Nga Keze Kozeta Zylo
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Manhattan z.Frymezim Isufaj së bashku me stafin e tij organizuan në Kimberly Hotel ceremoninë e festimit të 14-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mjedise komode të hotelit që shkëlqente nga dritat e Manhattanit kryeqyteti i botës i cili nuk fle kurrë dëgjohej zëri i bukur i Kosovës martire.
Kosova e fitoi Pavarësinë me gjak dhe sakrifica të panumërta, më 17 shkurt të vitit 2008. Qindra shqiptarë, trupi diplomatik i akredituar në Manhattan, z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” ushtarë të UÇK-së si gjeneral Gani Shehu, Qerim Gjocaj që i ka dhënë dorën luftës, Blerim Gjocaj, Shpend Gjocaj etj, Federata Panshqiptare “Vatra” me kryetar z.Elmi Berisha, z.Agim Rexha president nderi i saj, editori i Diellit z.Sokol Paja, Botuesi i gazetës së mirënjohur “Illyria” z.Vehbi Bajrami, Gena Morina Bajrami e shumë të tjerë morën pjesë në këtë ditë të shenjtë të Kosovës.
Ceremonia u hap me hymnin e Republikës së Kosovës interpretuar nga Banda muzikore drejtuar nga maestro z.Faton Macula.
Ambasadori Isufaj përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi Kosovës përjetësi në Pavarësinë e saj. Ambasadori Isufaj falënderoi Amerikën e cila me UÇK-në i dhanë Lirinë dhe Pavarësinë Kosovës, falënderoi Diasporën Shqiptaro-Amerikane për përpjekjet e saj të jashtëzakonshme si dhe Z.Mark Gjonaj ish Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili ka merita dhe kontribut të vyer në këto arritje. Me duartrokitje u mirëprit fjala e diplomatit Amerikan në OKB, Ambasadori Richard Mills i cili shërben si zëvendës përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara.
Ambasadori Mills ka qenë një anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm me gradën Ministër-Këshilltar, së fundmi shërbeu si i ngarkuar me punë i Ambasadës së SHBA-së në Kanada. Ambasadori Mills falënderoi z.Isufaj për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe i uroi atij dhe nëpërmjet tij gjithë popullit shqiptar për Pavarësinë e Kosovës.
Ambasadori Ferit Hoxha përfaqësues i Republikës së Shqipërisë pranë Misionit te përhershëm në Kombet e Bashkuara i uroi të gjithë pjesëmarrësit për Pavaresinë e Kosovës. Ambasadori Hoxha foli me krenari për arritjet ndërkohë tha se Kosovën dhe Shqipërinë e presin shumë sfida të tjera përpara.
Shumë emocionuese ishte dhe dhënia e një kopjeje nga origjinali i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhuruar nga znj. Lumi Hadri Divine, nje aktiviste e mirënjohur e Diasporës si dhe e bija e akademikut Ali Hadri, i cili gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe popullit të tij.
Pas ceremonisë pjesëmarrësit shijuan ushqimet e shumëllojshme me nga një gotë verë përpara nga Kantina e Verës “Stone Castle”. Ata u argëtuan nën tingujt e bandës muzikore si dhe nën intepretimin e këngëve nga artistja e njohur Arbërie Hadërgjonaj.
17 shkurti është nje ditë historike për gjithë Kombin shqiptar dhe do të festohet sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe.
Së shpejti TV “Alba Life” do të sjellë kronikën e përgatitur si dhe intervistat me personalitete nga stafi i saj me z. Valbon Gërbeshi, Bujar Sadikaj me producent z.Qemal Zylo për 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Gëzuar Kosovë, Gëzuar Shqipëri!
17 Shkurt, 2022
Manhattan, New York