Zbulohen planete që mund të kenë kushte për jetë

Suzzane Presto

 

Astronomët vazhdojnë kërkimet për planete që mund të kenë ngjashmërri me Tokën përsa i përket madhësisë dhe temperaturës. Shkencëtarët njoftuan të enjten se kanë zbuluar 3 planete në dy sisteme planetare, që mund të jenë në distancat e duhura nga yjet e tyre për të qënë të përshtatshme për të patur ujë të lëngët. Suzanne Presto e Zërit të Amerikës njofton nga Uashingtoni rreth këtyre zbulimeve që u bënë duke përdorur teleskopin e hapësirës Kepler të NASA-s.

Shkencëtarët njoftuan zbulimin e 3 planeteve paksa brënda ose shumë afër zonës së ashtuquajtur e banueshme, pra në distancën e duhur nga yjet e tyre në mënyrë që të mos jenë as shumë të ngrohtë dhe as shumë ftohtë për të pasur ujë të lëngët.
William Borucki, shkencëtari kryesor i teleskopit Kepler në Qendrën Kërkimore Ames të NASA-s në Kaliforni, thotë se sistemi planetar Kepler-62 është 1 mijë e 200 vjet dritë larg. Një vit drite është 10 trilion kilometra.

Ashtu si sistemi ynë diellor, tha zoti Boruski, Kepler-62 përmban dy planete të banueshme, të quajtura Kepler-62e dhe Kepler-62f. Këto planete janë një here e gjysëm sa madhësia e Tokës.

“Këto dy planete janë kandidatët më të mire të banueshëm dhe jo vetëm në zonën e banueshme. Ato janë pjesë e një sistemi planetar prej 5 planetesh, që ne kemi zbuluar deri tani, por këto dy planete janë më të rëndësishmit”.

Zoti Borucki tha se planeti 62e mund të jetë një botë uji, por shkencëtarët nuk janë të sigurtë pasi ata njohin vetëm rrezen dhe jo masën e tij. Ai thotë se planeti 62f, më i vogli mes të dyve, mund të jetë një planet shkëmbor dhe mund të ketë pole si dhe sasi të mëdha uji dhe masë toke.

Planetet 62e dhe 62f rrotullohen rreth një ylli sa dy të tretat e diellit tonë dhe sa një e pesta për sa i përket ndriçimit. Zoti Borucki thotë se ndriçimi në planetin 62f, është I barabartë me ndriçimin e një dite me re në Tokë.

Këto janë planetet më të vegjël të zbuluar në një zonë të banueshme. Lisa Kaltenegger e Institutit Max Planck për Astronomi në Heidelberg të Gjermanisë, thotë se modelet shkencore tregojnë se planete të kësaj madhësie mund të kenë ujë.

“Ideja mahnitëse është se ne mund të kemi gjetur planetet e parë oqeanikë, botët e para me ujë dhe këto planete tregojnë se ekziston një shumëllojshmëri. Dua të theksoj se ne kemi zbuluar vetëm rrezen e tyre dhe përfundimi që kemi arritur nga modelet është shumë i kënaqshëm, por mbetet ende punë për të bërë”.

Thomas Barclay, një prej shkencëtarëve të teleskopit Kepler në Kaliforni, është më i entuziazmuar rreth zbulimit të një planeti në një system tjetër — Kepler 69. Ai thotë se Kepler-69c është një planet 70 për qind më i madh se sa Toka dhe rrotullohet rreth një ylli si dielli dhe ndodhet shumë afër zonës së banueshme.

“Zona e banueshme është një rajon mes zjarit dhe akullit. Ky planet rrotullohet më afër zjarrit se sa akullit dhe ne ndoshta e konsiderojmë atë më shumë një super Venus se sa një super Tokë”.

Teleskopi i hapësirës Kepler eksploron strukturat dhe shumëllojshmërinë e sistemeve planetare. Ai zbulon planete duke kërkuar njolla të vogla mes ndriçimit të një ylli, që ndodh kur planeti kalon para teleskopit. Kepler u vu në funksionim në vitin 2009 dhe ka zbuluar më shumë se 100 planete.