Marrja në pyetje e Lulzim Bashës nga prokurorët belgë u soll në vëmendje nga Sali Berisha në takim me fermerët e Shkodrës. Ai tha se herën tjetër Basha do jetë në pozita të vështira për çështjen e “Toyota Yaris”. Edhe pse sipas Berishës kjo çështje është mbyllur nga kryeministri Rama për të favorizuar Lulzim Bashën, ky fakt nuk do t’i pengojë prokurorët e huaj në punën e tyre.
Ish-kryeminsitri Sali Berisha paralajmëroi Lulzim Bashën se pritet të jetë në pozita më të rënduara kur prokurorët belgë ta marrin sërish në pyetje për herë të tretë lidhur me çështjen e “Toyota Yaris”.
Në takim me fermerët e Shkodrës, Berisha tha se Basha ka mbështetjen e Edi Ramës në këtë proces, i cili sipas tij ja ka mbyllur dosjen.
“Edi Rama ja mbylli, e hapi prokuroria shqiptare dosjen për dekonspirim të operacionit policor, ja mbylli. Belgët nuk ja mbyllën, erdhën për së dyti dhe e patë sa i thartuar doli. Herën e tretë ai do të jetë në pozita krejt të tjera.”
Në vijim të akuzave ndaj Bashës, Berisha tha se nuk ka më dyshime se kryedemokrati është i përfshirë në afera biznesi me Qeverinë, dhe si shembull për këtë solli kandidatin e PD-së në Durrës.
“Ky njeri del në afera të mëdha biznesi dhe të tjera me qeverinë. Kush ëhstë kandidati i Bravës në Durrës, është njeriu që ka monopolin e shërbimneve të porteve nga Saranda në Shëngjin me firmën e Edi Ramës. Ose i ka dhënë një valixhe me euro ose është shitur krejtësisht te ai ndryshe nuk mund të ndodhte. Monopoli është i paligjshëm, qeveria nuk mund të japë monopol. Qeveria është e detyruar të copëtojë tenderin”.
Duke folur për shqetësimet e fermerëve, Berisha u shpreh se ata janë braktisur dhe diskriminuar si asnjëherë në tri dekada.