Sarajevë, 24 shkurt 2022 – Forca e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë, e njohur si EUFOR, ka bërë të ditur të enjten se do të angazhojë rreth 500 pjesëtarë shtesë në këtë shtet, si masë mbrojtëse.
Në njoftim thuhet se vendimi është marrë për të mbështetur në mënyrë më efikase partnerët në Bosnë e Hercegovinë dhe për të siguruar një ambient të sigurt.
“Përkeqësimi i situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar ka potencial të përhapë jostabilitet në Bosnje-Hercegovinë. Angazhimi i këtyre forcave është masë parandaluese për të forcuar stabilitetin në Bosnje, përmes pozicionimit të forcave të mjaftueshme”, thuhet në njoftim.
EUFOR është angazhuar në Bosnje-Hercegovinë prej vitit 2004.
Aktualisht ka rreth 3,500 pjesëtarë, prej të cilëve rreth 600 janë të angazhuar në këtë shtet.
Personeli shtesë do të niset nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia.
Megjithatë, EUFOR ka thënë se vlerëson që aktualisht nuk sheh ndonjë kërcënim që do të kërkonte mbështetjen e forcës.
Njoftimi i EUFOR-it vjen në ditën kur Moska ka marrë vendim për pushtim të Ukrainës.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e kanë paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Moskës.
(REL)