Nga Keze Kozeta Zylo
Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit festoi me madhështi dhe dashurinë më të madhe 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në çdo lagje të Nju Jorkut dhe në Online.
Është bërë traditë që shkollat Shqipe “Alba Life” kudo ku janë e mirëpresin me përkushtimin më të madh për të festuar këtë ditë të shenjtë.
Festimi i Pavarësisë së Kosovës filloi me Shkollën Shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe mbylli siparin me shkollën në Bronx. Ndonëse në shkollat publike amerikane janë pushimet e pranverës, nxënësit, mësuesit dhe prindërit nuk u penguan aspak për ta festuar së bashku.
Të gjitha mësueset në të gjitha klasat e shkollave, asistentet, koordinatorët që bëhen gati 20 si numur me gjithë themeluesit ishin së bashku dhe përgatitën programe shumë serioze.
Është e pamundur të sjellë gjithë aktivitetet dhe programet që u dhanë, për shkak të numrit të madh, por unë po sjell me krenari se sa bukur dhe çfarë ndikimi dhe frymëzimi të madh kanë këto aktivitete në zemrat e nxënësve.
Në aktivitetin madhështor ne Bronx nderuan me praninë e tyre dhe përshëndetën, Ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Manhattan, z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” ish Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Ansambleist.
Ata vlerësuan me krenari dhe me fjalë miradie punën e Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe frymëzuan që kjo punë të vazhdojë sa të ketë shqipar mbi dhѐ.
Z.Mark Gjonaj ftoi të pranishmit për të mbajtur një minutë heshtje si homazh për të rënët në luftë në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë urdhëruar nga Vladimir Putini.
Programi i pasur artistik u moderua nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj nën kujdesin e të gjitha mësueseve pranë klasave të tyre. Skena ndrinte nga flamujt kombëtar dhe të shtetit të Kosovës dekoruar nga dy vajzat e talentuara Marigona dhe Doruntina Veselaj.
Recitimet nga shkrimtarë të njohur për Kosovën, Pavarësinë, Atdheun, Flamurin, vallja e Kosovës dhe kuq e zi, kënga për Adem Jasharin nën tingujt e pianos ishin shumë mbresëlënëse dhe motivuese.
Pas programit artistik themeluesi dhe drejtori i shkollave Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo në emër të bordit vlerësoi me pllakë mirënjohjeje z.Blerim Gjocaj. Ai u vlerësua si ish luftëtar i UÇK-së dhe koordinator pranë kësaj shkolle. Pllaka u dorëzua në prani të z.Mark Gjonaj, Ambasadorit Isufaj dhe vëllait të tij z.Qerim Gjocaj që nderoi me pjesëmarrjen e tij, një tjetër luftëtar trim i UÇK-së që i ka dhënë dorën Luftës.
Z.Blerim Gjocaj e pranoi me mirënjohje dhe tha se ky vlerësim me jep frymëzim për të mos u ndalur kurrrë, kundër asimilimit të Gjuhës Shqipe.
Mbas aktivitetit shkuam në protestë me Diasporën Shqiptaro Amerikane kundër mosmiratimit të vendosjes së emrit të madh të Fan Nolit një rruge në Bronx. Ne këtë protestë përshëndetën dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx me këngën: “Xhamadani vija-vija”.
Ata janë rritur në shkollë me Fan Nolin dhe vargjet lapidar të tij si: “Mbahu nëno mos ki frike se ke djemtë në Amerikë” janë të ngjizura në shpirtin e tyre.
Mbas kësaj të shtune me plot aktivitete drekuam së bashku me mësuesit, koordinatorët dhe stafin e TV “Alba Life” ku kaluam disa orë të këndshme pas një punë të madhe dhe përgatitjeve të tyre me shumë profesionalizëm dhe dashuri.
TV “Alba Life” me stafin e saj Elton Xhaferri, Valon Gërbeshi dhe Buajar Sadikaj filmuan aktivitetin dhe do së shpejti do ta transmetojmë në kanalet televizive.
26 Shkurt, 2022
Bronx, New York