Traditat që po krijojnë në këtë universitet të njohur, këta dy ambasadorë të kulturës shqiptare, janë si mbjellja e ullinjve nga të moçmit, janë rrënjë që s’do të shkulen kurrë
Nga Keze Kozeta Zylo
E mërkura e Nju Xhersit ishte një ditë e vërtetë pranvere me temperatura si në muajin e trëndafilave të Majit. Ajo që e bënte dhe më të bukur këtë ditë fundshkurti për ekipin tonë si TV “Alba Life” nga Nju Jorku për të shkuar atje, ishte koncerti pranveror i Ansamblit Shqiptar organizuar nga dy Ambasadorë të kulturës Shqiptare në botë Merita Halili dhe Raif Hyseni.
Që në fillim më duhet të theksoj se ky Ansambël është krijuar nëntë vjet më parë nga ky çift artistësh dhe është një histori suksesi në këtë Universitet.
Ecja me kamera në ndorë e qetë dhe krenare në mjediset universitare një universitet elitar ne Amerikë, fotografoja në “Cali School of Music” historinë e shumë personaliteteve të shquara që kanë bërë emër. Dhe ja pikërisht në një prej këtyre skenave madhështore do të ngjiteshin dy artistët me studentet amerikanë që i kanë bërë të këndojnë shqip dhe të ndihen krenar me kulturën shqiptare.
Merita Halili kjo kanarinë e Kombit që intepreton mjeshtërisht, me një nivel të lartë artistik këngët e Shqipërisë së mesme dhe më gjerë dëgjohet me endje për nëntë vjet në këtë universitet, çka i shtohet fondit të kulturës muzikore të këtij universiteti. Ajo vjen me një përvojë të gjatë nga skena kombëtare e Shqipërisë në të cilën kanë lenë gjurmë të arta si Fitnete Rexha, Zan Zyberi, Hysni Zela, Irini Qirjako e shumë të tjerë. Ajo së bashku me Maestron Hyseni sjellin kudo hare e gëzim, sjellin aromë shqipërie, aromë si “Lule të bukura ka Tirana”…
Koncerti pranveror
Me duartrokitje u mirëpritën nga të pranishmit dalja në skenë e studentëve të Universitetit, solistë të Ansamblit Shqiptar drejtuar nga virtuozët Merita Halili dhe Raif Hyseni. Skena ndriti e tëra me veshjet kuq e zi me ngjyrat e Flamurit Kombëtar të siguruara nga dy artistët. Pas përshëndetjes së Maestros Hyseni ata intepretuan folk instrumental nga Shqipëria e Mesme si “Vallja e kufirit”.
Me shumë emocion e mirëprita këngën “Kur më del në derë”, një këngë aq të dashur për ne në dasma, aktivitete të ndryshme dhe fillova të kërcej ndonëse ishja e vetmja grua shqiptare në këtë sallë madhështore. Eshtë një lirikë e ngrohtë dashurie, një monolog i brendshëm i djalit për vashën që e dashuron me shpirt. Dhe ja si i këndon: Kur më del në derë/ Belin me qemer/ Oh medet jaman/ Ndaq o më duj, o ndaq mos më duj/ Dashuninë për ty sja kallxoj kërkuj/ Oooo nji sahat me bahet nji muj…
Repertori i tyre i pasur është kënga e Atdheut tim, janë legjendat e së kaluarës si në këngën e Shqipërisë së Jugut “Do të dal dhe unë në mal” qe u interpretua mjeshterisht nga studentët, të cilët kishin një ekspresivitet të dukshëm dhe fytyre ëngjëllore. Teksti është i mahnitshëm është kroi i burimeve ku në të mërguarit vemë buzët për të shuar etjen dhe mallin që djeg si prush në gji. Po sjellë disa vargje prej tyre si: Ç’ben moj bij atje përposht/ laj fustanin e tim zot/ laj fustan o laj fustan/ aman laj fustanin e tim zot
her me ujë e herë me lot/ aman erdhi dje dhe iku sot/ e mjera se po qan dot…
Koncerti u mbyll me këngën qytetare gjakovare: Dola n/bahce. Solistët e Ansamblit dukeshin si trëndafila plot aromë shqipërie në skenë dhe fantazoja sikur na hidhnin nganjë petale në sallë. Vargjet formonin një spektakël të magjishëm si: Dola me shetit në bahqe pash ni pëllum të shkrum/ sa m’ka marr malli për zotnin tonë hajde të rrish me mu/ bahqja mush me drranofille vend për tu dashunu.
Këngët shoqëroheshin nga Maestro Raif Halili, në flautë Briana Jackson dhe Amor Hirsch, në klarinet Jason Nicolaou, në saxophone Luci Zeoli dhe Stephaen Schwarz, në kitar Matt Schwarz, në tube Vito Cakarogly dhe në daulle prof.Robert Levin. Në korin e Ansamblit Shqiptar ishin: Vanessa Silva, Stephanie Stolarz, Kimberly Jarret, Anjanika Villa, Shelby Wood dhe Sabina Kunze.
Pas koncertit të Ansamblit Shqiptar në skenë u shfaqën artistët e Ansamblit Afrikan nën drejtimin e Profesor Robert Levin.
Pas përfundimit të koncertit, TV “Alba Life” mori disa intervista si me artistët e shquar, dy ambasadorët e kulturës kombëtare, Nderi i Kombit: Merita Halili dhe Raif Hyseni, këngëtarët e Ansamblit dhe pjesëmarrës në këtë koncert.
Ajo që do të më emociononte pamasë në këto intervista ishte Profesori Arbëresh Dr.Vincenzo Bollettino që tha se jam nip i Isa Boletinit. Ai ishte së bashku me zonjën e tij. Dr. Bollettino. Prof.Bolletino ka qenë Drejtor Katedre për gjuhët latine në këtë universitet për 50 vite, ku në këtë katedër kishte fatin të punonte për disa vite dhe një shqiptare tjetër Dr.Valbona Zylo Watkins. Profesori arbëresh tha gjatë intervistës me plot krenari se jam nipi i Isa Boletinit dhe kam gjak shqiptari. Ne nuk e harruam kurrë gjuhën shqipe dhe pse i lindur në Itali, ardhur në Amerikë në moshën 20 vjec vazhdoi profesori. Profesori tha se Gjuhën e Perëndisë ua kishte mësuar dhe fëmijëve të tij që ishin integruar po me kaq kulturë si prindërit e tyre.
Amaneti i tij ishte që të mos e harronim Gjuhën Shqipe, t’jua mësonim brezave që po largohen si lumë nga Shqipëria. Ai foli fjalë miradie për çiftin artist Merita Halili dhe Raif Hyseni dhe tha se ata kanë arritur të sjellin në këtë universitet elitar muzikën dhe kulturën shqipare që mua më bën të ndihem shumë krenare për rënjët e gjakut tim.
E dëgjoja, frymëzohesha, projektoja vetëtimthi dhe betohesha se s’do të lodhem kurrë për t’ju mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën e Perëndive.
Si staf i TV “Alba Life” së bashku me gazetarin Valon Gërbeshi, u larguam nga ky universitet me krenarinë e ligjshme se në këtë universitet elitar kemi pemë ulliri që do të rrojë përjetësisht.
Koncerti do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.
23 Shkurt, 2022
Montclair State University, New Jersey