Banjallukë, 22 shkurt 2022 – Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, tha më 22 shkurt se ky shtet duhet të qëndrojë “krejtësisht neutral” sa i përket zhvillimeve në Ukrainë.
Dodik komentoi deklaratat e dy anëtarëve të tjerë të Presidencës të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefiq Xhaferoviq, të cilët e dënuan agresionin rus ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Dodik tha se ata kanë keqpërdorur situatën.
“Ky nuk është qëndrimi i Bosnje e Hercegovinës. Presidenca është përgjegjëse për drejtimin e politikës së jashtme. Ata në këtë mënyrë po vazhdojnë ta përçajnë Bosnjën, të dalin nga organet zyrtare. Qëndrimi i tyre mund të konsiderohet si qëndrim privat”, tha Dodik.
Sipas tij, gjëja më realiste që mund të pritet nga Bosnje e Hercegovina në këto momente është që të qëndrojë neutrale.
“Që të gjithë kemi simpatitë tona, nëse dëshironi unë mund të flas për simpatitë e mia personale, por mendoj se është e panevojshme që ta bëj tani. Fakti që Komshiq dhe Xhaferoviq u rreshtuan flet se nuk iu intereson Bosnje e Hercegovina dhe nuk e përfaqësojnë atë”, tha ai.
Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, e njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, dhe urdhëroi dërgimin e trupave ruse në atë zonë.
(REL)