Bernie Sanders arrin një fitore të papritur ndonëse Hillary Clinton pritej të fitonte me më shumë se 20%
Nga Ruben Avxhiu
Jo vetëm që të gjitha anketimet nga të gjitha burimet paralajmëronin një fitore të Hillary Clinton, në Michigan, por parashikimet flisnin për një diferencë të madhe që mund të shkonte deri në 20% të votave.
Por në kutitë e votimit, miçiganasit preferuan demokrato-socialistin Bernie Sanders, që fitoi me rreth 50% to votës, ndërsa Hillary Clinton mori 48%.
Më herët, ish-Sekretarja e Shtetit kishte fituar edhe njëherë lehtësisht në një tjetër shtet të Jugut, ku mes demokratëve mbizotërojnë afrikano-amerikanët, Mississippi.
Strategjistët e zonjës Clinton po shpresonin se një fitore në Michigan do ta detyronte senatorin nga Vermonti që të dilte nga gara. Ky shtet, ndonëse në veri, ka shumë afrikano-amerikanë. Michigan është tronditur gjithashtu shumë nga skandali në Flint, ku familjet kanë pirë për vite ujë të helmuar, që ka shkaktuar problem të mëdha shëndetësore, sidomos të fëmijët. Hillary Clinton e kishte ndjekur për muaj këtë problem, duke fituar pikë politike në Michigan. Sot, ajo priste një fitore të madhë në këtë shtet që prodhon shumë delegatë.
Mirëpo, pas mbylljes së kutive dhe fillimit të numërimit të votave, u pa shumë shpejt se ky nuk ishte një rezultatet që do të dilte në minutat e para. Ndryshe nga anketimet, projektimet e bazuara nga votuesit gjatë ditës tregonin një garë gati të barabartë. Shumë anketues të njohur kanë djersitur sonte dhe janë ende duke kërkuar se ku gabuan.
Sigurisht asnjë prej tyre, nuk e sheh fajin te vetja. Disa thonë se votuesit pro-Clinton ranë në vetëkënaqësi dhe nuk dolën në masë për të votuar për kandidaten e tyre. Një ide tjetër është se njeëzit në Michigan janë të vështirë për t’u anketuar. (Lexo, testuesit tanë në këtë shtet kanë bërë një punë të dobët, por le t’ua vëmë fajin atyre që u morën në pyetje.)
Një tjetër justifikim që po përdoret shumë është se duke qenë se në Michigan, zgjedhjet brendapartiake janë me sistem të hapur, dmth që mund të votojnë edhe të pavarur që nuk janë republikanë, qindar mijëra të tillë janë përfshirë duke përmbysur parashikimet.
Në fakt, asnjëherë në historinë moderne të gati gjysëmshekullit të fundit, nuk ka pasur kaq shumë votues për zgjedhjet brendapartiake, sipas medias në shtetin Michigan. Gati 2 milionë e gjysëm njerëz kanë votuar. Mbase gati dy herë më shumë sesa normalisht. Kjo masë votuesish ka qenë vendimtare.
Përkrahësit e Bernie Sanders që kanë festuar mbrëmë, përsërisnin shpesh sloganin se kur populli del dhe voton në masë, revolucioni nuk mund të ndalet dot.
Ka plot elementë që mund të shpjegojnë suksesin e papritur të Sandersit në këtë natë. Afrikano-amerikanët që kanë qenë masivisht për Hillary Clinton, në këtë shtet kanë qenë më të balancuar, ndonëse përsëri më shumë kanë votuar për ish-Sekretaren e Shtetit. Kjo mund të nënvizojë dyshimin e përhershëm që kam pasur se problemi i Senatorit Sanders nuk është racor, por gjeo-kulturor dhe fetar. Sanders është shumë më tepër rezultativ me pakicat në veri, ku ato janë më së shumti urbane dhe liberale sesa në jug, ku ato janë më shumë të organizuara në komunitete të lidhura me kishat dhe janë konservatorë në planin social.
Një aktivist shkruante dje se në Dearborn (ku ka shumë arabë, por edhe shqiptarë), Sanders bëri fushatë dhe madje prodhoi edhe një reklamë në gjuhën arabe. Nuk është çudi që kjo pakicë të ketë votuar më shumë për senatorin pacifist nga veriu.
Por, Sanders, ashtu si edhe Donald Trump nga Republikanët ka një mesazh proteksionist kundër tregjeve të lira. Pak vende në SHBA kanë vuajtur nga globalizmi sa Michigan. Industri gjigande kanë humbur miliona vende pune.
Disa komentues kanë thënë dje se Trump dhe Sanders po premtojnë vende pune nuk do të kthehen më kurrë. Po kjo ndërsa nga një anë është një batutë e mirë politike, nga ana tjetër nënvleftëson faktin se vota e inatit nuk bazohet thjeshtë në shpresë. Ajo mobilizohet nga dëshira për të ndëshkuar dikë. Në këtë prizëm, emrat Bush dhe Clinton shihen të lidhura me dy dekadat e fundit që kanë pasuruar një pjesë të amerikanëve por kanë varfëruar shumë të tjerë. Në Michigan, dëshira për ndëshkim është e madhe.
Në këtë shtet jetojnë edhe një numër i madh shqiptarësh. Ndoshta Michigan vjen në vend të tretë për nga numri i shqiptaro-amerikanëve. Nuk është sekret se shumë shqiptarë duan zonjën Clinton që të fitojë dhe mund të kenë votuar për të. Ka shumë studentë nga ana tjetër që mund të jenë të prirur të votojnë më majtas siç ndodhi me senatorin Obama në 2008.
Kur vjen puna te numri i delegatëve që shkojnë në Konventën Kombëtare, Hillary Clinton fitoi 17 më shumë në këtë natë, për shkak të fitores në Mississippi dhe diferencës së ngushtë në humbjen në Michigan. Por në aspektin simbolik, kjo ishte një natë e bukur për Bernie Sanders dhe mbështetësit e tij. Gara vazhdon.