Komshiq e Xhaferoviq e dënojnë agresionin rus në Ukrainë

Sarajevë, 22 shkurt 2022 – Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, kroati Zhelko Komshiq, dhe anëtari i Presidencës, boshnjaku Shefik Xhaferoviq, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë.

“Rusia kreu sulm në territorin e Ukrainës”, ka thënë Komshiq.

Ai ka thënë se ky akt i Rusisë duhet të dënohet fuqishëm nga OKB dhe bota demokratike.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara duhet të respektohet. Kjo garantohet me ligjin ndërkombëtar. Veprimet e dhunshme nga shtetet individuale që kanë aspirata ushtarake për territoret e një shteti tjetër duhet të dënohen fuqishëm dhe të ketë reagim nga institucionet e OKB-së dhe bota e civilizuar”, ka theksuar Komshiq.

Edhe Xhaferoviq është shprehur për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ai e kadënuar edhe njohjen e dy entiteteve lindore të Ukrainës nga Rusia.

“Bosnja dhe Hercegovina respekton dhe mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Unë dënoj vendimin e Federatës Ruse për të njohur dy rajonet ukrainase si shtete, gjë që përbën shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”, tha Xhaferoviq.

Bota perëndimore është zotuar se do ta ndëshkojë me sanksione të ashpra Rusinë për agresionin ndaj Ukrainës. Gjermania dhe Britania tashmë kanë vendosur sanksionet e para.

(r.m.)