DIBRANËT E AMERIKËS THONË: “YES DIBRA, NO SKAVICA”

Bisedë nga larg me Agron Damzin, flamurtar në mbrojtjen e Dibrës nga hurdha e Skavicës

Pa llogaritur dëmet e Fushës së Katundit të Ri që krahasohet me Fushën e Myzeqesë për nga prodhimet, ajo pëson një shpërfytyrim të Natyrës, Faunës, dhe gjithçka mbulon, por ajo që na shqetëson më shumë është historia e të parëve tanë, luftërat që ata kanë zhvilluar për mbrojtjen e Dibrës dhe trojeve tona, dhe ajo që nuk “përtypet” fare janë mbytja e varreve të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.

Është një komunitet dibranësh në anën tjetër të Atlantikut: Agron Damzi, Ferzileta Gjika, Jurgen Vladi, Marjana Bulku… që ngritën zërin në Manhatan të New Yorkut dhe thanë: “YES DIBRA! NO SKAVICA !”

Dhe jo vetëm atje por edhe në një udhëtim luginës së Drinit të Zi nga Gjorica në Reç.

Që vazhdojnë të ngrenë në këmbë opinionin publik për tu hedhë në betejë për të mbrojtur Dibrën nga vendimi ogurzi i qeverisë Rama e cila donë të mbysë Dibrën që të shpëtojë nga përmbytja Shkodra.

Do ti tërheqim të gjithë në bisedë…

E fillojmë me Agron Damzin…

Po kush është Agron Damzi?

… Fati e deshi që vendlindja ime të jetë Katundi i Ri i Luznisë. Edhe pse prindërit e mi jetonin e punonin në Peshkopi, unë linda në trojet stërgjyshore. Dëshira e gjyshit tim Ismail Damzi ishte që fëmija i parë i djalit të madh Kurtit (babai im) të linde në fshat.

Në Katund të Ri linda, në trojet e lashta të fisit Damzi, i njohur për kulturë e trimëri.

Kjo më bëri të isha shumë i lidhur me vendlindjen! Ditët e fundit të shkollës së atyre viteve, që ishte muaji qershor, mezi i prisja të mbaronin sepse e gjithë vera do kalonte në brigjet e Drinit, kacupat e Cekës (gurrëzat), Shenja e Drinit, Kullotat natën jashtë me kuaj, gjuetia e troftës, krapit, mustakut dhe ngjalës, mbledhja e kallëzave të grurit, lojërave të ndryshme rreth Drinit si mundje, shtregë, kala dibrançe, forca e krahut, shkop e cingël, dokërr, futboll e shumë të tjera që fatkeqësisht disa prej tyre janë drejtë zhdukjes..!

Diplomimi im në Fakultetin Histori Filologji në Tiranë, dega Gjeografi, më rizgjoi fëmijërinë duke përshtatur Luginën e Drinit me të cilin isha rritur me shkencën e Gjeografisë, Gjeomorfologjisë, Natyrën, Faunën e shumë të tjera rreth arkeologjisë në mënyrë profesionale.

Çfarë humbet Katundi i Ri i Luznisë nga mbytja pasojë e ndërtimit HEC të Skavicës?

Pa llogaritur dëmet e Fushës së Katundit të Ri që krahasohet me Fushën e Myzeqesë për nga prodhimet, ajo pëson një shpërfytyrim të Natyrës, Faunës, dhe gjithçka mbulon, por ajo që na shqetëson më shumë është historia e të parëve tanë, luftërat që ata kanë zhvilluar për mbrojtjen e Dibrës dhe trojeve tona, dhe ajo që nuk “përtypet” fare janë mbytja e varreve të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Një zbërthim më të gjerë dhe profesional ka dhënë Emrie Skuka në librin e saj Honoret e Luznisë, profesor Adem Bunguri, Munir Hoxha, Vesel Hoxha e shumë historianë dhe gjeografë dibranë e më gjerë.

Ishit për disa ditë në Dibër. Si e pe organizimin e dibranëve për t’i thënë JO Skavicës.

Lidhjen time me Dibrën luznakët dhe dibranët e dinë shumë mirë. Fëmijëria dhe adoleshenca ime ka qenë shumë aktive si në shoqëri ashtu edhe në komunitet. Ardhja ime në USA nuk më ka penguar të jem pranë tyre duke e bërë të mundur që të paktën dy herë në vit të vizitoj Dibrën duke parë dhe dëgjuar hallet dhe problemet nga afër.

Për sa i përket Skavicës, mbeta i mahnitur nga pritja dhe takimet që kisha, sepse protesta e diasporës para zyrave të OKB në Manhattan u kishte dhënë shumë zemër dhe në njëfarë mënyre i kishte zgjuar nga gjumi dhe ndrojtja që ingranazhe të ndryshme politike – qeveritare kishin ushtruar dhunë dhe presion për heshtjen e problemit. Takimet e mia në disa fshatra kryesore ishin mbresëlënëse dhe optimale sa që tregoi se në Dibër ka akoma djem e burra që i dalin zot. E bukura dhe e veçanta ishte se në çdo bisedë apo takim kryefjala dhe KAUZA jonë ishte mbrojtja e DRINIT! Kjo na e lehtësonte takimin me pjesëmarrësit sepse ishte apolitike dhe komunikimi ishte perfekt dhe pa ndikimin e asnjë force politike, pra kishim të majtë, të djathtë, të qendrës e të tjerë, gjë e cila na përqendronte në KAUZËN tonë PO Dibrës, JO Skavicës! Personalisht u jam shumë mirënjohës dhe optimist që të bashkuar do ia dalim deri në anulim të plotë.

Me bordin e dibranëve të diasporës kryesisht të New Yorkut, vendosëm që vizitat të ishin në dy etapa. Siç fola më lart vizita e parë ishte e imja, dhe në  etapën e dytë ishte Ferzileta Gjika, Jurgen Vladi dhe Stivi Vladi.

Vizitat filluan në Peshkopi, Maqellarë, Podgorc, Gjoricë, Shupenzë, Kastriot, Kishavec, dhe Dibër të Madhe, gjithmonë i shoqëruar nga kryetari i shoqatës së mbrojtjes së Drinit z. Nazmi Drizi, kryetari për mbrojtjen e historisë z. Haki Përnezha, anëtarë dhe vullnetarë si Mirjan Kaloshi, Destan Lleshi, Sulejman Bitri, Tofik Kurti, Eduart Shahu, Demir Colja, Ali Damzi, Shaban Beqa e të tjerë…

Për sa i përket grupit tjetër në etapën e dytë pas kthimit tim në USA,  di të them që kanë patur shumë takime pak a shumë me të njëjtët vullnetarë, por ajo që ishte më kryesorja ka qenë me presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, dhe protokollimi i peticionit në sekretarin e Ministrisë Infrastrukturës dhe Energjetikes znj. Belinda Balluku!

Cili është mendimi jot për mbrojtjen e Dibrës dhe sa i fortë do jetë zëri i dibrano – amerikanëve për ti dal zot asaj?

Avantazh është se për çdo hap që hedhim në mbrojtjen e Dibrës, mblidhemi dhe kuvendojmë pothuajse çdo javë ose dy herë në muaj, pa llogarit bisedat me telefon gjatë ditëve në vazhdim…Jemi shumë dibranë duke përfshirë dhe Dibrën e Madhe, e  kjo na jep zemër dhe na bën shumë optimistë për KAUZËN tonë. Zëri i Beqir Sinës, Marjana Zeneli Bulku, Ilir Bulku, Arif Mata, Ilir Spata, Dashamir Miftari, Belul Qoku, Blendi Bekteshi, Ardi Ruçi, Ismail Kazani, Arjan Kulejmani, Blerdi Hoxha, Ering Poliçi, Korab Stafa, Alfred Tollja, pa harruar presidentin e shoqatës Albania Roots ose Rrënjët Shqiptare z. Marko Kepi! Pas protestës në Manhattan dhe ajo e Peshkopisë, zërat shtohen dita – ditës. Kjo ndërthuret në bashkëpunim me shoqata ndërkombëtare këtu në USA, Kanada, Gjermani, Austri, Itali, në Europë e më gjerë që po i mbështeten Kauzës sonë! Këto ditë kemi hedhur peticionin në internet dhe në rrjetet sociale duke pretenduar se shumë shpejt të mbledhim firmat e nevojshme për ta dërguar sa më shpejt në Parlamentin dhe Qeverinë shqiptare për ta anuluar njëherë e mirë projektin e Skavicës, pa harruar protestat demokratike të banorëve atje nga Gjorica deri në Zall Dardhë. KAUZA jonë tashmë është rritur dhe çdo dibran pa asnjë ngjyrë politike e mbështet duke mbrojtur traditën dhe të drejtat e tyre!

Faleminderit!

Abdurahim Ashiku