Uashington, 22 shkurt 2022 – Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska e ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke e sulmuar Ukrainën.
Sanksionet përfshijnë jo vetëm bankat ruse, por edhe borxhin sovran të Rusisë.
Sanksionet do të zbatohen ndaj bankës “VEB” dhe ndaj “Promsvyazbank”, e cila shërben si bankë e ushtrisë ruse dhe kryen transaksionet në fushën e mbrojtjes.
Nga dita e mërkurë, sanksionet do të fillojnë edhe ndaj elitave ruse dhe familjarëve të tyre.
Presidenti Biden tha se një goditje e tillë ndaj borxhit sovran të Rusisë, do të thotë se praktikisht Rusisë do t’i ndërpritet financimi perëndimor.
“Askush prej nesh nuk do të mashtrohet” nga pretendimet e Presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, duke folur nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha se këto janë vetëm “transheja e parë” e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë të përgatitura për të vendosur, nëse Rusia bën një sulm më të gjerë ndaj Ukrainës.
“Ai po krijon një racionalitet për të marrë më shumë territore me forcë”, tha Presidenti Biden për komentet më të fundit të Presidentit rus Vladimir Putin.
“Ky është fillimi i një sulmi rus ndaj Ukrainës”, theksoi ai.
Presidenti Biden tha se po autorizon gjithashtu dislokimin e forcave amerikane drejt vendeve balltike në krahun lindor të NATO-s pranë kufirit me Rusinë, në shenjë solidariteti përballë rrezikut rus.
Presidenti Biden u bashkohet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ranë dakort të martën të vendosin sanksionet e para ndaj zyrtarëve rusë, për shkak të veprimeve të tyre ndaj Ukrainës.
(Zëri i Amerikës)
Diktatorët marrin vesh vetëm gjuhën e forcës. Këto sanksione që në fillim të sulmeve janë një shenjë e mirë që tregojnë se bota perëndimore është e bashkuar dhe do të veprojv ashpër ndaj cdo lloj pushtimi të territoreve të vendeve të pavarur. Besoj se dhe Vucici e mori një përgjigje për ëndërrat e tij lidhur me Mitrovicën e Veriut…