Vendimin gjykata e mori mbështetur në pranimin e padisë kërkesës të anëtarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Gjirokastër, Akademia “Luftëtari”
Knid Ndrenika
Gjykata në Tiranë i dha një goditje domethënëse Federatës Shqiptare të Futbollit duke ia pezulluar të gjithë procesin e zgjedhjeve për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të 2 marsit ku do të votohet presidenti i ri.
Gjykata vendosi që të pezullojë procesin ndërkohë që FSHF ka në garë zyrtarisht kandidatët për president Armando Duka në detyrë prej 20 vjetësh, Sulejman Starova ish-Sekretar i Përgjithshëm vite më parë dhe Dritan Shakohoxha, gazetar.
Vendimin gjykata e mori mbështetur në pranimin e padisë kërkesës të anëtarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Gjirokastër, Akademia “Luftëtari”.
Ky ishte pranimi i dytë i kërkesës së një shoqate Rajonale pas Tiranës javën e shkuar.
Për procesin e zgjedhjeve në Shqipëri erdhi presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin pasi u vlerësua se kishte ndërhyrje të politikës.
Zoti Ceferin u takua me kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin e federatës Armando Duka.
Shqetësimi ishte mosndërhyrja si dhe garantimi i zhvillimit të finales së Ligës Europiane të Konferencës më 25 maj 2022 në stadiumn “Air Albania” në Tiranë.
UEFA sikundër edhe FIFA i quajnë të papranueshme ndërhyrjet shtetërore, ndërkohë që në këtë rast është gjykata që vendos si dhe prokuroria që heton paditë e disa kallëzuesve për falsifikim të firmave në shoqatat rajonale apo shpërdorim detyre dhe shpërdorim fondesh në FSHF.
Dispozitivi i vendimit të Gjykatës së Tiranës:
“Ju informoj se kërkesa me nr. 274 Aki, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftetari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur:
Pranimin e kërkesës së palës kërkuese.
Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:
1. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
2. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;
3. Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar
U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022.