Bashkimi Europian dhe Shqipëria zhvilluan takimin e 12-të të Komitetit të Stabilizimit dhe Asociimit.
Knid Ndrenika
Bashkimi Europian dhe Shqipëria zhvilluan takimin e 12-të të Komitetit të Stabilizimit dhe Asociimit.
Delegacioni i BE-së në Tiranë njoftoi se Komiteti vlerësoi përparimin e arritur nga Shqipëria gjatë vitit.
“Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet para takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit. Komiteti e nxiti Shqipërinë që të ruajë vrullin e reformave dhe nënvizoi se për gatishmërinë për negociatat e pranimit vendi duhet të përmirësojë koordinimin, të rrisë burimet dhe komunikimin kushtuar integrimit në BE”-thuhet në njoftim.
Ky takim u kryesua nga Michela Matuella, Drejtore e deleguar për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Zef Mazi, Kryenegociator për eurointegrimin e Shqipërisë dhe Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë.
Ndërkaq, Komiteti vlerësoi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 si përgjithësisht të organizuara mirë.
Për këtë u kërkua informacion mbi procedurat në vazhdim për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura, duke përfshirë planet për reformën e ardhshme zgjedhore.
Sa i përket reformës në administratën publike, Komiteti i kushtoi vëmendje vizionit të Shqipërisë për vitin 2030 dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të strategjive të reja sektoriale për vitin 2023 dhe më tej.
Shqipëria sipas komitetit, gjithashtu duhet të vazhdojë ndërtimin e historikut të dënimeve të formës së prerë në rastet e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit dhe pastrimit të parave.
E ndarë në pikëzime, pasqyra e takimit të 12-të të përbashkët përcaktoi çështjet e vërejtura:
-U theksua roli i rëndësishëm i shoqërisë civile në reformat e orientuara drejt BE-së;
-Komiteti nënvizoi përparimin e mirë të përgjithshëm të bërë në zbatimin e reformës së sistemit të drejtësisë, duke vënë në dukje nevojën për ta vazhduar atë;
-Komiteti vlerësoi miratimin e zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut;
-Komiteti vlerësoi disa përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rezultatet e prekshme të arritura, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in;
-Komiteti theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të luftës kundër pastrimit të parave dhe të gjitha masave kundër produkteve të krimit, si dhe kujtoi angazhimin e nivelit të lartë politik për zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF);
-Komiteti vlerësoi bashkëpunimin e fortë me BE-në për menaxhimin e azilit dhe migracionit;
-Komiteti theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme, veçanërisht për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së;
-Politika e vizave e Shqipërisë mbetet ende për t’u përafruar plotësisht me acquis e BE-së;
-Komiteti vlerësoi miratimin e nëntë akteve nënligjore në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe rikujtoi se nevojitet përparim i mëtejshëm;
-Komiteti i SA-së diskutoi gjithashtu për konsolidimin e të drejtave pronësore, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe barazinë gjinore;
-Komiteti theksoi nevojën për të vazhduar përparimin në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias;
-Komiteti përshëndeti angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe vlerësoi faktin që Shqipëria ka vazhduar dialogun për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilat mbeten thelbësore;
-Komiteti vlerësoi pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe vlerësoi përafrimin 100% dhe të vazhdueshëm të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
-Komiteti vuri në dukje se situata ekonomike dhe fiskale është mëkëmbur në Shqipëri pas goditjes nga pandemia COVID-19;
-Shqipëria nxitet që t’i përmbahet ligjit të saj organik të buxhetit, si dhe të finalizojë miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave;
-U diskutua përafrimi me BE-në në fushat e prokurimit publik dhe kontrollit të ndihmës shtetërore;
-Komiteti shqyrtoi strategjinë e re arsimore dhe financimin, agjendën digjitale, skemën e garancisë për të rinjtë, si dhe dialogun ndërmjet partnerëve socialë;
-Ai vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë në programin e ri kërkimor “Horizon Europe”;
-U diskutua për politikat industriale, doganore dhe tatimore, duke përfshirë pragjet e përjashtimit nga TVSH-ja.
-Për bujqësinë, Komiteti theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale për IPARD-in, si dhe vuri në dukje përparimin me regjistrat bujqësorë, çka duhet të vazhdojë;
-Diskutimi përfshiu gjithashtu politikat rajonale dhe ato të kohezionit, ndryshimet klimatike, ndërlidhjen, strategjinë e energjisë dhe tranzicionin e energjisë, si dhe mjedisin, duke përfshirë zonat e mbrojtura, menaxhimin e ujit dhe mbetjeve.
-Komiteti rikujtoi se IPA III e vë theksin te planifikimi strategjik, gatishmëria dhe pjekuria e projektit;
-Komiteti vuri në dukje ngritjen së fundmi të një agjencie të re për koordinimin e donatorëve (SASPAC) dhe nevojën për sqarim të mëtejshëm të roleve dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe ndërveprimet me aktorë të tjerë.