Plehrat që vijnë me portalet janë pjesë e lirisë së panegociueshme të fjalës

Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu (fotografia eshte punim i portalit 27.al)

Hapësira e komunikimit publik të shqiptarëve është ndyrë me portale, të nisura e të lëna, që shfaqen, bëjnë bujë, marrin disa qindra apo mijëra klikime e pastaj harrohen, për t’u zëvendësuar nga të tjera.
Teknologjia po e bën hyrjen në tregun e medias kaq të lirë e të lehtë, sa që çdo kush sot mund të ketë mediumin e vet.
E gërshetuar kjo me maninë tonë shqiptare për të qenë të gjithë gjeneralë askush ushtar, portalet po përhapen si kërpudhat pas shiut. Shtoji këtu edhe interesat për të shtyrë ide e pikëpamje të ndryshme, plane politike e biznesi, kauza komunitare e personale, e merr si rezultat gjendjen e sotme.
Në epokën e lajmeve të rreme portalet janë në krye të detyrës. Njerëzit do të trokasin mbi çdo lidhëz interneti me një titull që ua konfirmon pikëpamjet. Suksesi i shqiptarëve në botë, poshtërsia dhe dinakëria e fqinjëve, maskarallëku i politikanëve që urrejmë, obsesioni seksual i radhës, alarmizmi për produktet, me të cilat ushqehemi, ato që mbase na bëjnë dëme fatale apo na shërojnë nga e pashërueshmja.
Njerëzit godasin me mouse apo me gisht mbi ekrane, në morinë e portaleve që lypin vëmendjen e tyre gjithnjë e më shumë afatshkurtër.
Në këtë diahrre lirie, viktimë është sigurisht autori serioz. po edhe lexuesi serioz. I pari, e ka gjithnjë e më vështirë të gjendet e të besohet e aq më pak të mbijetojë financiarisht. I dyti, e ka gati të pamundur të mos hutohet e të përmbytet nga moria e kotësive të botuara. I duhet të luftojë me algoritma që marrin përsipër t’i nxjerrin përpara vetëm tema që ia kanë llogaritur si të kërkuara prej tij, të luftojë me miqtë e të afërmit në rrjetet sociale dhe mediokritet që i sugjerojnë, e në fund të gjejë se ku i shkuan autorët që besonte e që gjithnjë e më pak i mbijetojnë rrëmujës.
Shpresa vdes e fundit kështu që besoj se do të ketë një moment ku vrapi teknologjik e kaosi i shpërndarjes së informacionit do të risistemohen përsëri në mënyrë të qendrushme. Po deri atëhere në këtë botë gjithnjë e më shumë në ndryshim do të vazhdojmë të presim për pasojat.
Ata që mund të bëjnë diçka janë sigurisht politikanët dhe e vetmja asye që nxiten është se me portalet që nuk pushojnë së mbiri parreshtur si bar i keq, ata nuk e mbajnë dot nën kontroll lirinë e fjalës. Dikur ishte kollaj. Kishe nën zotërim televizionin shtetëror dhe puna mbaronte aty. Pastaj u ndërlikua pak, me disa gazeta e televizione private. Po tani macja ka dalë nga thesi, e politikanët si kryeministri Edi Rama, nuk di nga të ruhen më parë. Disa e kanë ndarë mendjen, madje besojnë se mbingopja me akuza, denoncime e zbulime do të sjellin që në fund askush nuk do të besojë më asgjë. Këta kanë të drejtë. E kanë gjetur më mirë zgjidhjen sesa plani donkishotesk i Ramës për të penguar me ligj portalet.
Mes morisë së portaleve abuzuese të të vërtetës dhe moralit njerëzor, ka plot që frymëzohen nga dëshira për të prodhuar materiale me vlera të mëdha kulturore e historike. Ka portale që sfidojnë në mënyrë të sinqertë monopolin e klasës politike mbi mjetet e komunikimit masiv. Politika nuk do të mund t’i blejë dot kurrë të gjithë ata që prodhojnë informacion në internet. Kjo përmasë lirie ka vlerat e saj të mëdha historike dhe nuk mund të hidhet poshtë vetëm nga frustrimi i politikanëve të sharë.
Koha, megjithatë do ta tregojë nëse çmimi që paguajmë si shoqëri me ortekun e portaleve do t’ia vlejë asaj që po fitojmë nga liria. Parimet janë ato që na mbajnë ndërkohë që të mos u dorëzohemi rezultateve afatshkurtra.
Duke qenë se kam qenë rregullisht pjesë e medias serioze dhe tradicionale, nuk ka asgjë tjetër përveçse urrejtje dhe përçmim në zemrën time për botën e çakërdisur të portaleve dhe të gjitha keqkuptimet e mashtrimet mendjeshkurtra që vijnë me to.
Po, nuk është e vështirë të kuptohet se kufizimi i lirisë për të abuzuar me fjalën e lirë dhe mundësisë për t’u shprehur mund të jetë shumë më e rrezikshme se ekzistenca e këtyre portaleve. Zgjidhja nuk duhet të jetë kufizimi i lirisë, po edukimi i popullsisë.
Edhe media tradicionale ka qenë po kaq e paturpshme, e papërgjegjshme dhe mendjeshkurtër sa bota e portaleve të sotëm. Me kalimin e kohës njerëzimi u mësua të përzgjedhë, botuesit panë interesin e punës me qëllime afatgjatë.
Jo vetëm fjala e lirë dhe e vërteta, po çdo gjë sot është në rrezik prej fjalës së pakontrolluar. Demokracia është në provim, paqja dhe siguria në botë, dinjiteti ynë individual po ashtu.
Në kohën tonë, Mato Gruda nuk do të rrëmbente një top për të larë hesapet. Do të niste një portal.
Po është detyra jonë që t’i rezistojmë impulsit për t’u hakmarrë duke kufizuar lirinë e njerëzve për t’u shprehur. Historia tregon se kufizimi vetëm sa sjell mënyra më të sofistikuara për t’u shprehur. Masat rregulluese sigurisht nuk mund të vijnë nga kryepolitikanë e sidomos jo nga ata që kanë grumbulluar pushtet, si për shembull Edi Rama në kohën tonë. Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me çfarë mendojmë për Ramën apo për politikanët si ai, sesa me parimin se problem kaq madhore në shoqëri kërkojnë një bashkëpunim shumë më të gjerë përtej politikës. Sepse, problemet me portale shkojnë sigurisht përtej politikës dhe na ndikojnë të gjithëve.
Nëse arrin të gjejë vetëpërmbajtje dikush si unë, të cilit prej shumë vitesh ia përdhosin të drejtën e pronës intelektuale duke ia vjedhur e ribotuar pa leje mijëra shkrime, duke ia kërcënuar seriozisht mbijetesën financiare, besoj se mund të gjejnë guxim edhe të tjerët për të vënë lirinë e fjalës mbi interesat personale e politike. Sidomos ne, që jemi një shoqëri, e cila ka provuar rëndë mbi kurrizin e mungesën e lirisë së fjalës dhe diktaturën.
Të ëndërrosh për një botë pak më të thjeshtë e më të rregullt, me më shumë ndershmëri e siguri, është njerëzore. Po të kemi kujdes se kush ofrohet si arbitër i përcaktimit të të vërtetës dhe i kufijve të lirisë së asaj që lexojmë e dëgjojmë, flasim e shkruajmë e mbi të gjitha botojmë. Një arbitër i tillë, sidomos nuk mund të vijë nga klasa e sotme politike. Deri në një kohë më të mirë: kaos të mbarë!