Uashington, 24 shkurt 2022 – Organizata Freedom House tha të enjten se liria në botë përballet me një kërcënim të skajshëm dhe armiqtë e demokracisë liberale, po shtojnë sulmet e tyre.
Në raportin vjetor të Freedom House të vitit 2022, që u publikua të enjten, thuhet se regjimet autoritare janë bërë më të efektshme në anashkalimin e normave dhe institucioneve që synojnë të mbështesin liritë themelore, ndërsa në vendet me demokraci të krijuar prej kohësh, forcat e brendshme kanë shfrytëzuar mangësitë në sistemet e tyre, duke shtrembëruar politikën kombëtare për të nxitur urrejtjen, dhunën dhe pushtetin e pafre.
Ndërkohë, ato vende që kanë luftuar në hapësirën midis demokracisë dhe autoritarizmit, thuhet në raport, “po anojnë gjithnjë e më shumë drejt këtij të fundit. Rendi global po i afrohet një pike kthese dhe nëse mbrojtësit e demokracisë nuk punojnë së bashku për të ndihmuar në garantimin e lirisë, modeli autoritar do të mbizotërojë”.
Kërcënimi aktual për demokracinë, sipas raportit, është rrjedhojë e 16 viteve me radhë të rënies së lirisë globale. Gjithsej 60 vende pësuan rënie gjatë vitit të kaluar, ndërsa vetëm 25 shënuan përmirësime. Deri më sot, rreth 38 për qind e popullsisë në botë jeton në vende jo të lira, përqindja më e lartë që nga viti 1997. Vetëm rreth 20 për qind tani jeton në vende të lira.
Raporti thekson se për pjesën më të madhe të shekullit të 21-të, kundërshtarët e demokracisë kanë punuar me këmbëngulje dhe frytet e përpjekjeve të tyre tani janë të dukshme.
“Udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe diktaturave të tjera, kanë arritur të ndryshojnë nxitjen globale, duke rrezikuar konsensusin se demokracia është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt përparimit dhe sigurisë, ndërsa inkurajojnë qasje më autoritare ndaj qeverisjes”.
Freedom House vë re se vende në të gjitha rajonet e botës, janë vënë nën kontroll nga pushtetarët autoritarë vitet e fundit. Vetëm në vitin 2021, presidenti aktual i Nikaraguas fitoi një mandat të ri në një palë zgjedhje të orkestruara pasi forcat e tij të sigurisë arrestuan kandidatët e opozitës dhe çregjistruan organizatat e shoqërisë civile. Gjeneralët e Sudanit morën pushtetin edhe një herë, duke përmbysur përparimin demokratik të arritur pas përmbysjes së ish-diktatorit Omar al-Bashir, në vitin 2019. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara tërhoqën papritur ushtrinë e tyre nga Afganistani, qeveria e zgjedhur në Kabul u shpërbë duke u lënë hapësirën talebanëve, që e kthyen vendin në një sistem që është diametralisht i kundërt me demokracinë, pluralizmin dhe barazinë.
Në të njëjtën kohë, thuhet në raport, demokracitë po dëmtohen nga brenda nga forcat joliberale, duke përfshirë politikanë të paskrupullt të gatshëm për të korruptuar dhe shkatërruar vetë institucionet që i sollën në pushtet. Kjo ishte ndoshta më e dukshme vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, kur u sulmua Kapitoli më 6 janar, si pjesë e një përpjekjeje të organizuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Tani është e pamundur të injorohet dëmtimi i themeleve dhe namit të demokracisë, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se, regjimet e Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera autoritare kanë fituar fuqi të madhe në sistemin ndërkombëtar.
Gjendja aktuale e lirisë në botë duhet të jetë alarm për të gjitha ta ata që vlerësojnë të drejtat e tyre dhe ato të qenieve njerëzore, thuhet në raport, në të cilin theksohet se për të ndaluar rënien, qeveritë demokratike duhet të forcojnë ligjet dhe institucionet e brendshme, duke ndërmarrë veprime të guximshme dhe të bashkërenduara për të mbështetur luftën për demokraci në mbarë botën.
Freedom House radhiti vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Në këtë kategori përfshihen 56 nga 195 vendet për të cilat flet raporti.
Serbia ka shënuar rënie në dhjetë vjetët e fundit. Ndërsa përparime thuhet të jenë shënuar në Malin e Zi, ku “një koalicion opozitar erdhi në pushtet në fund të vitit 2020, duke u dhënë fund tre dekadave të qeverisjes nga Partia Demokratike e Socialistëve. Qeveria e re vendosi më pak pengesa për konkurrencën politike, i dha transmetuesit publik më shumë pavarësi dhe shumica e saj e ngushtë parlamentare lejoi ligjvënësit të sigurojnë mbikëqyrje më të madhe të qeverisë”.
(Zëri i Amerikës)