Uashington, 19 shkurt 2022 – Uashingtoni tha se trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit të Ukrainës po përparonin dhe janë “gati për të goditur”.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin tha se forcat ruse po fillonin “t’i afroheshin më shumë” kufirit me ish-fqinjin e saj sovjetik.
“Shpresojmë që ai (Putini) të tërhiqet nga pragu i konfliktit,” tha zoti Austin në një konferencë shtypi në Lituani, duke thënë se një sulm ndaj Ukrainës mund të shmangej.
Rusia thotë se po i largon forcat nga kufiri por Uashingtoni dhe aleatët perëndimorë thonë se përqendrimi i trupave po rritet.
Nënpresidentja Kamala Harris tha se Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralalisht me paralajmërimin për sanksione.
“Kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” tha zonja Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne kemi përgatitur masa ekonomike që do të jenë të shpejta, të rënda dhe të koordinuara,” tha ajo. “Ne do të vëmë në shënjestër institucionet financiare dhe industritë kryesore të Rusisë.”
Por udhëheqësit perëndimorë këmbëngulin se ka ende vend për përpjekjet diplomatike.
“Historia nuk është shkruar ende: ka një rrugë tjetër që qeveria ruse mund të zgjedhë në çdo kohë,” tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pas një takimi të ministrave të jashtëm perëndimorë.
“Mesazhi ynë i përbashkët për ta është shumë i qartë: Mos e bëni këtë gabim fatal. Tërhiqni trupat. Le të flasim.”
Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelenskiy i cilu u takua me zonjën Harris në Mynih të shtunën tha se vendi i tij po kërkon “paqe”.
Ai bëri thirrje më pas në Konferencën e Mynihut se për një takim të fuqive globale për të marrë garanci të reja sigurie për Ukrainën, sepse siç tha ai sistemi aktual global është shumë i dobët.
Zoti Zelenskiy u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të aleancës së NATO-s që të jenë të sinqertë nëse duan apo jo që Ukraina të anëtarësohet.
(Zëri i Amerikës)