Matematika ende si gogol për nxënësit

Laura Papraniku

Shkup, 24 prill – Ka shumë kohë që është identifikuar si problematike çështja që ka të bëjë me mësimin e matematikës nëpër shkolla, e megjithatë, nuk është ofruar ende një zgjidhje adekuate për të ndryshuar gjendjen në fjalë apo për ta bërë matematikë lëndë të dashur për nxënësi. Këtë vit, madje, po shënohet rënie në mesataren e notave të matematikës e ndikuar edhe nga presioni i vlerësimit ekstern, përmes së cilës do të kontrollohet shkalla e objektivitetit të mësimdhënësve sa i takon notimit të nxënësve.
Për këtë arsye, arsimtarët e matematikës detyrohen të jenë më “dorështrënguar” në dhënien e notave për hatër të suksesit të përgjithësomë. Prandaj, në të gjitha shkollat pa përjashtim, gjen nxënës me sukses të shkëlqyeshëm në përjashtim të matematikës ku shumica e tyre mbajnë nëpër ditarë 2-sha dhe 3-sha.
Nga Ministria e Arsimit është paralajmëruar disa vite radhazi se do të reformojnë programet mësimore të matematikës, mirëpo të njëjtat vazhdojnë të jenë edhe më tej të ngarkuara në aspektin teorik dhe me materiale e shembuj jo atraktiv. Sipas ekspertëve të fushës, janë pikërisht programet e papërshtatshme dhe mungesa e shprehive për mësim të permanent, shkaqet për të cilat lënda e matematikës vazhdon të mbetet një sfidë e pakapërcyeshme e sistemit arsimor. “Programet e matematikës janë tej mase të ngarkuara, kurse problemi qëndron se ne, arsimtarët, nuk kemi forcë ta ndryshojmë këtë situatë”, thotë Adnan Mustafa, arsimtar në shkollën fillore “Liria” të Shkupit
Ata që përpilojnë libra dhe programe për matematikën, sikurse pohon Mustafa, nuk konsultohen me arsimtarët e matematikës, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me nxënësit dhe që askush më mirë se ato nuk i njeh prirjet dhe kërkesat e fëmijëve.
“Po të ishim pyetur ne, arsimtarët, natyrisht se edhe librat e matematikës nuk do ti kishin këta libra që i kemi sot. Mirëpo, fatkeqësisht jemi vetëm ata që duhet ta realizojmë programin e përpiluar nga lart dhe të punojmë në bazë të materialeve të shkruara nëpër librat e matematikës”, shprehet Mustafa. Ai nënvizon edhe një element tjetër mjaft të rëndësishëm që ndikon në procesin e të mësuarit të kësaj lënde, e që thotë se ka të bëjë me nevojën e mësimit në kontuinitet të vazhdueshëm. “Për lëndën e matematikës kërkohet punë permanente dhe nuk mjafton mësimi sot për sot”, shpjegon Mustafa, duke shtuar se nxënësve tanë u mungon praktika e të mësuarit permanent, në kontuinitet të vazhdueshëm. “Mësimi permanent mungon sidomos tek nxënësit shqiptarë, të cilët kërkojnë forma më të lehta për të arritur deri te nota. Në përgjithësi, pasi ta marrin një notë, i japin vetes lirinë të mos mësojnë një kohë të gjatë. Fillojnë të ngecin për shkak të boshllëkut në mësime që kanë shkaktuar paraprakisht, apo për shkak se u mungon shprehja e punës së vazhdueshme” , sqaron arsimtari i SHF “Liria”. Të gjitha parametrat e nxjerrin matematikën si lëndën më të padëshirueshme nga ana e nxënësve edhe atë në të gjitha nivelet e shkollimit. Në përfundim të arsimit të mesëm, rrallë kush e zgjedhë atë si lëndë të maturës shtetërore, ose vetëm 15 për qind (sipas të dhënave për maturën e vitit të kaluar). Matematika është gjithashtu lënda ku nxënësit tregojnë nivelin më ulët të dijeve, në bazë të suksesit të notave. Këtë vit, madje, po shënohet rënie e dukshme në notën mesatare të matematikës, pasi për shkak të vlerësimit ekstern, arsimtarët – sikurse pranon edhe Mustafa, kanë nis të shënojnë nota sa më reale. Nëse gjatë vlerësimit ekstern të nxënësve, nota e fituar është për dy shkallë më poshtë ose më lartë se nota, të cilën e ka shënuar arsimtari në ditar, ku i fundit rrezikohet të dënohet me 15 për qind të rrogës më pak për gjithë vitin. Prandaj, tani e tutje, arsimtarët e matematikës nuk do të mund t’u shënojnë nota më të larta në lëndën e matematikës për të mos prishur suksesin e përgjithshëm të nxënësve apo për ndonjë motiv tjetër të ngjashëm. E vetmja rrugë është që prindërit të kujdesen që fëmijët e tyre të krijojnë shprehi pune të vazhdueshme dhe që në të njëjtën kohë, në bashkëveprim me shkollat të kërkojnë reformimin e programeve dhe librave të matematikës të cilat kanë mbetur ende në kohën e ish-sistemit socialist.

SHKAQET TJERA
Janë edhe një sërë faktorësh tjerë të jashtëm, si mbingarkesa e paraleleve me numër të madh nxënësish në klasë, apo edhe mungesa e kuadrit adekuat që ndikojnë në krijimin e stereotipave negative dhe perceptime të gabueshme se “matematika është lëndë e vështirë për tu mësuar”. Kjo pastaj ngre edhe dilema për shkallën e inteligjencës së nxënësve, por që në fakt, ka të bëjë me defektet e rënda të sistemit tonë arsimor sa i takon qasjes institucionale për lëndën e matematikës. Vitin që shkoi, kishte shkolla ku asnjë nxënës nuk u përcaktua ta jep provimin e maturës në lëndën e matematikës, siç ishte “Cvetan Dimiov” në Shkup, për shembull. Bën përshtypje kjo shkollë për faktin se të gjitha paralelet janë të drejtimeve ekonomi dhe gjimnaz, kurse në shkollat e mjekësisë, arteve dhe të zanateve, as bëhet fjalë që ndonjë maturant ta zgjedhën matematikën si lëndë për tu testuar. Jo më larg se viti i kaluar, përqindja e atyre që iu shmangën matematikës ishte gati se 75 për qind e numrit të përgjithshëm të maturanteve të atij viti.