Prishtina dhe Beogradi i kanë ngjarë shumë njëra tjetrës që kur Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç nënshkruan marrëveshjen që në Perëndim u përshëndet si historike e në Kosovë e Serbi u denoncua si tradhëtare, por që duket se do të miratohet gjithësesi nga parlamentet përkatëse.
Në Kosovë ishte Vetëvendosja që akuzoi Thaçin se ka shitur Mitrovicën. Albin Kurit me shokët e tij në Kuvend shpalosën një parullë në Kuvendin e Kosovës ku treguan atë që sipas tyre ishte “Kosova e Hashimit”, një tokë e copëtuar dhe e përçarë.
Aktivistë të Vetëvendosjes e përshkruan gjendjen si ajo në kohën e Millosheviçit dhe akuzuan Thaçin për tradhëti kombëtare.
Marrëveshja duket se ka trazuar gjakrat edhe në Serbi. Në Maratonën e Beogradit, njerëz nga publiku akuzuan Daçiçin se kishte “shitur Kosovën”.
“Si të zë gjumi natën”, i thirri dikush ndërsa u përpoq t’i afrohej por u ndalua nga truprojet e kryeministrit.
Sapo u mendua se u qetësua situata, një banderolë e madhe u shpalos nga një ndërtesë për sytë e publikut dhe medias: “Ti tradhëtove Kosovën!”
Si Daçiçi ashtu edhe zëvendësi i tij nacionalist, Vulin kanë marrë kërcënime për vdekje me mesazhe teksti në celular. Një vend që e ka një precedent të vrasjes me atentat të një kryeministri nuk mund t’i marrë lehtësisht këto kërcënime.
Po a është e mundur që të jenë që të dy tradhëtarë? Kush nga të dy është duke gënjyer popullin e tij dhe cilin po e abuzojnë padrejtësisht?
Këto pyetje e marrin përgjigjen lehtë nëse je nacionalist shqiptar ose serb. Po nëse përpiqesh të kuptosh diçka me mendje të ftohtë e kupton se të dy kryeministrat ia kanë dalë mbanë të përfitojnë diçka nga situata dhe askush që nuk është në pozitën e tyre nuk mund të thotë me sinqeritet se si do të vepronte.
Sigurisht, Hashim Thaçi nuk është i sinqertë kur thotë fjalinë tashmë të bërë bajate se me këtë marrëveshje, Serbia e ka njohur praktikisht Kosovën. E ka përsëritur shumë shpesh. E tha në rastin e “fusnotës”, e tha kur u bë marrëveshja për doganat, etj.
Jo më kot, një komentues nga Kosova thoshte me ironi të goditur se nga të gjitha vendet na kanë njohur, vetëm Serbia na ka njohur disa herë.
Këto lloj përpjekjesh të cekëta nuk japin rezultat. Përkundrazi krijojnë dyshime të forta edhe aty ku ka arritje të vogla po që meritojnë vlerësim.
Mbi të gjitha, në opinion shpërtheu “bomba” se marrëveshja do të bënte që Kosovës t’i hapej rruga për në OKB. Serbia me sa duket nuk lëshoi pe aty. U tha vetëm që asnjë prej dy vendeve të mos e pengonte hyrjen e njëra tjetrës në BE. Propozimi fillestar ishte që asnjë prej vendeve të mos e pengonte anëtarësimin e tjetrit në organizatat ndërkombëtare.
Kosova mund të kishte refuzuar ta firmoste këtë pikë. Por do të ishte një kundërshtim i kotë. Së pari, anëtarësimi i Kosovës në OKB është larg edhe sigur Serbia ta kishte pranuar tekstin siç iu paraqit. Llogjika e do që Serbia të lëshojë hyrjen në OKB kur të vijë koha që të hyjë në BE. Për tani bëhej fjalë vetëm për fillim të bisedimeve. Do të ishte një pazar shumë i njëanshëm dhe Daçiçi nuk kishte ndërmend ta mbyllte aty karrierën e tij politike.
Është e vërtetë që Thaçi u tërhoq, mirëpo, Kosova nuk kishte vërtet fuqi që ta ndalonte Serbinë për të hyrë në BE. Pika e shumëfolur 14 ishte në fakt, më shumë tym sesa realitet. Edhe me “lejen” e Kosovës, Serbisë do t’i duhet të marrë aprovimin e vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda etj, të cilat do të vijojnë ta ndalojnë nëse ajo nuk bën lëshime ndaj Kosovës në të ardhmen.
Thaçi akuzohet se ka trahdëtuar Veriun duke ia falur Serbisë. Në Serbi Daçiç akuzohet se e humbi Veriun? Nëse që të dy e kanë humbur atëhere kush e ka fituar?
Në fakt, të dy kanë marrë nga diçka nga marrëveshja. Kosova ka fituar zbatimin e ligjeve të saj në Veri të vendit. Për herë të parë që prej vitit 1999, ligjet e Serbisë do të përfundojnë së vepruari edhe në Veri të vendit. Në vend të konfirmimit se Kosova nuk është çliruar kurrë plotësisht siç thotë Albin Kurti, kjo marrëveshje sjell në fakt, çlirimin e plotë të Kosovës nga zbatimi i ligjeve të Serbisë.
Kjo është edhe një arritje e madhe për normalitetin në vend. Çdo shtet duhet të ketë vetëm një ligj.
Marrëveshja njëson edhe organet e drejtësisë dhe të rendit. Policët në Veri do të jenë pjesë e zinxhirit komandues të Kosovës, po kështu edhe gjykatat. Kritikët nënvizojnë se ato në fakt do të përbëhen dhe drejtohen kryesisht nga serbë, por kështu ndodh në të gjitha rajonet e Europës ku mbizotërojnë numerikisht pakicat etnike.
Disa nga këta gjykatës dhe kryepolicë serbë nuk do të jenë njerëz që e kanë në zemër Kosovën. Nuk është çudi që të jenë njerëz që kanë luajtur rol në shtypjen dhe persekutimin e shqiptarëve në të kaluarën. Por ironia më e madhe, hakmarrja e madhe e fatit do të jetë se që këtej e tutje, vendimet do t’i marrin në emër të Republikës së Kosovës. Po kështu edhe veprimet policore me uniforma.
Serbia mund të mburret se ka arritur marrëveshje që “ushtria” e Kosovës (lexo Forcat e Sigurisë FSK) të mos hyjnë në Veri.
Vetëvendosja me të drejtë thotë se ky është cungim i një shteti të pavarur, por kjo nuk sjell ndonjë ndryshim të madh praktik. Nëse vjen puna për nevojën e ndërhyrjes ushtarake në Veri, Kosova do të thërriste në ndihmë NATO-n gjithësesi.
Le të jemi të sinqertë dhe të shohim fuqinë reale të FSK-së. Vetëvendosja ka të drejtë kur kërkon që kjo të kthehet në ushtri reale të Kosovës, po deri atëhere kjo marrëveshje nuk prish punë. Serbia në fakt po mburret se ka penguar hyrjen në Veri të një institucioni që ende nuk ekziston.
Nga ana tjetër, ka një arsye të fortë se pse në Veri të Kosovës irritimi është shumë më i madh se në Beograd. Mafia që ka fuqinë lokale në dorë, biznesmenët dhe politikanët që deri tani e kanë rrjepur Serbinë duke e vënë në pozita faji e pastaj i kanë shpërdoruar fondet për interesat e tyre e jo për serbët e Kosovës, druhet se tani do t’i mbyllen disa rubineta.
Madje pikërisht në Veriun “e shitur nga Thaçi” ka filluar revolta më e madhe kundër Beogradit. Katër komunat e Veriut kanë shpallur autonominë, pikërisht atë që ka arritur të pengojë Kosova.
Nuk është çudi që Daçiçi të ketë thënë se i ka duart e lidhura dhe se nuk e fiton dot autonominë e tyre në tavolinën e bisedimeve. Nëse duan le ta bëjnë vetë punë të kryer. Tani është në dorën e Bashkimit Europian se si do të veprojë me komunat serbe. Kosova e kishte shpallur pavarësinë e saj në vitin 1990, po ajo nuk ishte pavarësi sepse nuk e njihte askush. Komunat e veriut mund të jenë autonome në letrat e tyre të zhubrosura, po puna është se çfarë do të njihet në praktikë.
Në fund, humbja më e madhe në këtë marrëveshja nuk është në fakt në Veri të Kosovës, porn ë Jug të Serbisë. Lugina e Preshevës humbi një rast të madh për të fituar diçka më shumë nga kjo përpjekje. Thaçi nuk guxoi të kërkojë me ngulm një zgjidhje edhe për ta të përfshirë në marrëveshje.
Dhe pikërisht këtu vlen të përmendim se Vetëvendosja është një nevojë e madhe e politikës së Kosovës. Të krijohet përshtypja se pa frikën nga kritika publike e Vetëvendosjes, Thaçi e qeveria e sotme do të kënaqeshin me pak, nuk do të druheshin nga llogaridhënia publike.
Siç u shpreh një aktivist i Vetëvendosjes: “Edhe Rugovës iu kërkua me ngulm nga të gjithë ambasadorët perëndimorë që të hynte në zgjedhjet serbe për të ndihmuar krahun e ‘demokratëve’, por ai nuk pranoi dhe në fund, Perëndimorët kaluan në anën e tij”.
Vërtet nëse Thaçi do të ishte ngritur nga tavolina e bisedimeve dhe do të kishte thënë se nuk ulej përsëri pa u sjellë aty edhe tema e Preshevës, çfarë do të kishte ndodhur?
Ka edhe një shteg të vogël këtu për kryeministrin e sotëm që nganjëherë duket se ia qëllon mirë pa e ditur se çfarë po bën. Rugova në vitet 90 nuk kishte shumë se çfarë të humbte. Perëndimi ende nuk kishte bërë ndonjë gjë për t’i qenë mirënjohës, apo besues. Largpamësia e jashtëzakonshme e Rugovës pa një ndryshim në qendrimet e Perëndimit në të ardhmen, por në kohën e sotme, rrethanat kanë ndryshuar.
Që të flasim sinqerisht, Kosova nuk është çliruar nga shqiptarët por nga NATO e kryesuar nga SHBA. Për më shumë se 14 vite ekonomia e Kosovës nuk po bëhet dot në gjendje që ya mbajë veten. Pa miliardat e Bashkimit Europian nuk do të paguhej dot sektori publik, pensionet dhe ndihma shoqërore për të vobektit. Kosova nuk është në gjendje të ruajë kufijtë e saj. Serbia nëse do të largohej NATO dhe do të mbyllte një sy Perëndimi ka mundësi që ta pushtojë lehtë Kosovën, ndonëse pastaj mund t’i nxihet jeta nga rifillimi i rezistencës.
Në këto kushte, pretendimi se një udhëheqës tjetër do të ishte më patriot se Thaçi është disi i vështirë për t’u besuar. Albin Kurti do të detyrohej të përballej së pari jo me Perëndimorët por me qytetarët e tij që do të ndjenin mungesën e menjëhershme të ndihmës së huaj. Trimëria e tij do të paguhej shtrenjtë. Më shumë se me para me dëmtimin e raporteve me Perëndimin.
Sigurisht një kryeministër si Kurti ndoshta do të siguronte më shumë në një tavolinë bisedimesh. Thaçi, i akuzuar për krime lufte nga Serbia, i anashkaluar nga Haga dhe i “pajtuar” me Gjermaninë pas skandalit me spiunë në Prishtinë, tani është i vendosur të jetë një nxënës i dëgjuar i diplomatëve perëndimorë.
Nuk i vëmë dot shumë faj. Në fund të fundit, kjo marrëveshje nuk ishte më e keqe se ajo e Rambujesë që Kosovën ia falte Serbisë. Edhe atëhere u çmendën kritikët, po Perëndimit i duhej që të ndërhynte e të çlironte Kosovën. Edhe Pakoja e Ahtisarit ishte e rëndë, po duhej për të hapur rrugën e pavarësimit të Kosovës. Pak nga pak UNMIK-u u shtrydh diku në Veri dhe gati 100 vende e kanë njohur Kosovën. Marshimi duket i jashtëzakonshëm.
Sigurisht edhe kjo marrëveshje ka shumë për t’u mëriztur por Perëndimi edhe këtu e zbythi pak Serbinë nga Kosova.
Kjo strategji pak nga pak, asnjëherë nuk ka shkuar mbrapa për Kosovën.
SHBA dhe BE kanë investuar shumë në Kosovë, për pavarësinë e saj dhe paqen në rajon. Atyre u dhemb ky investim moral, diplomatik, politik, financiar e ushtarak, shumë më tepër se sa u dhemb shumë prej kritikëve të kësaj marrëveshje, të cilët rrallë në mos kurrë kanë qenë ndonjëherë në Veri të Kosovës. Ata madje nuk kanë asnjë plan konkret për ndryshimin e situatës në Veri.
Kosova mbase do të ishte më mirë pa një kryeministër si Thaçi e mbase Albin Kurti do të kishte qeverisur shumë më mirë. E sigurisht rinia e përfshirë në VV e lëvizje të tjera është shumë e pastër dhe idealiste se ujqit e vjetër të partive të mëdha që mbushën me radhë xhepat në qeveritë e pas-çlirimit.
Po fuqia më e madhe e Kosovës është mbashtetja e Perëndimit, në Bruksel e Washington, e në kryeqytetet e tjera. E nëse SHBA duartroket marrëveshjen ka aty një garanci që vlen më shumë se çdo argument, deklaratë e flamur i shpalosur. Është vula e aprovimit, pas të cilës nuk na mbetet veçse të kthejmë sytë nga e ardhmja drejt marrëveshjes tjetër të papërkryer. Ashtu, hap pas hapi në rrugën e pakthyeshme.