Me këtë votim gjashtë gjyqtarë “kundër” dhe një “për”, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të mos e shkarkojë Presidentin Ilir Meta
Knid Ndrenika
Një nga 7 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votoi për ta shkarkuar presidentin Ilir Meta duke rrëzuar votimin e 104 deputetëve të Kuvendit të plotësuar nga lista pasi Opozita e Bashkuar dorëzoi mandatet.
Media raportoi gjerësisht se gjyqtari kushtetues Altin Binaj ishte i vetmi që votoi sipas vendimit të Kuvendit.
Kryetarja Vitore Tusha doli kundër shkarkimit sikurse anëtarët Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.
Me këtë votim gjashtë gjyqtarë “kundër” dhe një “për”, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të mos e shkarkojë Presidentin Meta.
Vendimi që rrëzoi shkarkimin e Kuvendit lejon zotin Meta të përfundojë mandatin presidencial pesëvjeçar më 24 korrik 2022.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e shpallur mbrëmjen e vonë të së mërkurës vëren se presidenti nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën sikurse pretendonte Kuvendi kur e shkarkoi me 104 vota në qershor 2021.
Gjyqtarët arsyetuan se thirrjet sipas zotit Meta për mbrojtjen e votës apo kritikat ndaj partnerëve ndërkombëtarë nuk janë shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe nuk përbëjnë shkak për ta shkarkuar presidentin.
Gjykata Kushtetuese i quajti të ligjshme procedurat e Kuvendit duke rrëzuar pretendimet e presidentit për tejkalim afatesh ligjorë përfshi krijimin e Komisionit Hetimor në katër muajt e fundit të mandatit të deputetëve.
Komisioni Hetimor e shkarkoi presidentin për shkelje të Kushtetutës, thirrje për dhunë përpara, gjatë dhe pas fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Gjykata Kushtetuese u dërgoi nga rreth 70 pyetje presidentit dhe Kuvendit për qëllimin, natyrën, domethënien, arsyen e deklaratave dhe procedurave.