NË WASHINGTON ISHTE NJË DITË E MADHE PËR KOSOVËN

Harry Bajraktari

Në Washington mbrëmë ishte një ditë e madhe dhe e paharruar për Kosovën dhe shqiptarët. Në një atmosferë madhështore, ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku, organizoi pritje në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, të State Departament-it, Kongresit, Senatit, Pentagonit dhe personalitete të tjera të politikës e kulturës amerikane.

Nga Kosova ishin Presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministëri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, Ministri i diasporës, Dardan Gashi, Pandeli Majko, ministër i diasporës së Shqipërisë, Besim Beçaj, ministër i inovacioneve të Kosovës, si dhe deputetët e Kuvendit: Blerta Deliu Kodra dhe Armend Zemaj.

Në këtë ceremoni me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, foli Këshilltari i Presidentit Tramp për siguri Kombëtare, gjenerali McMaster, i cili tha se Presidenti amerikan është krenar me Kosovën. Ai theksoi se SHBA do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në avancimin e demokracisë dhe ruajtjen e vlerave të lirisë dhe pavarësisë së këtij shteit të ri në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi me ju dhe me Kosovën”, tha këshilltari i sigurisë Kombëtare, gjenerali McMaster.

Në këtë ceremoni ishte edhe kongresmeni Eliot Engel, mik i pandashëm i shqiptarëve si dhe miq të tjerë amerikanë.

Nga shqiptaro-amerikanët morën pjesë Lisa Milicaj, Harry Bajraktari, Elez Biberaj, Rrustem Geci, vëllezërit Ylli dhe Ylber Bajraktari, Nazar Mehmeti nga Dallasi e shumë të tjerë.

Washington, 2018.