Bronx: Festohet 14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës


Nga Beqir Sina

BRONX, NEW YORK

Bronx NY (17 shkurt 2022) Udhëheqësit lokalë dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan u bashkuan për të festuar pavarësinë historike të Kosovës nga Serbia. Festimi i 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në qytetin e Bronx-it, i cili u hap me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës, përfundoi me ngritjen e flamurit të Kosovës, në njërën nga shtyllat e larta pranë flamurit amerikan. Ambasadori Frymëzim Isufaj, bashkë me stafin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, përfaqësues të dalluar të komunitetit shqiptar në Nju-Jork, përfaqësuesin e Distriktit të 15-të të Bronksit, Nju-Jork, z. Ritchie Torres, dhe ish-ambasadorin William Walker, morën pjesë në shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Zyra e Guvernatores së Shtetit Nju-Jork, Kathy Hochul, dhe nga Zyra e Presidentes së Qarkut të Bronksit, Vanessa L. Gibson. Në fjalimin e tij përshëndetës, Ambasadori Isufaj falënderoi Zyrën e Guvernatores Kathy Hochul, dhe Presidenten e Qarkut të Bronksit, znj. Vanessa L. Gibson, për organizimin e ceremonisë së kremtes së 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Isufaj foli për mbështetjen amerikane ndaj çështjes së Kosovës dhe kontributin e Diasporës sonë, duke u shprehur krenar për të arriturat e saj në SHBA. Kongresmeni Ritchie Torres, në fjalën e tij, duke uruar festën e Pavarësisë së Kosovës, ndër të tjera, tha se SHBA-ja nuk ka mik më të mirë në Evropën Juglindore, sesa Kosovën, dhe Kosova nuk ka mik më të madh në botë, sesa SHBA-në. Festa e këtij përvjetori të pavarësisë në këtë ceremoni ku, përveç fjalimeve të vetë znj. Gibson dhe të U.D. Sekretarit të Shtetit Nju-Jork, z. Robert J. Rodriguez, të cilët shprehën një simpati të veçantë për Kosovën dhe për komunitetin shqiptar në Nju-Jork, u pasua edhe me ndarjen e mirënjohjeve për shqiptaro-amerikanët, të cilët u cilësuan si një pjesë e rëndësishme e shoqërisë amerikane dhe në shërbim të saj. Me këtë rast, mirënjohje pranuan:Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork;Dr. Sylejman Çelaj-shef i Kardiologjisë në “SBH Health System Hospital”;Dr. Eleanora Gashi-Drejtoreshë e Kardiologjisë në Qendrën e Mjekësisë Spitalore “Jacobi” në Nju-Jork;Rafaela Prifti-Redaktore në gazetën Dielli;Esad Rizani-President i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane. “Sot, në partneritet me shtetin e Nju Jorkut, ne festuam Pavarësinë e Kosovës. I paraqitëm një proklamatë ambasadorit Frymëzim Isufaj dhe njohëm liderë të ndryshëm që kanë dhënë kontribut për bashkinë tonë dhe shtetin tonë në fusha të ndryshme duke përfshirë kujdesin shëndetësor, gazetarinë dhe më shumë!”, tha presidentja e Bronx Borough, Vanesa Gibson. Sekretari i Shtetit i NY Robert J. Rodriguez tha se ishte kënaqësi të bashkohesha me Presidenten e Bronx Borough Vanessa Gibson për të festuar 14 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ambasadorit Frymëzim Isufaj i kam dorëzuar një proklamatë në emër të Guvernatorit Kathy Hochul për të vazhduar traditën e njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe personalitetevev të dalluarve”. William Walker, 87 vjeç, i cili nderohet si hero në Kosovë për drejtimin e misionit ndërkombëtar të monitorimit që raportoi për masakrën e 45 shqiptarëve të Kosovës në fshatin Raçak, erdhi enkas nga Virginia vetëm për të nderuar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Bronx me komunitetin shqiptar. Në një fjalim e tij të rastit në manifestimin për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, festimin e pavarësisë historike të Kosovës nga Serbia, Walker, përshëndeti dhe uroi Kosovën për këtë ditë të shënuar – Ai gjatë gjithë fjales së tij u shoqërua me duartrokitje të forta dhe thirrjet e përsëritura Walker-Walker. Festimi i 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në qytetin e Bronx-it, i cili u hap me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës, përfundoi me ngritjen e flamurit të Kosovës, në njërën nga shtyllat e larta pranë flamurit amerikan, në oborrin e Ndërtesës së Gjykatës Supreme. Kjo është hera e parë që Zyra e Guvernatores organizon një aktivitet të tillë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.