Beteja e parë dëshmoi epërsinë e përgatitjes përballë natyrshmërisë, të përgjigjeve të stërvitura përballë batutave të çastit
Nga Ruben Avxhiu
Debati i parë presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump ka përfunduar me fitoren e kandidates demokrate.
Po vështirë të thuhet se njerëzit do të ndryshojnë mendim apo do të pushojnë së qeni të pavendosur për shkak të këtij debati.
Madje, pjesa e parë e debatit mund të thuhet se pati Donald Trump si fitues, nëse bazohesh në të dhënat e mbledhura nga reagimet e të pavarurve në grupet e testimit. Sidomos fjalët e tij kundër politikanëve në përgjithësi, kundër Hillary Clinton që sipas tij po përsëriste gjëra që janë thënë për 30 vjet me radhë pa bërë asnjë ndryshim të gjitha reflektuan pozitvisht me publikun.
Por Hillary Clinton kishte ardhur shumë më e përgatitur në debat. Në fakt, ekipi i kandidatit republikan e kishte nënvizuar faktin se ai refuzonte të përgatitej. Përgatitja është shpesh metodologji për hilet e debatimit dhe ai është shprehur se beson në përgjigjet e tij të natyrshme e të pastisura.
Pas debatit, të sotëm, ai mbase duhet ta rishikojë këtë pikëpamje.
Hillary Clinton erdhi duke u përmirësuar me shpejtësi. Pjesë e suksesit ishin padyshim disa batuta të parapërgatitura që tingëlluan bukur gjatë debatit, si dhe aftësia e saj për ta bërë rivalin e saj nervoz. Trump ishte shpesh i nervozuar dhe rrëshqiti disa herë në ngritje të zërit dhe të folur të shpejtë që lënë përshtypje negative te telespektatorët.
Ish-Sekretarja e Shtetit madje tha edhe një batutë për vetë përgatitjen. Duke bërë sikur nuk kuptoi një shpoti të Trump për sëmurjen e saj, ai i tha: “e di që tallesh me mua se jam përgatitur për debat. Por po të them se jo vetëm që jam përgatitur për debat, po jam përgatitur mirë edhe që të bëhem Presidente e këtij vendi”.
Sulmet nga Hillary Clinton ishin të llogaritura mirë për të prekur segmente e ndryshme të elektoratit. Ajo u ndal me detaje te profesionet që kishin kontraktorët të cilëve Trump refuzoi t’i paguante në Atlantic City. Ishte një sinjal për biznesin e vogël.
Ajo i kujtoi se si ishte hedhur në gjyq dhe kishte humbur nga federalët për shkak të diskriminimit racor në dhënien e apartamenteve me qira, një sinjal për votuesit afrikano-amerikanë.
I përmendi ish-Miss Universe, një hispanike, e cila thotë se Trump e thërriste “Zonja Pastruese e Shtëpisë”, për shkak të prejardhjes së saj hispanike. “Ajo ka një emër, Alicia Machado. Është tashmë qytetre amerikane dhe do të votojë këtë vit për herë të parë”, tha Clinton. Goditja kishte në shënjestër votueset gra dhe latino-amerikanët.
Ndryshe nga ajo, sulmet e Donald Trump ishin në ajër. Të pamenduara mirë, reagime të çastit dhe shfryrje inati. Kjo sjellje në debate mund të ketë sukses, por mund edhe të të ndëshkojë. Në fakt, ai eci mirë fillimisht, por filloi të nervozohej e të humbte durimin me kalimin e kohës.
Një tërheqje hundësh e vazhdueshme ia bëri akoma edhe më të vështirë debatimin.
Trump ia kujtoi Hillary Clinton se kishte thënë dikur për afrikano-amerikanët e përzjerë në krime se ishin supergrabitqarë, apo se kishte fshirë për të fshehur 30 mijë mesazhe me e-mail, apo se kishte lejuar që ISIS të krijohej e të forcohej kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.
Po përgjigjet nga Clinton ishin të formuluara me kujdes për efekt maksimal.
Duke numëruar arsyet e mundshme se pse Trump nuk pranon të tregojë dokumentet e taksave, ajo e preku aty ku ishte e sigurtë se do ta nervozonte.
“Mbase nuk është aq i pasur sa mburret që është”, tha ajo. “Mbase ka frikë se i del sesa pak ka dhënë për bamirësi”.
Ajo hamendësoi që Trump mund të jetë i mbytur në borxhe te Wall Street ose nga bankat e huaja. (Sinjal këtu për lidhjet me Rusinë).
Clinton pastaj vijoi me pjesën e përgatitur mirë, se mbase nuk dëshiron që të shohim se si nuk ka paguar asnjëherë taksa. “Se ka dhënë zero për ushtarët tanë, zero për shkollat tona, zero për shërbimet për të cilat ka aq shumë nevojë ky vend”.
Kandidati republikan nuk përmbahej më, po debati kishte hyrë aty ku donte Clinton.
“Po t’i kisha paguar do t’i kishit shpërdoruar edhe ato si bëni me të gjitha fondet në qeveri”, tha ai, duke shkrepur teorinë në rrjetet sociale se sapo kishte pranuar në televizion se nuk ka paguar vërtet asnjëherë taksa.
Trump la përshtypje të mira në disa drejtime. Ndryshe nga retorika e tij në mitingjet zgjedhore dhe në Tuitër, ku i referohet rivales së tij si Hillary Hajdutja, ai e trajtoi me respekt duke iu drejtuar gjatë debatit si Sekretarja Clinton, si është protokolli për dikë që ka qenë Sekretare e Shtetit.
Kandidati republikan gjithashtu tha se ishte menduar mirë dhe në fund vendosi të mos i thoshte disa fjalë të rënda për Hillary Clinton dhe familjen e saj. Nënkuptimi ishte i qartë. Ai ka përmendur rregullisht më parë historitë e marrëdhënieve jashtëmartesore të ish-Presidentit Bill Clinton duke e akuzuar si përdhunues dhe Hillary Clinton si ndihmuese në përdhunim dhe mbyllje gojën të viktimave. Garat presidenciale amerikane nuk kanë njohur nivele kaq banale ndonjëherë në kohën moderne. Trump ishte përgatitur të bënte diçka të ngjashme në debat, por në fund për fatin e mirë të civilizimit në politikën amerikane ka hequr dorë. (Disa komentues thanë se edhe vetëlavdërimi për heqjen dorë ishte pa vend.)
Në mbyllje të debatit ishte Trump që bëri surprizën e fundit. I pyetur nga moderatori nëse do të pranonin humbjen në zgjedhje nëse ndodhte, Trump tha se do ta mbështeste tërësisht Hillary Clinton si presidente. Për një kandidat që dyshohet dhe akuzohet se po përhap mungesë besimi në sistemin zgjedhor të vendit, kjo ishte një lëvizje shumë pozitive.
Duke u bazuar në reagimet në internet, mbështetësit e Hillary Clinton ishin pala më e lumtur pas mbarimit të këtij debati. Po fjalia më përshkruese e dyelit ndoshta ishte ajo e gazetarit Frank Lutz: “Trump është më i mirë në paraqitjen e problemeve, Clinton në ofrimin e zgjidhjeve”. Në fund, njerëzit do të vendosin nëse do të duan presidentin që është shqipton më mirë frustrimin e tyre, apo atë që ofron përgjigje të detajuara të zgjidhjeve që ofron. Kjo e dyta duket si alternativa më e mirë, po njerëzit shpesh votojnë me instikt që është karakteristika më e vështirë për t’u parashikuar. (Ruben Avxhiu)