Një debat për antimitingjet dhe lirinë e shprehjes

Protestuesit që sabotuan mitingun e Donald Trump në Chicago mund ta kenë ndihmuar kandidatin republikan

Nga Ruben Avxhiu

A protestor demonstrates outside a campaign rally for U.S. Republican presidential candidate Donald Trump in Cadillac, Michigan, March 4, 2016. REUTERS/Jim Young

Pak kohë pas vendosjes së pluralizmit, Shqipëria përjetoi “anti-mitingun” e parë. Ishte në Tropojë, kur gjatë mitingut të parë të Partisë Demokratike të sapoformuar, ndërhynë protestues enveristë, të cilët mbajtën një miting brenda mitingut, që solli në fjalorin politik shqiptar shprehjen “anti-miting”.
Episode të tilla ndodhin kudo, po janë më të pranishme në periudha shndërruese e të paqendrueshme.
Shtetet e Bashkuara përjetoi një episod të tillë, të premten në Chicago, Illinois, ku një masë protestuesish kishin zënë një seksion të mitingut të kandidatit Donald Trump vetëm për ta kthyer në një anti-miting sfidues.
Situata u tensionua shpejt dhe me këshillën e policisë së Chicago-s, Trump nuk doli fare në foltore por njoftoi anullimin apo shtyerjen e mitingut. Ndonëse pati përleshje, policia dhe shërbimi sekret që ruan kandiatët druheshin rrezikut të përleshjeve masive me pasoja të rënda.
Anti-mitingjet gjithmonë shkaktojnë debate të forta emocionale, siç ndodh shpesh kur palët që debatojnë kanë të dyja të drejtë deri diku.
Krenaria e shumë çikagojanëve ishte pafund dhe lavdërimet vërshuan nga gjithë anët e Amerikës, madje edhe nga mbarë bota. Donald Trump shihet nga shumëkush si një lloj Hitleri në embrion. Gjuha e tij është përçarëse dhe nxit urrejtjen. Disa mbështetës të tij janë racistë, islamofobë, anti-semitë, ksenofobë, anti-emigrantë nativistë etj. Vetë Trump me deklarata provokuese se do të dëbojë gjithë emigrantët e paligjshëm, apo që do të ndalojë hyrjen e të gjithë myslimanëve në SHBA etj duket e ka kthyer në të pranueshme për në sferën publike gjuhën e urrejtjes.
Sikur të mos mjaftonin këto, incidente të dhunshme kanë ndodhur gjatë mitingjeve të tij dhe në disa raste vetë Trump ka përgëzuar mbështetësit e tij kur kanë rrahur ndonjë protestues të rastit.
Ndodh shpesh në takimet politike në SHBA që ndonjë protestues depërton në sallë dhe prish takimin duke shpalosur ndonjë slogan apo duke lëshuar thirrje në shërbim të ndonjë kauze, apo kundër apo përtej sheshit nga të ngarkuar për sigurinë e takimit apo vetë të pranishmit.
Ajo që nuk para ndodh është që të ftuarit të rrahin protestuesin e të lavdërohen e nxiten për këtë nga politikani në foltore. Në një rast Donald Trump madje premtoi t’i paguante paratë e gjyqit një prej mbështetësve të tij të dhunshëm, në rast se viktima e grushtimit do ta hidhte në gjyq.

Nuk është pra çudi që anti-mitingu në Chicago, u prit më gëzim nga shumë komentues. Për ta ishte populli që nuk duroi më gjuhën përçarëse dhe ndërhyri për të thënë ta ndalojë. Ndoshta Trump nuk është as Hitler e as Musolini, por gjuha e urrejtjes mund t’i sjellë dëme të jashtëzakonshme demokracisë amerikane dhe aftësisë së saj për të luftuar urrejtjen nëpër botë. Nuk mundet Amerika të kërkojë respekt për pakicat në botë, nëse zgjedh një president që vetë nuk tregon respekt për pakicat. Ekstremistë ka në çdo grup e parti politike, po dallimi është te sjellja e udhëheqësit. Trump refuzon të dënojë qartazi veprimet e skajshme, dhunën dhe mungesën e plotë të tolerancës. Trump nuk mund të fajësohet për sjelljen e ndonjë huligani në mitingjet e tij por është e pafalshme që ai rreket të gjejë justifikime për atë dhunë.

*
Po a është anti-mitingu rruga e duhur për të reaguar ndaj politikanëve që nuk na pëlqejnë?
Këtu debati fillon të ndërlikohet.
Në planin praktik, sabotimi i këtij mitingu e ka ndihmuar shumë fushatën e Donald Trumpit që tani po e paraqet veten si viktimë e dhunës së sistemit që ka frikë nga ndryshimet. Konservatorët dhe republikanët nuk kanë simpati për aktivizmin e majtë që sipas tyre shpesh përdoret për të mbrojtur kriminelë që fshihen pas kauzës së të drejtave të njeriut, as për lëvizje socialiste që sipas tyre ndëshkojnë ekonomikisht amerikanët dhe as për kauzën e paqes që sipas tyre përdoret për të fshehur anti-amerikanizmin.
Kjo protestë në Chicago mund ta ketë ndihmuar Trump në një javë shumë vendimtare në të cilën ai pret të përballet me senatorin Marco Rubio në Florida dhe guvernatorin John Kasich në Ohio.
Disa komentues u shprehën gjysëm me cinizëm, gjysëm me dëshpërim, se ndoshta Donald Trump i ka paguar këta njerëz që t’ia prishin mitingun, që të vetëreklamohet si njeriu që urrehet vërtet nga e majta dhe si rrjedhim kandidati më i mirë për Partinë Republikane në nëntor.
Pyetja që del pra në planin praktik është se cila është vlera e këtij anti-mitingu nëse ai më shumë e forcon sesa e dëmton një kandidat si Donald Trump.
Anti-trumpistët me teori të përbetimit në Partinë Republikane shohin te anti-mitingu, dëshirën e demokratëve për të pasur Donald Trump si kundërshtar në nëntor, gjë që do ta lehtësonte fitoren e demokratëve për të tretën herë në zgjedhjet presidenciale.
Domethënë sipas tyre anti-mitingu synonte ta forconte dhe jo ta minonte kandidaturën e Donald Trump.

Po debati më i ashpër është në planin parimor. E drejta e fjalës është e shenjtë në demokraci. Sado që të jesh kundër pikëpamjeve të një kandidati si Trump, kjo nuk justifikon që t’ia prishësh mitingun. Amendamenti i Parë, i sanksionuar në Kushtetutën Amerikëne, përfshin te liria e fjalës edhe të drejtën për t’u mbledhur.

Sepse, në fakt, kush është arbitër i mitingjeve të mira dhe ayre të këqia? Sot, një grup protestuesish ndërprenë një miting ku mbase kishte vërtet racistë, por nesër, një grup racistësh mund të ndërpresin një miting njerëzish që kanë një mesazh pozitiv.
Nëse turmat marrin leje nga shoqëria që të ndërpresin mitingje, atëhere mund të hapet loja për këdo.
Jo më kot, tani që po shkruaja këtë opinion, pashë se Donald Trump kishte kërcënuar kandidatin Bernie Sanders se nëse nuk u bënte thirrje mbështetësve të tij që të mos ia prishnin mitingjet, do t’i dërgonte ai njerëzit e tij që të prishte mitingjet e Berniet. Fushata e Bernie Sanders ishte përgjigjur se ky do të ishte një rast i mirë për njerëzit e Trumpit që të dëgjonin se çfarë thotë një kandidat i ndershëm dhe i sinqertë. Po kjo është një lojë e rrezikshme.
Udhëheqësit duhet të shohin gjithnjë se ku të çon rruga ku futen. Dhe rruga e mitingjeve dhe antimitingjeve të çon në situatën ku vetëm ata që kanë njerëz me muskuj e të dhunshëm do të jenë në gjendje të organizojnë mitingje. Të tjerët do të heshten. Kjo nuk është demokraci dhe liri fjale.
Prandaj për të shmangur situata të tilla, ekziton rregulli i lejes në polici. Ky rregull përdoret shpesh në Shqipëri e në vende të tjera për të vështirësuar mitingjet e opozitës, apo si pretekst për të ndërhyrë me dhunë kundër tyre.
Po në një vend demokratik si SHBA, leja nga policia është në fakt një thirrje për të mbrojtur mitingun nga anti-mitingjet. Përndryshe një grup të fortësh mund të vijnë lehtësisht dhe ta marin peng foltoren. Gjatë një mitingu në Oregon, dy aktiviste të lëvizjes “Jetët e Zeza Kanë Rëndësi” rrëmbyen mikrofonin nga Bernie Sanders dhe vijuan përreth 10 minuta t’u mbajne leksion politik mijëra vetëve të mbledhur për kandidatin. Në këtë rast, masa e mbledhur ishte në përgjithësi simpatizuese dhe lejoi rrëmbyesit që të vijojnë me deklaratat e tyre, por nëse mesazhi do të ishte i kundërt atëhere do të ishte një shkelje e të drejtës së fjalës.
Çfarë duhet të bëjnë organizatorët? Të rrihen me ndërhyrësit? Leja në polici është pra në fakt, një thirrje e policisë që të mos lejojë prishjen e veprimtarisë. Prandaj mund të shikoni pamje televizive ku protestuesit rrihen me policinë gjatë manifestimeve të organizatave ekstremiste në SHBA. Me ligj çdokush ka të drejtë të mblidhet dhe të protestojë.
Në planin e fushatës, pra, kushdo që u gëzua se u ndalua një miting nga Donald Trump, duhet të vijë në vete e të kuptojë se kjo mënyrë përballjeje është ajo që duan njerëzit që nuk kanë argumente dhe preferojnë përplasjen fizike. Garat presidenciale nuk janë si garat sportive. Nuk duhet të fitojë më i forti fizikisht. As nuk duhet të jenë përleshje numrash, se pakicat gjithmonë do të humbasin. Liria e shprehjes, e mbledhjes dhe e kërkimit të lumturisë duhet të jetë e pashkelshme. Dhe sprova më e mirë është kur duron pa shkelur shprehjen e urrejtjes. Ajo është fitorja më e madhe kundër saj.