UEFA e zhvendos ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve nga Rusia në Francë

Nion, 25 shkurt 2022 – UEFA njoftoi të premten se ka marrë vendim që ndeshja finale e Ligës së Kampionëve që ishte planifikuar të zhvillohej në Shën Petersburg të Rusisë të zhvillohet në Paris.

Ndërkaq ndeshjet e klubeve dhe ekipeve kombëtare të Ukrainës dhe të Rusisë do të zhvillohen në vende neutral.

Këto vendime janë marrë pas agfresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Organizata europiane e futbollit njoftoi se do të “mbështesë plotësisht përpjekjet shumëpalëshe për të miratuar një klauzolë për të shpëtuar futbollistët dhe familjet e tyre në Ukrainë që përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore dhe zhvendosje.”

UEFA e falënderoi presidentin francez, Emmanuel Macron, për “mbështetjen dhe angazhimin e tij personal” për çështjen e ndeshjes finale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë telefonike me gazetarë e cilësoi sit ë turpshëm vendimin e UEFA-s për finalen e Ligës së Kampionëve.

“Është e turpshme që është marrë një vendim i tillë. Shën Petersburgu mund të kishte ofruar të gjitha kushtet e favorshme për ndeshjen finale”, ka thënë ai, transmeton Zëri i Amerikës.

Sekretarja e Kulturës e Mbretërisë së Bashkuar, Nadine Dorries, e cila është përgjegjëse për sportin, e mbështeti vendimin e UEFA-s.

“E mirëpres veprimin e vendosur të UEFA-s për t’ia hequr Shën Petersburgut të drejtën e organizimit të finales së Ligës së Kampionëve të këtij viti. Rusia nuk duhet të lejohet t’i shfrytëzojë ngjarjet sportive dhe kulturore në skenën botërore për të legjitimuar sulmin e saj të paprovokuar, të paramenduar dhe të panevojshëm kundër një shteti sovran demokratik”, tha ajo.

Stadiumi i Shën Petersburgut njihet si Stadiumi “Gazprom”, pasi ka një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë shtetërore ruse të energjisë, e cila sponsorizon gjithashtu Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian të Futbollit “Euro 2024”.

Një grup ligjvënësish evropianë i kishin kërkuar UEFA-s të enjten të ndryshonte vendin e ndeshjes finale të Ligës së Kampioneve dhe qytetet ruse të mos konsiderojë më për garat e mëdha ndërkombëtare të futbollit.

Ligjvënësit i kërkuan gjithashtu UEFA-s që të ndalojë sponsorizimin e Ligës së Kampionëve  nga “Gazpromi”.

(r.m.)