Me rastin e 175 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit dhe 155 vjetorit të lindjes dhe 103 vjetorit të rënjes së Isa Boletinit
Nga Sadik Elshani
Viti që sapo kaloi, viti 2018 ,ishte shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse u shënua 550 vjetori i ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtardhe 575 vjetori i kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë u organizuan mjaft manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj.
Edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari dinjitoze ku u paraqiten disa kumtesa serioze, shoqëruar pastaj me një program artistik dhe koktejin tradicional me pije e ushqime të kuzhinës shqiptare. Shoqata jonë u kushton një rëndësi të madhe figurave të ndritura të kombit tonë, sepse jetëshkrimi i tyre është edhe jetëshkrimi i kombit tonë. Dhe ja, sapo hyri viti i ri, 2019, një veprimtari e tillë u organizua ditën e shtunë më 2 shkurt në mjediset e shoqatës sonë për te përkujtuar nepunesin dhe deputetin e Perandorisë Osmane, veprimtarin e çështjes kombëtare, themeluesin e shtetit shqiptar,
Salla e madhe në godinën e shoqatës “Bijtë e Shqipes” ishte zbukuruar posaçërisht për këtë veprimtari, me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, me një tablo nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku spikasin këta dy burra si dy shqiponja, ndërsa në sfond qëndron busti i Ismail Qemalit dhe kuptohet, në mes qëndron Flamuri Kuq e Zi. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Bujar Gjoka, i cili u dëshiroi mirëseardhjen bashkatdhetarëv dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen. Pastaj ai theksoi rëndësinë e kësaj veprimtarie dhe rëndësinë e këtyre dy figurave madhore të kombit tonë. Për këtë veprimtari ishin përgatitur dy kumtesa cilësore, z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, kishte përgatitur kumtesën për Ismail Qemalin, me titull: “Ismail Qemali, burri që ngriti Flamurin e Skenderbeut, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe hodhi themelet e shtetit shqiptar”, ndërsa z. Llazar Vero kishte përgatitur kumtesën për Isa Boletinin, titulluar: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”.
Që në fillim të fjalës së tij z. Elshani vuri në pah se, muaji i ftohtë i janarit i lindi burra të mëdhenj kombit tonë: Ismail Qemalin (16 janar, 1844), Isa Boletinin (15 janar, 1864), Fan Nolin (6 janar, 1882), Ismail Kadarenë (28 janar, 1936) e ndonjë tjetër. Poashtu, ky muaj i ftohtë i mori në amshim disa burra të mëdhenj të kombit tonë: Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeun (17 janar, 1468), Isa Boletinin (23 janar, 1916), Ismail Qemalin (24 janar, 1919), Ernest Koliqin (15 janar, 1975), Ibrahim Rugoven (21 janar, 2006) e ndonjë tjetër. Ishte ky një rast i përshtatshëm për t’i nderuar edhe këto figura të lartpërmendura. Pastaj ai u përqëndrua te figura e Ismail Qemalit, burrit, plakut të urtë, Babait të Kombit tonë, që më 28 nëntor të vitit 1912, pas një robërie pesëshekullore, e ngriti në Vlorë Flamurin e Skenderbeut, dhe në prani të përfaqësuesve të të gjitha trojeve shqiptare shpalli pavarësinë e Shqipërisë, hodhi themelet e shtetit shqiptar dhe përmbushi ëndrrën shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi dhe vazhdoi: “Ismail Qemali është një figurë qendrore e lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësi, një figurë që rrezaton pjekurinë, urtësinë, por edhe guximin, burrërinë e një njeriu të rryem, që në një fazë mjaft kritike për popullin tonë arriti që t’i printe popullit dhe t’i drejtonte fatet e tij drejt një fitoreje përfundimtare. Përvoja e tij e gjatë në administratën Otomane, studimet dhe udhëtimet e tij në botën përendimore, njohja e mirë e historisë dhe pozitës së popullit të tij e kishin përgatitur mirë për rolin që do të merrte në drejtimin e përpjekjeve kombëtare për të hequr qafe një herë e përgjithmonë zgjedhën Otomane. Këtë mund ta bënte vetëm një burrë si Ismail Qemali, sepse ai ishte shtetar, kishte një përvojë të mirë në administrimin e disa rajoneve të Perandorisë Otomane, diplomat i rryem, ishte i vetëdijshëm për përgjegjësitë që lidhen me ndërtimin dhe udhëheqjen e një shteti. Të tjerët intelektualë shqiptarë nuk e kishin një përvojë të tillë, ishin figura të ndritura, idealistë, por pa një përvojë konkrete administrative e shtetndërtuese”.
Pastaj ai bëri një vështrim të shkurtër për jetën e Ismail Qemalit që nga lindja e tij në një familje fisnike e tdhetare; shkollimi në gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës (1855 – 1859); vajtjen e tij në Stamboll më 1860, punën e tij në Zyrën e Përkthimeve të Ministrisë së Jashtme; studimet për drejtësi dhe postet e shumta në Perandorinë Otomane: ndihmës drejtor i çështjeve politike në vilajetin e Janinës, ndihmës i valiut të Danubit, vali i Varnës, Bejrutit, Gjiritit,Tripolit, sekretar privat i ministrit të Drejtësisë, Mid’hat Pasha (1873 – 1876), kryetar i Komisionit Europian të Danubit (si delegat Osman) e shumë poste të tjera. Ishte një nëpunës i zoti dhe mjaft i vlerësuar i Perandorisë Otomane.Në vitin 1900 Ismail Qemali arratiset nga Perandoria, sepse ai kishte dyshime se diçka e keqe do t’i ndodhte. Në fillim shkon në Athinë ku takohet me politikanët arbërorë dhe më pas kaloi në Napoli, Romë, Llozanë, Paris. Pasi u mor vesh me Faik Konicën, u vendos në Bruksel dhe mori drejtimin e gazetës së njohur, “Albania” dhe më vonë me ftesën e kolonisë shqiptare shkon në Kajro. Pastaj z. Sadik foli për kthimin e Ismail Qemalit në Stamboll më 1908, pas revolucionit xhonturk dhe angazhimin e tij për cështjen kombëtare si deputet i parlamentit turk, nga Berati, udhëtimet e tij nëpër Europë për të siguruar përkrahjen e vendeve europiane për pavarësinë e Shqipërisë, nënshkrimin e “Memorandumit të Gërces” ku kërkohej një vilajet shqiptar brënda Perandorisë Otomane dhe më në fund kthimin e tij në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912.
Ismail Qemali ishte nënshkruesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë dhe u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ushtroi edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Formoi një qeveri me burra atdhetaëë, qëgëzonin autoritet në popull. Sipas mendimit tim, kjo qeveri edhe në ato kushte të vështira, mbetet si qeveria më kompetente dhe më kombëtare që shteti shqiptar ka patur ndonjëherë. Edhe në ato kushte të vështira u miratuan ligje, u bën përpjekje për ngritjen e administratës, zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës, etj. Vetë Ismail Qemali u angazhua që trojet shqiptare të mos coptoheshin, formoi një delegacion dhe vetë mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Të tjerat i ka thënë historia. Në këtë pozitë Ismail Qemali qëndroi gjer më 22 janar të vitit 1914 kur iu kërkua dorëheqja nga Komisioni Ndërkombëtar.Ai u largua nga Shqipëria dhe shkon ne Nicë ku e kishte familjen. Por, ai kurrë nuk u tërhoq nga skena politike shqiptare. Në maj të vitit 1914 kthehet në Shqipëri dhe në qershor takohet edhe me princ Vidin. Në vitet në vazhdim bën udhëtime të shumta në Itali, Francë, Spanjë – gjithmonë duke punuar për Shqipërinë, për ta mbrojtur e stabilizuar shtetin shqiptar. Në një nga këto udhëtime kur po qëndronte në Peruxhia të Italisë, duke mbajtur një konferencë për shtyp ai sëmuret dhe vdes më 24 janar të vitit 1924. Siç duket, nga helmimi.
Zoti Elshani e përfundoi fjalën e tij duke i bërë këtë vlerësim figurës së Ismail Qemalit: “Edhe Ismail Qemali si shumica e figurave të rendesishme nuk ka qenë i përjashtuar nga ndonjë rast kundërthënës (kontravers) në jetën e tij. Edhe pse u angazhua pak vonë në lëvizjen kombëtare, ndihmesa e tij është madhështore.U angazhua në njëren nga periudhat më kritike të historisë sonë, që u kurorëzua me formimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ismail Qemali, intelektual e shtetar i rrallë, është një figurq e rëndësishme, nga më të rëndësishmet, e historisë sonë kombëtare. Kur dëgjojmë emrin Ismail Qemal, mendja menjëherë na shkon te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i shtetit shqiptar. Në historinë tonë të lavdishme shumëshekullore ka mjaft episode, ngjarje të rëndësishme, por shpallja e shtetit të pavarur është kulmi i të gjitha përpjekjeve, të gjitha të arriturave. Për këtë akt madhor meritat nuk i takojnë vetëm Ismail Qemalit, por ai ishte më i merituari. Ai ishte një burrë që perveç karakteristikave fizike burrërore, ishte edhe njeri me pervojë, njeri i mencur, i urtë që kishte aftësinë, autoritetin për t’i bashkuar njerëzit, që nuk ishte aq lehtë në atë kohë dhe në çdo kohë tjetër. Ishte figura, portreti i tij me atë mjekrën e bardhë si në tregimet e moçme shqiptare, që rrezatonte ato vlera të larta njerëzore e kombëtare të popullit shqiptar, që ngjallte respektin te njerëzit. Portrei fizik e shpirtëror i Ismail Qemalit ishte portreti i një Shqipërie të madherishme, dinjitoze, serioze e të respektuar, “Zonjë e Rëndë”, siç e ka quajtur Shqipërinë një burrë tjetër i madh i kombit tonë, Vaso Pasha. Edhe sot, të gjithë shqiptarët, sidomos politikanët tanë duhet të mësojneënga jeta dhe vepra e pavdekshme e Ismail Qemalit. Viti 2019 duhet të shpallet “Viti i Ismail Qemalit” dhe të gjithë duhet të reflektojmë e të punojmë për të ndërtuar një Shqipëri, një shtet shqiptar ashtu siç e meriton populli ynë i shumëvuajtur”.
Në vazhdim zoti Llazar Vero paraqiti kumtesën kushtuar jetës dhe veprës së Isa Boletinit me mjë titull mjaft kuptimplot që mishëron karakterin, qëllimin e jetës së këtij burri të rrallë të kombit tonë: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”. Pastaj z. Vero e analizoi më thellë këtë thënie mjaft domethënëse: “Kjo është një thënie lapidare e heroit tonë kombëtar, Isa Boletinit. Në të është njeriu i qytetëruar, luftëtari, atdhetari. Ai ishte edhe një strateg ushtarak i talentuar, largpamës që besonte ndershmërisht në marrëdhëniet paqësore të ndershme dhe të qëndrueshme midis popujve. Ai kishte besim në idealin e tij kombëtar dhe luftoi me mish dhe me shpirt që Kosova të mbetej e pandarë nga Shqipëria”. Për të pranishmit z. Vero bëri edhe një paraqitje të shkurtër për jetëshkrimin e Isa Boletinit që nga lindja e tij më 15 janar të vitit 1864 në një familje luftëtarësh atdhetarë, pjesëmarrjen e tij në Lidhjen e Prizrenit, betejat e për mbrojtjen e Lidhjes, siç ishin betejat e Slivovës dhe të Grykës së Carralevës. Më vonë do ta shohim si komandant (nëntor, 1908), duke luftuar me trimat e tij kundër 7000 ushtarëve osmanë. Më 1909 ishte përsëri në krye të forcave shqiptare në kryengritjet e Prishtinës e Prizrenit e shumë beteja të tjera. Më 1912 u caktua komandant içetave kryengritëse shqiptare që luftonin për çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare e më vonë pavarësinë e Shqipërisë. Me trimat e tij arrin në Vlorë pak me vonesë nga Shpallja e Pavarësisë, por ata luftëtarë nën komandën e tij u bën garda e parë, ushtria e parë e Shqipërisë që deri diku e stabilizoi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe në tërë Shqipërinë e Jugut. Një vëmendje të posacme z. Vero i kushtoi edhe rolit të Isa Boletinit në organizimin e Kuvendit tradicional te Verrat e Llukës më 17 prill 1910, ku krerët shqiptarë nga të gjitha trevat e Kosovës ishin mbledhur për t’i falur gjaqet në mes shqiptarëve dhe për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët e jo njëri – tjetrin. “Gjak borxh na ka vetëm anmiku ynë. Na jemi vllazën e duhet me u bashkue dhe me dekë për liri të vatanit. Ai që mbas sodit ngre pushkë ndër veti ka m’u kanë bash hasmi ynë” – ishin këto fjalët e Isa Boletinit në këtë kuvend që ka zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht në të njejtin vend, 80 vite më vonë, nën udhëheqjen e profesor Anton Çettës, akademik Mark Krasniqit, profesor Zekeria Canës e shumë veprimtarëve të tjerë të çështjes kombetare, shqiptarët u mblodhën përsëri për t’i falur gjaqet e për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët – regjimin barbar të Sllobodan Millosheviqit.
Isa Boletini ishte kudo që kërkohej për të luftuar për Shqipëri. Edhe kur në Shqipëri u vendos Princ Vidi më 1914, ai vihet në shërbim të kësaj qeverie së bashku me trimat e tij. Përpjekjet e tij për të mirën e Shqipërisë nuk u ndalen kurrë derisa më 23 janar të vitit 1916 u vra në pabesi në një pritë te ura e Ribnicës afër Podgoricës. Është e ngrirë në historinë tonë pjesëmarrja e tij në delegacionin shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Një përshtypje të jashtëzakonshme u ka lënë të gjithëvë Isa Boletini me pamjen e tij burrërore, veshjen e bukur kombëtare, por edhe me qëndrimet e tij për të mbrojtur tokën shqiptare. “Unë hyra në një dhomë të madhe katrore ku gjeta Isa Boletinin, me trup shumë të gjatë, të zhdërvjelltë, një shqiptar të vërtetë, shqiponjë, me sy të lëvizshëm dhe me fytyrë të bukur dhe të ashpër” – është shprehur diplomati anglez, Aubrey Herbert. Nuk e kanë quajtur kot” Gjenerali me plis të bardhë”. Pastaj është edhe ajo ndodhia kur anglezët mendojnë se e kanë çarmatosur gjeneralin, por ai ua tregon revolen tjetër që e kishte mbajtur fshehur – gjeneralin tonë askush nuk ka mundur ta çarmatoste. Në fund z. Llazar foli edhe për varrimin e eshtrave të Isa Boletinit pas 99 vjetësh në oborrin e kullës së tij në Boletin, kështu duke përmbushur amanetin e tij, por: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mbetet pengu i tij dhe i yni dhe i çdo shqiptari të ndershëm” – e përfundoi fjalën e tij z. Llazar Vero.
Veprimtaria vazhdoi pastaj me paraqitjen e disa videove për Ismail Qemalin e Isa Boletinin: Pjesa e fundit e filmit “Nëntori i dytë – skena e shpalljes së pavarësisë dhe ardhja e Isa Boletinit me trimat e tij në Vlorë; një dokumentar për varrimin dhe rivarrimin e Ismail Qemalit dhe në fund kënga kushtuar Ismail Qemalit: “Cili je ti more burrë”, kënduar nga grupi i njohur i Kaninës. Sipas traditës së shoqatës sonë, në fund u shtrua kokteji: “Bukë e kripë e zemër”, me pije e ushqime të llojllojshme. Edhe gjatë koktejit vazhduan bisedat në mes bashkatdhetarëve për këta dy burra të mëdhenj të kombit tonë, duke shprehur respektin e adhurimin për jetën dhe veprën e tyre në shërbim të kombit e atdheut.
Të paharruar qofshin Ismail Qemali, Isa Boletini dhe të gjithë ata/ato që luftuan për lirinë e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare!
Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane