtimin analitik të ecurive të këtyre ngjarjeve në Kosovë e për Kosovën. Me këto shqetësime Ademi priti bashkëkombës të dëbuar nga dhuna e barbarisë serbe gjatë bombardimeve të NATO-së nga 24 mars e deri më 12 qershor 1999. Ngjarje që ndryshuan kahen e lëvizjes së fatit shqiptarë në Kosovë dhe i kthyen shpresë kombëtare atdhetarit e intelektualit demokrat Adem Gllavicës, i cili tash në gjendje të qetësuar shpirtërore, por i lodhur fizikisht, me sy të çelur për ta parë me sy të tij Kosovën e lirë dhe mallin e përvëlues për të shkelur me këmbë në tokën e saj të çliruar nga barbaria e dhunës serbe, tash  njëzetedy vjet më parë, Adem Gllavica kaloi në përjetësim, më 4 shkurt 2001 në Australinë e largët, me të vetmen brengë e mall që ti pushojë sytë e  venitur të luftëtarit mërgimtar e atdhetarit të flakët, arsimdashësit, shkencëtarit e patriotit të përkushtuar, e të shkel me këmbën e lodhur prej rrugëtari të lirisë në tokën e djegur të takohet me shqiptarët e ndjekur  të Kosovës  së tij të dashur. Edhe pse ngeli mangut synimi i Tij për realizimin e plotë  të Kosovës s՚lirë, dhe, siç ishte paraparë, bashkimin e saj me trojet shqiptare, Kosovës me Shqipërinë e Qamerinë, si dhe viset të tjera shqiptare që ishin riokupuar nga ish-Jugoaslavia komunsit, Ilirida,Ulqini e Tivari me Krajë, Hot e Grudë dhe hapësira të tjera shqiptare,të cilat edhe sot  janë jashtë shtetit shqiptar.Adem Gllavica, nuk arriti të përmbush deshirën jetësore që, në fund të jetës ta shuajë mallin, e t’i pushojë, jo vetëm eshtrat në tokën e dashur të Kosovës martire, por edhe ti ndal shqetësimet shpirtërore dhe të shkojë në përjetësim, me   përmbyljen  epopesë atdhetare jetësore të tij,  duke  pushuar në vendin e Tij, “ku balta është më e ëmbël se mjalta”.