Bashkimi Evropian vendos sanksione ndaj Rusisë

Bruksel, 22 shkurt 2022 – Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime kanë miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë lidhur me veprimet e tyre në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve e miratuar të martën “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.

Sipas tij, sanksionet do të prekin anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe të individëve të përfshirë në miratimin e dislokimit të trupave ruse në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Borrell tha se sanksionet po ashtu do të afektojnë politikat financiare të Rusisë të lidhura me Ukrainën, duke kufizuar qasjen në tregjet financiare të BE-së.

“Kjo punë nuk ka përfunduar”, tha Borrell duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.

Më herët gjatë të martës, krerët e Këshillit dhe Komisionit Evropian thanë se sanksionet e bllokut 27 anëtarësh do të përfshinin:

Ata thanë se sanksionet, që pritet të miratohen në përgjigje të vendimit të Rusisë për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës, janë:

  • Shënjestrimi i të përfshirëve në këtë vendim joligjor
  • Shënjestrimi i bankave që financojnë ushtrinë ruse dhe operacionet e tjera në këto territore
  • Shënjestrimi i aftësisë së shtetit rus dhe Qeverisë në qasjen në kapitalin e BE-së, tregjet financiare dhe shërbimet, për të kufizuar financimin e politikave shkallëzuese dhe agresive.
  • Shënjestrimi i tregtisë nga dy rajonet lindore me BE-në, që të sigurohet që personat përgjegjës të kenë pasoja ekonomike për veprimet e tyre joligjore dhe agresive.

Po ashtu, Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

(REL)