Empire State Building bëhet e kuqe për Donald Trump dhe blu për Hillary Clinton

Ndërtesa më e famshme në New York, ajo e Shtetit të Perandorisë, “Empire State Building” ndezi dritat e kuqe pas lajmit se Donald Trump kishte fituar garën republikane dhe pastaj u kthye në blu, kur u dha lajmi se Hillary Clinton kishte fituar në krahun tjetër.
Ndërtesa e njohur ndryshon shpesh dritat e saj për të nderuar me anë të ngjyrave, ngjarje e simbole të ndryshme.
Në këtë rast, ajo ka dhënë lajmin e rezultateve me mënyrën e saj për qytetin.
Trump dhe Clinton udhëheqin garën në partitë përkatëse dhe pritej të fitonin edhe në shtetin e tyre. (Ruben Avxhiu)

blu

Donald Trump shpallet fitues në New York pas vetëm 60 sekondave

Pas mbylljes së kutive të votimit, u deshën vetëm 60 sekonda që media të shpallte fitoren e kandidatit Donald Trump në New York.
Ai nuk i ka zhgënjyer parashikimet. Manjati i pronave të patundshme që ka dhjetëra ndërtesa këtu në metropolin e madh botëror ka fituar bindshëm zgjedhjet në shtetin që e quan shtëpi të tij.
Dy rivalët e tij, John Kasich dhe Ted Cruz bënë gjithësesi fushatë duke shpresuar për votën e republikanëve që druhen nga retorika e skajshme e kandidatit kryesor, sidomos votën e republikanëve hispanikë.
Por rezultati flet vetë: Trump mori 89 delegatë, Kasich 4 dhe Cruz 0.
Trump shpresonte të kapte 80 deri ne 85 nga 95 delegatë gjithësej, kështu që me këtë rezultat i ka kapërcyer parashikimet.
Tani ai është një hap më afër kapjes së 1,237 delegatëve që do t’i duheshin për fitoren e sigurtë në Konventë. Bashkë me delegacionin nga New York-u i bëhen 845 gjithësej. Ted Cruz ka 559, Rubio që ka dalë nga gara 171, Kasich 148 etj.
Duke folur përpara zgjedhësve, të mbledhur në ndërtesën e quajtur në mënyrë të përshtatshme, Trump’s Toëer (Kulla e Trampit), kandidati republikan tha se gara ka mbaruar praktikisht.
“Cruz ka dalë jashtë loje sot”, tha Trump.
Në një intervistë që dha një ditë më vonë, ai ishte gati biblik në retorikën e tij. “Mjaft me këta kandidatë që nuk fitojnë dot. Unë jam ai që duan Republikanët. Unë jam Lajmëtari”.

Trump mori 60.4% të votave (524,932)
Kasich 25.1% (217,904)
Cruz 14.5% (126, 151)

Hillary Clinton fiton në New York: Kësaj here ishte personale

Tani e ka radhën Hillary.

Nuk u shpall aq shpejt sa gara e Republikanëve, por nuk ka më dyshim tani se Hillary Clinton ka fituar në New York, shteti ku ajo banon që nga viti 2000.
Ish-Sekretarja e Shtetit udhëheq me siguri garën presidenciale në Partinë Demokrate, por një humbje në New York do të ishte shumë e rëndë për imazhin e saj.
Bernie Sanders luftoi fort, bëri shumë takime, shpenzoi më shumë se rivalja e tij në këtë shtet por duket se nuk ka mundur të ndryshojë modelin e votës që është parë edhe në shumë shtete të tjera. Sipas anketimeve, shumica e të bardhëve kanë votuar për senatorin nga Vermonti, por Hillary Clinton ka dalë në krye në sajë të votës së komuniteteve etnike e racore, afrikano-amerikanëve, hispanikëve etj.
Shqiptarët në New York bënë gjithashtu shumë fushatë në mbështetje të kandidates Clinton, ndonëse një numër të rinjsh e studentë, ashtu si në 2008, donin një kandidat më të majtë dhe mbështetën Bernie Sanders.
Hillary Clinton duket se ka fituar në shumë nga zonat ku jetojnë shqiptarët, sidomos në Bronx, ku ka marrë mbi 70% të votës, por edhe në Brooklyn, ku Sanders dukej se kishte mbështetjen më të fortë.
11,054,083 vetë votuan për Hillary Clinton, apo 58%.
Bernie Sanders mori 763,469 vota, ose 42%.
Në bazë të këtyre votave, Hillary Clinton ka siguaruar edhe 175 delegatë të tjerë për në Konventën Kombëtare, kurse Bernie Sanders vetëm 106.
10 delegatë demokratë nga shteti New York mbeten ende të pacaktuar.

Ky rezultat e thellon edhe më tepër distancën e ish-Sekretares së Shtetit, nga rivali i saj. Clinton ka tani 1,930 delegatë, kurse Sanders 1,189.
Që të sigurojë fitoren, pa u mbledhur Konventa, asaj i duhen 2,472 delegatë, një numër tashmë i kapshëm në horizont, pas fitores njujorkeze.
Jo më kot kampi zgjedhor i Hillary Clinton ishte në festë të plotë pas rezultateve.
“Zgjedhjet e sotme më kujtuan edhe një herë se pse nuk ka si shtëpia”, tha Clinton në fjalimin e fitores. “Kësaj here ishte personale”.
Vërtet që një debati në Partinë Demokrate nuk kishte qenë asnjëherë më i shëmtuar se në New York. Sanders sulmoi kësaj here pa kursyer asgjë. Ai madje vuri në dyshim kualifikimet e saj për t’u bërë Presidente e Amerikës, një akuzë që pritej më shumë nga Republikanët por jo nga një koleg demokrat.
Po edhe Clinton nuk e kurseu. Sidomos duke vënë gishtin në plagën mbase të vetme politike të socialistit Sanders, punën e të drejtës për armëmbajtje. Ndryshe nga shumica e liberalëve, Sanders është treguar i kujdesshëm me këtë temë shumë të ndjeshme për amerikanët.
Kampi Clinton e ka paraqitur kujdesin si shpërfillje për viktimat. Vajza e drejtoreshës së shkollës që u vra në Sandy Hook, bashkë me shumë fëmijë në tragjedinë që tronditi Amerikën, u ndesh ballë për ballë me senatorin veteran duke e vënë në vështirësi që të shpjegonte ngurrimin e tij për një ligj që do të kufizonte armëmbajtjen.
Nga ana e tij, Sanders ka zhvarrosur një fjali të thënë nga Hillary Clinton në 1994, për kriminelët në geto si “superpredatorë”. Ai e ka quajtur shprehjen raciste dhe të përdorur vetëm për zezakët dhe jo për kriminelët e bardhë. Sanders u përpoq shumë që të dëmtonte mbështetjen që ish-Zonja e Parë e Amerikës ka mes pakicave. Në fund, asgjë nuk ndryshoi.
Sanders është kthyer pas humbjes në Vermont dhe ka bërë një ditë pushim. Disa zëra thonë se mund ta ndërpresë garën. Sot, që gazeta del në shtyp, mbase do të ketë një deklaratë sqaruese prej tij.