Intervistë e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z.Adriatik Llalla dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 21 Janari, Gërdeci dhe ngjarjet e tjera të rënda, duke qenë në proces hetimi dhe gjykimi, kanë nevojë për përfundimin e rrugëve ligjore përpara vendimeve se çfarë do të bëhet më tej
Bisedoi Denion Ndrenika
-Zoti Kryeprokuror, pyetja e përgjithshme dhe ajo që është me interes për të gjithë njerëzit, aq më tepër që Ju keni disa muaj, pra jo shumë kohë në këtë detyrë, është ecuria e punës në Prokurorinë e Përgjithshme. Ka pasur lëvizje, ka pasur ndryshime, rikthime në detyrë. Në tërësinë e tyre, a kanë përbërë problem të gjitha këto zhvillime, përfshi njohuritë që Ju keni marrë në takimet me prokurorët në rrethe?
“Edhe njëherë u falenderoj për ftesën për këtë intervistë! Në muajt e parë të fillimit tim të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kam prezantuar disa nga prioritetet e punës time përpara trupës së prokurorëve dhe opinionit publik. Një ndër prioritetet kryesore të punës time do të jetë rritja e besimit të publikut tek institucioni i prokurorisë. Kjo do të arrihet nëpërmjet futjes në trupën e prokurorëve të personave të aftë profesionalisht dhe të pastër moralisht, nëse do ta thonim kështu.
Gjatë kësaj periudhe konstatohet një rënie e theksuar e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Dhe, unë kam shpallur prioritet të punës time për të punar, për të përmirësuar imazhin e këtyre institucioneve përballë opinionit.
Gjatë kësaj periudhe unë kam inspektuar, kam kontrolluar prokuroritë e disa rretheve të Shqipërisë, ku kam konstatuar nga afër problemet, problematikat që hasin në punën e institucionit tonë; janë nxitur prokurorët që janë në pozicione të ndryshme, që të qarkullojnë, të lëvizin nga pozicionet aktuale, me synimin për të krijuar mundësinë që në këto pozicione të vijnë drejtues të rinj, prokurorë të arsimuar në Shkollën e Magjistraturës apo në shkolla të tjera. E gjitha kjo për faktin sepse tashmë krimi në Shqipëri, ashtu si kudo në botë, nis në një nivel tjetër të rritjes së tij, si në nivelin e e korrupsionit, edhe në rastin e krimit të organizuar, çka e bën të vështirë që ky lloj kriminaliteti të hetohet nga trupa e prokurorëve, të cilët janë të arsimuar përpara vitit ‘90.
Në këtë aspekt, kam synuar pra që në drejtim të çdo hetimi, të kryhen nga prokurorë që kanë përfunduar arsimimin pas viteve ‘90, kryesisht në perëndim dhe që njohin format e reja të hetimit.
Lidhur me lëvizje të ndryshme që kam bërë në këto prokurori, janë përqendruar kryesisht në këtë fakt.
Kurse, përsa i përket faktit të rikthimit në detyrë të disa prokurorëve. Janë vetëm 6 prokurorë që janë rikthyer në detyrë me vendim të Gjykatës së Apelit apo të Gjykatës së Lartë, çka është bërë pra në zbatim të këtyre vendimeve gjyqësore”.
-Kemi një raport të Këshillit të Europës zoti kryeprokuror të miratuar për senatorin zviceran Dik Marti, pra me kërkesën e tij, për dyshime të ngritur për trafik organesh apo trafiqe të tjera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. A kemi ndonjë ecuri të hetimeve për këtë çështje zoti Kryeprokuror?
“Tashmë jemi të gjithë në dijeni të këtij fakti, që në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbi pjesën e autoriteteve ndërkombëtare, janë kryer hetime nën mbikqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pra janë kryer nga hetues ndërkombëtarë. Prokuroria shqiptare në këtë rast ka ofruar vetëm mbështetjen teknike dhe facilitetet (lehtësitë) e nevojshme hetuesve ndërkombëtarë që të kryejnë veprime verifikuese në territorin e vendit tonë. Me përfundimin e këtyre verifikimeve dhe kontrolleve si dhe të hetimeve të kryera nga ana jonë, nuk u provua ose nuk rezultoi se ekzistonte një fakt i tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk u provua që të kishim as transplant të organeve, as trafikim të qenieve njerëzore, krime seksuale apo arsye, për të cilat filluan këto hetime.
Ashtu siç thashë edhe në fillim, siç jemi të gjithë në dijeni, edhe hetimi ndërkombëtar nuk ka rezultuar në ndonjë përfundim konkret”.
-Zotëri, qeveria e Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë për të qenë ndihmuese në këto hetime, për të cilat Ju sapo pohuat që e keni bërë, pra e keni ofruar këtë ndihmë. Nëse nuk gabojmë në kohë, rreth 3 vjet më parë Beogradi kërkoi hetime në territorin e Shqipërisë, një kërkesë që u refuzua me arsyetimin që nuk mund të kryheshin hetime (më saktësoni u lutem nëse jam i gabuar) në territorin e një vendi tjetër. A ka prirje, të vërejtura nga bisedimet e ndryshme që keni pasur Ju me partnerë, me homologë që Beogradi të bëjë përsëri një kërkesë, edhe njëherë tjetër të kësaj natyre? Natyrisht zoti Kryeprokuror, pa prekur elementët e hetimit.
“Shqipëria është e hapur që të kryhen, të lejojë çdo lloj kontrolli, çdo lloj hetimi ndërkombëtar në territorin e shtetit të saj nëse ato janë të miratuara nga organizatat ndërkombëtare, OKB-ja apo institucione të tjera të këtij niveli.
Ne nuk mund të lejojmë në territorin e Republikës së Shqipërisë, që të kryhen hetime nga një shtet tjetër pa miratimin e institucioneve ndërkombëtare, pa miratimin e OKB-së.
Shqipëria është palë nënshkruese e disa konventave ndërkombëtare, në bazë të të cilave lejohet kryerja e hetimeve në territorin e vendit tonë, ashtu siç ne kemi të drejtë të kryejmë hetime në territorin e një shteti tjetër.
Në rastin konkret, Beogradi kërkoi të kryente hetime me iniciativë në territorin e vendit tonë, pra ishte një hetim në mënyrë të njëanshme, diçka që nuk mund të lejohej jo vetëm për Beogradin, por as edhe për ndonjë shtet tjetër, pasi konsiderohet si e papranueshme. Pra, (përsërit) që nuk mund të lejohet, sepse konsiderohet ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Ky është parashikim i normave të të drejtës ndërkombëtare. E tillë është”!
-Zoti Llalla, në morinë e kësaj teme, me një sërë elementësh të nxjerrë, kujtojmë që nga Shqipëria ka pasur edhe ushtarakë edhe civilë që kanë ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. A mendoni se ka pasur një, unë po i vë emrin “dashakeqësi” për shkak të mosnjohjes së elementëve ligjorë nga pala tjetër, pra nënkuptoj palën serbe, për ta etiketuar këtë lëvizje, qoftë për ushtarakët shqiptarë, qoftë për civilët? A e keni ndeshur gjatë diskutimeve të këtyre temave, këtë çështje?
“Ne nuk kemi të dhëna të kësaj natyre. Nga ky pozicion konfirmoj se nuk ka hetime për raste të tilla ndaj qytetarëve shqiptarë’.
-Ju më thatë pak më parë zoti Kryeprokuror, se lufta kundër të organizuar mbetet veçanërisht e rëndësishme. Do të doja të shtoja, në kuadër të kësaj lufte ku hyjnë trafiqet, pra trafiqet e ndryshme të drogave, të prostitucionit, korrupsioni, pastrimi i parave, sekuestrimi i pasurive të krimit, natyrisht që shifrat mund të jenë gjithmonë domethënëse. Por, në frymën e përgjithshme të hetimeve mbi këto çështje, a keni vënë re përparësi apo pengesa dhe padyshim nëse mundeni, t’i trajtojmë?
“Patjetër! Këto janë krime të përhapura jo vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, por pothuajse në të gjitha vendet e tjera. Ky është krimi më i përhapur i kohës, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Veçanërisht në vendin tonë vlen të theksoj se vetëm në muajt e fundit, institucioni ynë ka kryer hetime të suksesshme në lidhje me krimin e organizuar, hetimin e disa organizatave kriminale, në konfiskimin e pasurive, pra të cilat kanë arritur në konfiskimin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme.
Vetëm në tri muajt e fundit janë konfiskuar pasuri në vlerën e 3 milionë eurove disa organizatave të ndryshme kriminale që merren kryesisht me trafikim të lëndëve narkotike apo të qenieve njerëzore. Në këtë aspekt ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar për hetimet me mjaft shtete të tjera, për hetime dypalëshe apo shumëpalëshe, me të cilat i kryejmë këto hetime. Pra, hetime si në territorin e Shqipërisë, ashtu edhe të shteteve të tjera, apo duke kërkuar të dhëna respektive në lidhje me hetimet që kryhen në këto raste.
Po kështu problem shqetësues mbetet problemi i korrupsionit. Ky vazhdon të jetë një ndër problemet shqetësuese të shoqërisë shqiptare. Ne kemi filluar disa hetime lidhur me këtë fenomen. Kemi synuar të përmirësojmë teknikat e mëtejshme të hetimit në këtë drejtim. Janë në proces dhjetëra raste dhe besoj që në ditët në vijim, do të bëhen publikë edhe rezultatet”.
-Më lejoni të vazhdoj në këtë linjë të përgjigjes Tuaj, zoti Kryeprokuror! Kemi pasur hetime edhe të pasurive të personave (pra në këto hetime që Ju përmendni), që mund të jenë grupe të dyshuar për terrorizëm apo për mbështetje të terrorizmit? Padyshim, këtu nuk bëhet fjalë thjesht për shoqatat me karakter fetar, ku ndokush mund “të dëshirojë” apo të “ketë prirje” për të bërë “ndarje”, ato me karakter islamik apo të ndryshme?
“Në Shqipëri momentalisht nuk kemi asnjë procedim penal të nisur për vepra penale në fushën e terrorizmit apo të krimeve të kësaj natyre që Ju përmendni. Pra, në fushën e terrorizmit ndërkombëtar apo atij fetar. Nga të dhënat e deritanishme që ne disponojmë, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Policia e Shtetit nuk kanë të dhëna që të krijojnë dyshime se në territorin e vendit tonë ka elementë të veprave të tilla penale”.
-Më lejoni të vazhdoj përsëri. Bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës besoni se është në nivelin e tij më të lartë? Kemi pasur raste shumë të mira të bashkëpunimit, kryesisht në fillimin e viteve ‘90 dhe në fillim të viteve 2000.
“Ne vazhdojmë të kemi bashkëpunim shumë të frytshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ndër partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë, ashtu edhe me Bashkimin Europian. Por, vlen të theksoj se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne vijojmë të kemi bashkëpunim tepër të frytshëm dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme për punën e institucionit tonë ashtu si dhe me shumë institucione të tjera. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin programe të ndryshme pranë institucionit tonë, në trajnimin e grupeve të ndryshme të prokurorëve apo të Policisë Gjyqësore që merren me hetimin e veprave të ndryshme penale”.
-Zoti Llalla, një pjesë e shoqërisë në Shqipëri është cenuar nga disa elementë që lidhen me kërkesat e ndryshme për azil politik në shtetet e Bashkimit Europian, apo përkatësisht vendet e hapësirës europiane “Shengen” menjëherë pas lehtësimit të regjimit të vizave të qëndrimit afatshkurtër dhe afatmesëm. A keni dokumentacione që provojnë për role jo të mira të personave të ndryshëm që lëshojnë certifikata të kësaj natyre (kupto: hetime ndaj lëshuesve të vërtetimeve për persona në gjakmarrje, që përdoren për kërkesa azili)? Kjo është përparësi e punës së qeverisë për shkak edhe të një diskutimi të përhershëm për mundësinë e pezulliit të përkohshëm të vizave.
“Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë ka qenë një ëndërr e të gjithë neve. Dhe, për këtë arsye ne të gjithë duhet të punojmë që të mos i ndërpresim, sepse fitojnë pengesat ndaj pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë të një kategorie të vogël shtetasish që synojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, pra të penalizojnë pjesë më të mëdha të shoqërisë. Jemi të angazhuar që të ndëshkojmë atë pakicë, e cila me veprimet antiligjore cënon të drejtën e shumicës së shqiptarëve për të qarkulluar lirisht në vendet perëndimore.
Ne jemi në dijeni të disa rasteve të kësaj natyre, ku disa organizata apo grupime të ndryshme, parti po themi të ndryshme, lëshojnë vërtetime të kësaj natyre, nëpërmjet të cilave shtetas të ndryshëm shqiptarë synojnë të përfitojnë azil politik në vendet e Bashkimit Europian. Kemi nisur mjaft procedime të kësaj natyre dhe bashkëpunojmë me vende të ndryshme, me Francën, me Gjermaninë, me Italinë, Belgjikën, Britaninë e Madhe dhe të tjera, me të cilët kemi filluar hetimet, pra të bashkëpunojmë, për të verifikuar raste që ata dyshojnë se shtetas të ndryshëm synojnë të përfitojnë statusin e azilantit politik nëpërmjet dokumentave të falsifikuara”.
-I nderuar zoti Kryeprokuror, më lejoni të shpreh mirëkuptim për përgjigjen Tuaj të mëpasme, mbi disa çështje të ndjeshme për opinionin në Shqipëri. Do të doja t’i ndaja shkurtimisht pavarësisht kohëzgjatjes së përgjigjes Tuaj. 21 Janari 2011 (humbën jetën katër persona në tubimin e dhunshëm të opozitës) mbetet një ndër çështjet kryesor, aq më tepër që bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, me Byronë Federale të Hetimit (FBI) ka qenë në nivel të lartë. A kemi ndonjë mundësi që, përfshi edhe të quajturën “aministi” që lehtësoi disa persona (nga përfshirja) në hetim, ta rikthejmë këtë, pra hetimin në “gjithëpërfshirës”, siç thonë edhe Shtetet e Bashkuara?
“21 Janari siç jemi tashmë të gjithë në dijeni, është një çështje që është gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe vijon gjykimi në Gjykatën e Apelit. Ne jemi në pritje të vendimit të kësaj gjykate se si do të veprohet më tej”.
-Mund të themi që jemi në linja të njejta edhe për çështjen e Gërdecit (më 15 mars 2009 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë nga shpërthimi në një punishte të çmontimit të predhave të municionit luftarak), pasi familjarë të viktimave kanë kërkuar vazhdimësi të procesit për zbardhjen e ngjarjes.
“Aktualisht, kjo çështje pritet të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, si për të gjitha rastet e tjera, prokuroria ka rolin e saj aktiv gjatë procesit. Për të gjitha rastet, për të cilat është marrë një vendim gjyqësor, prokuroria nuk mund të ndërhyjë në këtë fazë, pra të shqyrtimit gjyqësor”.
-U falenderoj për përgjigjet e këtyre tri çështjeve. Tani më lejoni të vazhdojmë me pikën e fundit, ku do të doja të shtoja mbi disa shqetësime që ka pasur në disa zona të jugut të Shqipërisë mbi elementët e varrimeve apo zhvarrimeve kryesisht pas marrëveshjeve që ka bërë qeveria e Shqipërisë me qeverinë e Greqisë për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë (të pretenduar se janë vrarë gjatë luftës italo-greke). A kemi diçka të re mbi hetimet ndaj personave që kanë rezultuar si të përfshirë në këtë çështje, padyshim këtu nuk po bëj veçanti të klerit ortodoks apo jo.
“Në rastet konkrete në vlerësimin e prokurorisë shqiptare gjykojmë se ka elementë të veprës penale, pa paragjykuar, pra siç e përmendët edhe ju, elementët fetarë apo ata nacionalistë. Disa raste janë në proces hetimi, kurse pjesa tjetër është në proces gjykimi”.
-Zoti Kryeprokuror, jemi te pyetja e fundit që padyshim lidhet me një shqetësim të vazhdueshëm të prokurorisë mbi të komentuarin si “rrjedhje informacioni”. Ju keni qenë i vëmendshëm ndaj veprave të fundit të ndryshme penale ku informacioni ka rrjedhur, përfshi të pedofilisë apo vrasjeve të rënda (kupto: më parë rastet e 21 Janarit, Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës, vrasjet e zhurmshme, përfshi zyrtarëve apo gjykatësve, vrasjet e komisarëve të policisë, i fundit Dritan Lamaj, për pedofilinë Ardian Prrenjasi). A kemi një veprim konkret nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të parandaluar këto lloj rrjedhjeje informacioni apo më saktë, ndëshkime të personave që mendohet (apo dyshohet) se kanë qenë pjesë e kësaj çështjeje (rrjedhje të informacionit)?
“Ky është një shqetësim që unë e kam ndeshur që në ditët e para të marrjes time të detyrës ku konstatohej se në media të ndryshme, bëhej publike në mënyrën më të shpejtë të mundshme, fakti se prova që lidhej me çështje të ndryshme penale, ishte në proces hetimi.
Ngjarjet më të fundit, ngjarjet e rënda, siç e keni konstatuar edhe Ju dhe i gjithë opinioni, bëheshin që në momentet e para publike deklaratat e personave të përfshirë në ngjarje, në të gjitha mediat e ndryshme. Mënyra se si ato ishin vënë në dispozicion të medias, krijonte dyshime se kishte rrjedhje informacioni nga ana e personave të ngarruar me hetimin e atyre rasteve. Për këtë arsye menjëherë është urdhëruar fillimi i hetimeve ndaj prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të ngarkuar me hetimin e këtyre rasteve. Dhe, njëherazi është nxjerrë urdhër përkatës që çdo rast, trupa e prokurorëve përpara se të komunikojë me median duhet të komunikojë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me lidhur me të dhënat, me lajmin që do të bëhet publik. Pra, informacioni do të bëhet publik vetëm nëpërmjet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk do të thotë se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të jetë e mbyllur për mediat. Përkundrazi, ne do të jemi gjithmonë transparentë për ato zhvillime që do të kenë interes për publikun dhe jo duke dëmtuar hetimet”.