Edi Rama dhe Ilir Meta firmosin paktin në Shkodër – Të pranishëm eurodeputetja sllovene Tanja Fajon dhe ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes bëhet në kuadrin e konferencës së partive të majta
E majta shqiptare i ka dhënë fund ndasive dhe përçarjes së gjatë, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe LSI-së, në kuadër të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
Edi Rama dhe Ilir Meta pasditen e së hënës hodhën firmat e tyre në atë që ata e quajtën një kartë parimesh, e cila konsiderohet si një marrëveshje paraelektorale.
Sipas dy liderëve, kjo marrëveshje hedh piketat e përbashkëta se si këto dy forca politike do të qeverisin vendin pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë konferencës së Partisë Socialiste Europiane me liderët e së majtës ballkanase, ku Rama dhe Meta
Ne sot jemi bashkë për të filluar një rrugë të re dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re / Bashkimi i forcave të majta shqiptare është një aksion historik dhe i domosdoshëm për një ndryshim substancial për vendin
Edi Rama dhe Ilir Meta evidentuan në fjalën tyre rëndësinë që merr bashkimi i së majtës në këto kohë kritike që po kalon Shqipëria.
“Ne sot jemi bashkë për të filluar një rrugë të re dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re. Vendimin për të firmosur në Shkodër bashkë me kreun e LSI marrëveshjen që do t’u kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi. Kemi rënë dakord për një marrëveshje që nis me një kartë parimesh”, deklaroi Rama.
“Në emër të këtij bashkëpunimi dhe së ardhmes evropiane, LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS dhe zotit Rama, për të bashkuar të majtën dhe të gjitha forcat opozitare për zgjedhjet e 23 qershorit. Bashkimi i forcave të majta shqiptare është një aksion historik dhe i domosdoshëm për një ndryshim substancial për vendin”, tha nga ana tjetër Ilir Meta.
Detajet e kartës se parimeve i lexuan Taulant Balla për PS dhe sekretari për marrëdhëniet me jashtë në LSI, Ralf Gjoni.
“Me shqetësimin e përbashkët për situatën kritike të demokracisë dhe ekonomisë në vend, me institucionet që kanë dalë jashtë kontrollit kushtetues dhe qytetar dhe janë kthyer në vegla të partisë në pushtet, vendosim të bashkohemi në Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, deklaruan njëzëri Balla dhe Gjoni.
Një ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjes është edhe ajo e ndarjes së qeverisë nga Parlamenti. Deputetët nuk do të jenë ministra, çka nënkupton që edhe nëse zgjidhen në Kuvend, ata do të japin dorëheqjen pas emërimit në kabinetin qeveritar.
Kjo, sipas burimeve brenda dy partive, bëhet për të forcuar rolin e Parlamentit dhe për të fokusuar qeverinë në punë dhe në raportimin në Kuvend.
Kjo marrëveshje e nënshkruar nga PS dhe LSI është përshëndetur nga eurodeputetja Tanja Fajon dhe ish-presidenti serb Boris Tadiç.
Në një videomesazh nga Brukseli, koalicionin e dy partive më të mëdha të së majtës e ka përshëndetur edhe presidenti i Partive Europiane Socialiste, Sergej Stanishev, ai që bëri i pari apelin për një bashkim mes tyre gati një muaj më parë.
Edhe “partia e grekëve” në xhepin e Edi Ramës: PS aleancë me PBDNJ-në
Kreu PBDNJ-së Vangjel Dule ngjiti shkallët e selisë rozë për t’i thënë ‘Po’ ftesës së Edi Ramës për të qënë edhe ai pjesë e koalicionit të majtë.
Pas takimit qe zgjati rreth 40 minuta, Rama dhe Dule dolën në një deklaratë për median ku pohuan dakortësinë e bashkëpunimit dhe qe lideri i opozites e quajti, Aleanca për Shqipërinë Europiane. As Rama dhe as Dule nuk dhanë detaje se çfarë specifikash përfshihen në paktin e arritur mes tyre.
“Unë jam shumë i kënaqur, që me mikun tim, me kolegun Vangjel Dule, me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kemi dakortësuar që të hymë së bashku në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane”, tha Rama.
“Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka nisur rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurtë. Eshtë momenti më kulmor, që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët, të realizohet rrotacioni i shumëdëshiruar, një rrotacion, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim, besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e këtij objektivi madhor”, tha Dule.
Burime nga Partisë Socialiste i thanë Top Channel se gjatë ditës së martë pritet finalizimi i një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste dhe Skënder Gjinushit të Partisë Socialdemokrate së bashku Paskal Milon nga Demokracia Sociale.
Mbetet i paqartë për momentin, pozicionimi AK-së së Kreshnik Spahiut, nëse edhe ai do t’i bashkohet koalicionit të majtë apo do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit.
Të martën pakti me PDS e PSD
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me LSI dhe PBDNJ, Partisë Socialiste i mbetet vetëm firmosja me aleatët e tjerë të majtë.
Sipas informacioneve të fundit, marrëveshja me partitë e Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos pritet të nënshkruhet të martën.
Ndërkohë, mbetet i paqartë qëndrimi i Aleancës Kuqezi, kur kanë ngelur edhe 24 orë për të mbyllur koalicionet.