Edi Rama nervozohet, kalon në fyerje: AK, sorrë e pushtetit – Spahiu një xhuxhmaxhuxh i Saliut
Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se ky formacion politik do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit.
Në një takim me simpatizantët pasditen e së mërkurës, Spahiu ka bërë të ditur se ka refuzuar koalicionin me PS për të mos tradhtuar kauzën e AK, bashkimin kombëtar.
“Prioriteti i Aleancës Kuqezi është bashkimi kombëtar. Ne e mbështesim çdo koalicion anti-Berishë, por për shkak të pranisë greke, ne nuk mund të tradhtojmë kauzën tonë kombëtare”, ka deklaruar Spahiu.
Ai ka theksuar se rrëzimi i kryeministrit Berisha nga pushteti është i domosdoshëm, por ka nënvizuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet duke shkelur parimet e kuqezinjve.
“Ne duhet të maksimalizojmë votat për rrëzimin e Berishës nga pushteti. Por nëse AK do tradhtonte kauzën e vetë duke lënë që votat e saj të numëroheshin nga të tjerët, ajo do të zhgënjente qytetarët. Aleanca Kuqezi do garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë koalicion vetëm me popullin shqiptar”, ka thënë Spahiu.
Kreu i AK ka thënë gjithashtu se vendi ka më shumë se kurrë nevojë për një rotacion politik dhe ka theksuar se grupimi i tij do të luftojë për ta arritur këtë.
“Shqipëria nuk meriton vetëm largimin e atij njeriu, por edhe të asaj partie politike. Ne do ta largojmë PD duke bërë fushatë tek çdo qytetar dhe çdo fermer, që të mos japin asnjë votë për qeverisjen e sotme”, ka thënë Spahiu, i cili nuk i ka kursyer kritikat edhe ndaj PS.
“Sot kemi një parlament të ndarë në gjysmë nga dy parti që kanë zhgënjyer qytetarët. Jam këtu në emër të kuqezinjve për të thënë se nuk e tradhtoj kauzën tonë për hir të një karrikeje pushteti”, ka shtuar Spahiu.
Edi Rama ka qenë shumë nervoz pas vendimit të Aleancës Kuq e Zi për të dalë vetëm në zgjedhje.
“Fatkeqësisht, dyshimi im se Aleanca Kuq e Zi ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar, që imponoi ajo parti për të mos negociuar me PS-në, dhe u provua sot. Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuq e zi, për të fryrë një komardare shpëtimi për pushtetin e korruptuar”, shkruan Rama në Facebook.
Më tej, lideri i opozitës thotë: “Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS, apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota, AK duhet të merrte një portofol ministror!”.
“Shkurt fjala, – vijon Rama, – Aleanca Kuq e Zi s’qenka gjë tjetër përveç se grahma e fundit e Saliut, dora vetë. Kreshniku, xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut, na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm, që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut”, – shkruan Rama në Facebook.
Pas këtij vendimi nuk kanë munguar reagimet e tjera nga PS. Deputeti Saimir Tahiri në faqen e tij në Facebook e komenton vendimin e AK-së me këto fjalë:
“Shqiponja Kuqezi e Nik Spahiut doli një sorrë. Kush nuk rreshtohet kundër Saliut sot është në heshtje pro Saliut. Dhe në qoftë se goja të nxjerr vrer kundër Saliut, llogaritë po i bën pro Saliut”.