Tiranë, 17 shkurt 2022 – Gati një vit pas akuzave për korrupsion e pastrim parash, kardiologu Edvin Prifti, fitoi të drejtën për të ushtruar profesionin e mjekut dhe për t’u rikthyer në sallën e operacionit. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij për të ushtruar profesionin, duke nxjerrë bllof prokurorët e SPAK, që ende vazhdojnë hetimet.
Një vit më parë mjeku i njohur i QSUT-së, fitoi të drejtën për t’iu rikthyer punës si pedagog në Universitetin e Tiranës, edhe pse nuk u lejua ta ushtronte profesionin, si mjek kardiolog.
Vendimet vijnë pas një kalvari të gjatë vendimesh gjyqësore, që njëri pas tjetrit I detyruan prokurorët të tërhiqen nga burgosja e mjekut.
Gjithçka nisi me një bisedë të përgjuar në hetimet për korruptimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Nga bisedat e kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi me mjekun dolën ryshfetet për ta kaluar nënën e saj në operacion para kohe.
Arrestimi i mjekut Edvin Prifti
Menjëherë pas interceptimit të bisedave të përgjuara, prokurori Altin Dumani nisi hetimin për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën mijëra euro dhe para cash në zyrë dhe në banesë, çka rëndoi pozitën Priftit.
Më 13 shkurt të vitit të kaluar mjekut Priftit iu vunë prangat në sallën e gjyqit. Mjeku u lirua disa javë më pas dhe që atëherë vijoi betejën për heqjen e sekuestros mbi paratë.
Por rikthimi i mjekut në sallën e operacionit, ngre dyshime të forta për ashpërsinë me të cilën vepruan prokurorët e SPAK. Nën presionin e vazhdueshëm për të pasur sa më shpejt rezultate në luftën kundër korrupsionit, prokurorët kërkuan masën ekstreme për mjekun.
SPAK njoftonte se nga hetimi kishte grumbulluar prova të reja që krijojnë dyshime se Prifti ka ngritur një ‘skemë kriminale” që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false, me qëllim shmangien nga pagesa e tatimeve.
Dyshimet ishin se paratë në llogarinë e mjekut ishin përfituar nga korrupsioni në spital.
Prokuroret ngritën dyshime se shumat e parave të depozituara në bankë cash janë produkte të veprës penale dhe i ka kërkuar gjykatës vendosjen e sekuestros preventive, e cila ka vendosur më pas sekuestrimin e shumave 51.4 milionë lekë dhe 177,497 euro.
Prifti nxjerr çmimet në nivel botëror
Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë vendosi të mos kthejë në detyrë mjekun Edvin Prifti, ndërsa SPAK kërkoi që ai të rikthehej në burg.
Duke parë këmbënguljen e prokurorëve, mjeku hapi arkivat për të nxjerrë nga aty një vlerësim që kishte marrë në vitin 2003, duke thënë se është vlerësuar me çmimin e madh botëror të kirurgjisë kardio-torakale.
“Pergjigje! Satisfaksion amerikan ndaj meje dhe vendit tim. Cmimi me i madh boteror i kirurgjise kardio torakale ku nga gjithe evropa lindore dhe azia e afert si dhe gadishulli arabik pas Hungarise dhe Izraelit, renditet Shqiperia. Cmim qe ne 70 vjet, jepet nje here ne vit dhe USA e ka fituar vetem dy here. Ne vendin tim s’ma uroi askushi perkundrazi”, shkruajti Prifti.
Edhe pse nën lupën e SPAK prej më shumë se një viti, duket se mjeku Edvin Prifti ia ka dalë të fitojë betejën me Prokurorisë së Posaçme, e cila që prej fillimit ka kërkuar burgosjen e mjekut kardiolog dhe jo thjesht heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit të tij.
Megjithatë, ‘lufta’ e SPAK për ta çuar prapa hekurave mjekun e njohur nuk ka përfunduar ende, edhe pse deri më sot, është ajo e humbura e gjithë kësaj situate.