Nga Fuat Memelli
Më 24 shkurt, në një ditë të bukur plot diell (edhe natyra e deshi Petrit Skënden), u përcoll për në banësën e fundit në qytetin Ëorcester pranë Bostonit, fizikanti dhe intelektuali i shquar, ndarë nga jeta pak ditë më parë. Rreth 120 veta, pjesëtarë të familjes, miq e shokë, shumica dardharë por edhe nga krahina të tjera të Shqipërisë që jetojnë në Amerikë, u mblodhën në kishën shqiptare “Fjetja e Shën Marisë”, ku u zhvillua ceremonia mortore. Pas ritualit fetar, në shqip dhe anglisht, u ngritën dhe folën dardharë(e), ish kolegë, shokë e miq të tij. Sotir Millona bashkëfshatar dhe shok prej 75 vjetësh me Petritin, ndër të tjera tha:” Petrit Skëndja përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë brenda e jashtë saj. Ne dardharët mburemi me figurën e tij”. Leni Millona, ishte një nga dardharet që vlerësoi gjithashtu figurën e tij.”Petrit Skëndja ishte elitë e intelektualëve shqiptarë. Jo vetëm Dardha por edhe Shqipëria, humbi një nga intelektualët dhe fizikantët më të shquar”. Me lotë në sy dhe zërin që i dridhej, foli ish studenti i Petritit, Daver Çano. Ndër të tjera ai theksoi se në familjen e tij, janë tre ish studentë të Petrit Skëndes: ai, gruaja Luljeta dhe djali Erjon Çano. “Për ndihmën që na ka dhënë ai, ne do t’i jemi përjetë mirënjohës”, theksoi folësi. Një mesazh jo vetëm ngushëllimi por edhe vlerësimi për figurën e Petrit Skëndes, kishte ardhur nga Tirana. E dërgonte Prof. Aleko Minga, figurë e shquar në fushën e matematikës. Tekstin e tij e lexoi ish studentja e Petritit, Luljeta Çano.”… Me Petritin kam qënë vëlla e shkuar vëllait dhe shumë njerëz duke ditur lidhjen time me të, më kanë dërguar dhjetra mesazhe ngushëllimi. Çfarëdo profesioni që të kishte zgjedhur Petriti, ai do të zinte një vend të nderuar në elitën e asaj fushe, pasi kishte në shkallën më të lartë kapacitetin intelektual, logjikën e mprehtë, thellësinë e pjekurinë e gjykimit si dhe shpirtin krijues. Ai ishte një personalitet shkencor dhe njeri me cilësi të rralla. Siç e ka cilësuar Prof. Pilika “fizika kishte nevojë për një shtyllë”. Dhe Petriti u bë një nga shtyllat kryesore të saj në vendin tonë”.
Sa për kujtesë për lexuesit që nuk i kanë parë shkrimet mëparëshme të botuara ditët e fundit për Pëtrit Skënden, kujtojmë se ai kishte mbaruar “shkëlqyeshëm” degën Matematikë-Fizikë, ishte për disa vjet petagog i fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, kryetar i Komitetit të Shkencës e Teknikës si dhe nën kryetar i Akadeisë së Shkencave.
Një fjalë prekëse mbajti në ceremoninë mortore, nipi i Petritit, Gjergj Konda, ardhur nga Washingtoni: ”…Petriti ka qënë modeli dhe frymëzuesi im në rrugën time të jetës. Ai dhe Teodor Laçua, i “përpinin” librat e shumtë që kishte në shtëpi mësuesi dardhar, Leonidha Çika. Petriti lexonte shumë dhe komunikonte në disa gjuhë. Kur foli në TVSH për Ajshtajnin, i mahniti të gjithë. Duke qënë njeri me zemër të madhe, ai gëzohej më shumë për suksesin e shokëve se sa për suksesin e tij. Mbaj mënd ditën kur u martua. Ishte data 23 korrik 1969. Atë ditë njeriu i parë zbriti në hënë. Qe një koincidencë e bukur dhe ai e kujtonte shpesh, pasi ishte një ngjarje e madhe që kishte lidhje edhe me fushën e tij si fizikan”.
Mesazhe të shumta ngushëllimi si dhe vlerësimi për figurën e Petrit Skëndes, kishin dërguar në emër të Akademisë së Shkencave, sekretari i saj Vasil Tole, Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar, Shoqata Pan Shqiptare “Vatra “ si dhe gazeta “ Dielli”. Në emër të Shoqërisë “Shpresa” me qendër në Dardhë, kishte dërguar mesazh ngushëllimi dhe vlerësimi, kryetari i saj, Niko Balli, vëllai i Petritit, Koli Skënde me banim në Dadhë që nuk mundi të vijë dot, intelektuali dardhar me banim në Tiranë, Arian Çika, etj, etj. Po ashtu shumë buqeda e kurora me lule të porositura nga Shqipëria, u vendosën te vendprehja e tij. Ishin ato si një “copëz” Shqipërie, të cilën Petriti nuk arriti ta shihte edhe një herë, ashtu siç e kishte patur dëshirë. Siç ka thënë Volteri ”Atdheu është vendi ku rrobërohet shpirti”. Dhe shpirti tij ishte i rrobëruar për Atdheun, pasi ishte larguar prej 20 vjetësh. Dhjetra telefonata iu bënë familjes nga të afërm, miq e shokë të Petritit, të cilët shprehnin jo vetëm dhimbjen por edhe vlerësimin për figurën e Petritit Skëndes, njeriut që nderoi jo vetëm Dardhën por edhe Shqipërinë. Dhe kjo ndodh kur njerëzit i ke dashur dhe ata të kanë dashur. Siç ka thënë Dostojevski:” Në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur”.