Presidenti u prit nga ambasadori ukrainas Volodymyr Shkurov
Knid Denion Ndrenika
Presidenti Ilir Meta ritheksoi se Shqipëria mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe dënoi agresionin ushtarak të Rusisë.
Zoti Meta tha se ukrainasit janë duke mbrojtur me trimëri vendin e tyre.
Në shenjë solidariteti me Ukrainën zoti Meta vizitoi selinë e ambasadës ukrainase në Tiranë ku u prit nga ambasadori Volodymyr Shkurov.
Presidenti tha se shqiptarët bashkohen me dhimbjen për jetët e humbura nga sulmi i Rusisë dhe premtoi se Shqipëria do të bëjë çfarë mundet në shërbim të paqes dhe dialogut:
“Kemi bërë dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet me të gjithë vendet demokratike e të përgjegjshme, për të nxitur armëpushimin, rikthimin e mjeteve paqësore, të dialogut në pozita të barabarta, bisedimeve, të rrugëve diplomatike të ndalimit të kësaj lufte. Kjo situatë të tejkalohet. Brenda të gjithë mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona dhe do të ndajmë peshën e solidaritetit”.
Ndërkaq, ambasadori Shkurov falenderoi Shqipërinë që qëndron krah Ukrainës.