Me sytë nga qielli dhe toka, ushqimi dhe bujqësia pas pushtimit të Ukrainës 

Toka dhe uji janë themelet e ushqimit tonë, e më tej në bujqësinë moderne plehërat kimike, farat cilësore, teknologjia, inovacioni, bëjnë të mundur të sigurojmë më shumë prodhim, më të qëndrueshëm e me kosto më të lirë

Fatos Fico, ing.i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural, Londër

Me sytë nga qielli për pak shi nuk do të jenë vetëm fermerët mbasi të kalojnë rreshjet e pranverës deri në dimrin e vonë. Më shumë do të lutet qeveria për të patur ujë në basenet e hidrocentraleve me shpresën të sigurojë prodhim të energjisë elektrike për vendin e të eksportojë sadopak. Përndryshe çmimi i subvencionuar i energjisë për familjet dhe blerja e saj jashtë me çmim tregu do të krijojë një borxh të madh në financat publike, pasoja në politikat monetare, sistemin fiskal, të cilat duhet të ristrukturohen rrënjësisht dhe jo vetëm në shkurtime të thella e përgjegjshmëri për shpenzimet.

Toka dhe uji janë themelet e ushqimit tonë, e më tej në bujqësinë moderne plehërat kimike, farat cilësore, teknologjia, inovacioni, bëjnë të mundur të sigurojmë më shumë prodhim, më të qëndrueshëm e me kosto më të lirë.

Një nga gjërat që ndryshoi rrënjësisht në Shqipëri me kalimin nga një vend i izoluar socialist në një vend të lirë e demokratik ishte bujqësia. Duke qenë Shqiperia pjesë e një tregu globalist, bujqësia shqiptare, e cila më parë nënkuptonte uri e racione, nuk është më e nevojshme për sigurimin e bukës në vend. Drithërat ashtu si çdo gjë tjetër mund të vijnë nga tregjet botërore me kosto më të lire se sa të prodhohen në Shqipëri.

Qeveria aktuale mendoi se mund të ishtë një mini aktor në tregjet ndërkombëtare e synoi të dilte në eksporte bujqësore, kryesisht perime, e bostanore me vlerë 1 miliard Euro në vit. Kur tregu i komoditeteve funksionon, nuk kishte pse mos të provohej edhe kjo, por bazat e kësaj ishin mbi rërë – kemi klimë më të ngrohtë e dalim në eksport më herët (se kush vend tjetër?), si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët. Për këtë të dytën, shumë shpejt u kërkuan punëtorë nga Bangladeshi e së fundmi nga Nepali, ndoshta me ndryshimet klimatike do të dali në skenë ndonjë vend i ri që është ngrohur më shumë sa duhet.  

A ishte kjo mani për të dalë në tregun e komoditeteve me kastraveca, domate, reminishencë e socializmit, ne jemi të parët kudo nga kromi, nafta tek shalqiu, duke mos ditur që vendet mesdhetare për shkak të historisë, gjeografisë, nuk mund të eskportojnë komoditete ushqimore me fitim, sidomos pa vlerë te shtuar, pa patur një seri kushtesh, si porte, transport detar, hekurudha, autostrada, njohuri e industri, por mbi të gjitha kapital financiar e social, akses me çmim konkurues në tregje të mëdha, re-investime të fitimit, e investime masive nga fondet publike në hapësirën rurale.

Download (ZIP, 1.94MB)

Komoditetet nga ana tjetër për shkak të volumeve të mëdha dhe origjinës nga një vend i caktuar, nga një e mirë për ato vende të cilat i blejnë lirë e me shumicë, mund të kthehen në një problem të madh si t’i sigurojnë përsëri kur vendet prodhuese pasi krijojnë varësi tek blerësit i kthejnë ato në një “armë”, e kërkojnë çmim më të lartë e kushte të tjera. Duke rritur kështu varësinë jo vetëm tregtare tek vendet që varen nga këto komoditete. Psh. qëndrimet politikës së jashtme të Gjermanisë, Italisë në marrëdhëniet ndërkombetare, të kushtëzuara nga varësia prej gazit natyror të lirë të Rusisë.  

Lëvizjet e mëdha të çmimeve të komoditeteve në ekonominë botërore kanë filluar shumë më parë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Ato janë së fundmi pasojë e pandemisë së Covid, e ndryshimeve në ekonominë botërore, tkurrjes së globalizimit, ndryshimeve në zinxhirët tregtar e prodhues, por dhe të politikave të reja ekonomike e mjedisore të lidhura me ndryshimet klimatike. Pastaj ju shtohet edhe lufta. Ukraina dhe Rusia eksportojnë gati 30% të sasisë së grurit që konsumohet në botë. Por, jo vetëm, ndikim kanë politikat tregtare të Kinës si vendi me ekonominë më të madhe në botë, si dhe aktorë më të vegjël si Bjellorusia prodhues i plehrave kimike, apo Hungaria që së fundmi ndaloi eksportin e grurit. Janë shumë aktorë e shkaqe të cilat një vend i madh apo i vogël nuk i kontrollon dot në një treg global. Të gjitha këto edhe sepse ekonomia funksionoi për një kohë të gjatë me ndryshime të vogla në ekuilibrin kërkesë ofertë. Kur ndodhin ndryshime të mëdha, në sektorë të ndryshëm dhe me efekt zinxhir asnjë vend nuk arrin t’i kontrollojë pasojat, por duhet të parashikojë, duhet të ketë politika, mekanizma, plane kur ato mund të ndodhin, në rastin më të mirë duke qënë proaktiv, duke ruajtur potencialet e veta, duke njohur alternativat. Por, dhe duke reaguar sa më shpejt kur ndodhin. Sinjalet që lufta do të ndodhte në Ukrainë ishin prej muajsh e pasojat e pandemisë po ashtu.

Sovranistë apo globalistë

Ekomomistët në kundërshtim me sovranistët, patriotikët apo qëndrime të tjera kanë vërtetuar se është humbje për ekonominë e një vendi të mos shfrytëzojë çmimet më të lira që përfitohen kur shkëmben lirisht me vendet e tjera. Por, si me sipër e pamë që “varësia” në tregti nga vende të treta krijon pasoja, sidomos kur produktet janë sensitive si drithërat, energjia.

Këto përballohen së pari kur vendi ruan potencialet prodhuese, ose mund ti riaktivizojë shpejt ato, e në çdo moment është në gjendje të prodhojë përsëri.  Mbretëria e Bashkuar gjatë luftës se dytë, kur ju ndërpre aksesi tek ushqimet në tregjet ndërkombëtare e rriti menjëherë sipërfaqen e tokës së kultivuar, ktheu çdo tokë të mundshme në tokë prodhuese, duke siguruar mjaftueshëm për kushtet e luftës prodhim vendas.  

Se dyti, duke qënë pjesë e aleancave ndërkombëtare apo duke gjetur kanale të rinj tregtare.

Shqipëri i ka të dyja këto mundësi, si të rrisë sipërfaqen e tokës së kultivuar, të rrisë rendimentet e sasinë tek ato ekzistuese, si dhe është pjesë e aleancave si NATO, e EU e mund të gjejë tregje të reja zevendësues të Rusisë e Ukrainës ku dhe pse me çmim më të lartë, ushqimi nuk mungon. 

Si mund të rritet prodhimi i ushqimit në kushte krize

Duhet të subvencionohen drejt për drejt prodhuesit e drithrave, grurë, misër, etj. për një periudhë së paku tre vjeçare.

Pse? Sepse kemi ngjarje të jashtë zakonshme, duhet stimuluar, pra rritur sa më shumë e shpejt oferta e ushqimit vendas kundrejt kërkesës. Prodhimi bujqësor në botë ka marrë goditje të fortë e rrezikon të fusë në kolaps me çmime të larta ekonomitë e shumë vendeve.  

Prodhimi i ardhshëm i grurit në botë për vitin 2023 shitet sot, e çmimet janë në rritje, në bursën e Paris-it me 280 Euro dhe për vitin 2024 – 230 Euro për ton.   

Kostoja e prodhimit të grurit në Shqipëri ka qënë 286 USD për ton në vitin 2019, ndërsa në Serbi 169, në Maqedoni 200, në SHBA rreth 160 USD për ton.

Kjo të lejon të kuptosh pse Shqipëria prodhon vetëm gjysmën e sasisë së grurit që i nevojitet për konsum. Importi shumë më i lirë, gati dy herë. Aktualisht çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare është më i shtrenjtë se prodhimi vendas grurit në vitin 2019, e ka ardhur së pari si pasojë sepse është trefishuar çmimi i plehrave kimike, më tej është rritur çmimi i karburanteve, i energjisë e zvogëluar oferta. Të cilat do të thonë që edhe në Shqipëri është rritur edhe më shumë kostoja e çmimi për prodhimin vendas në atë proporcion, por për më tepër sipërfaqja e kultivuar është më e vogel, më e copëtuar, kemi më pak teknologji e kapital të investuar por dhe akses e potencial në tregje për të blerë sasi të mëdha inputesh me çmim më të lirë, të kufizuara. Që në Shqipëri të kemi më shumë prodhim vendas, me kosto e çmim më të ulët duhen sa më shpejt politika të reja, ndërhyrje të shpejta e të forta.    

Masa për ulje të kostove, më shumë prodhim e qëndrueshmeri

– Të zerohet Tvsh për farat, fara lidhet me prodhimin, rendimentin, përshtatjen me klimën, tokën, dëmtuesit e kulturave.

Nuk ka kursim tek fara sepse është baza e prodhimit, sasisë që merr, e teknologjisë që zbatohet. Për fermerët edhe pak para janë të rëndësishme, sepse janë para që duhen paguar paradhënie. Përndryshe do të blejnë fara jo cilësore, me çmim të ulët. Ndërkohë koha, investimet e tjera per të marrë më pak prodhim janë të njëjta.

 

– Të zerohet Tvsh e plehrave kimike. Çmimi i plehrave kimike në tregun ndërkombëtar është tre katërfishuar në krahasim me dy vite më parë.  Madje çmimet janë ende në rritje për shkak të rritjes së çmimit të gazit e naftës. Pothuaj në të gjitha vendet e botës fermerët këtë vit po mbjellin më pak sipërfaqe me drithëra, e po përdorin më pak plehra kimike e kjo do të reflektohet në sasinë e prodhimit, pra në një afat të shkurtër situata nuk ndryshon. Për prodhuesit e drithërave çmimet e plehrave kimike rriten, jo vetëm nga rritja e çmimit të gazit natyror si lëndë e parë, por edhe sepse tregtaret e tyre e dinë se fermerët do të kërkojnë çmim me të lartë për prodhimin, i cili do të paguhet në fund nga konsumatorët.

 

– Të zerohet Tvsh e ushqimeve të blegtorisë e shpendëve

 

Masë tjetër – analiza masive të tokave falas, për të mos hedhur më shumë plehra sa duhen, si azot, potas, si dhe mundëson të pershtatet më mirë fara e teknologjia me llojin e tokës.

 

Uji si themel i prodhimit bujqësor

Të rritet Ujitja – gati gjysma e tokave të kultivuara janë të pambuluara me vaditje, plus ndryshimet klimatike të cilat e kanë përkeqësuar situatën. Urgjentisht duhen mbushur, kontrolluar rezervuaret ujitës e basenet e tjerë të cilët duhet të lidhen me sistemin ujitës. Të përmirësohen kanalet ekzistues e të hapen të rinj.  Nga ana tjetër atje ku nuk mund të shkojnë kanalet apo mungojnë ujërat siperfaqësorë duhet të hapen puse vetjake apo kolektive, e të fuksionojnë me pompa me energji diellore. Pasi është bërë investimi, ato mund të fuksionojnë me kosto të papërfillshme.  

 

Të rritet prodhimi familjar i familjeve peri urbane dhe rurale për vetëkonsum.

Një rrugë tjetër për të zvogëluar varësinë nga importi është të rritet prodhimi i vogël familjar familjeve rurale apo peri urbane me pak tokë, për vetëkonsum sepse janë një numër i madh. Për të ulur sadopak blerjet e tyre në tregun e ushqimeve te importit si blerës me para në dorë. Këto janë familje kryesisht në kushtet e mbijetesës, dhe më të goditurat në kushtet e krizës nga rritja e çmimeve.  Ato mund të prodhojnë perime e proteina bimore, si bishtajore, e mund të prodhojnë mish shpendësh e vezë të cilat prodhohen shpejt e kërkojnë më pak ushqim për rritje krahasim me blegtorinë.

 

Rritja e përpunimit

Ruajtja dhe përpunimi. Më shumë frigoriferë për patatet, perimet, frutat. Më shumë përpunim, si psh patate të prera, e të ngrira, perime të ngrira, këto me me investime publike. Në nivel familjar më shumë perime të stinës të ruajtura si të thara, turshi, etj. Tradita nuk mungon.

 

Nuk ka kohë për pushim?

E vërtetë në një kohë krize të vazhdueshme nuk ka kohë për pushim, por kur koha ndryshon pak pushim për reflektim për politika e plane të reja është i domosdoshëm. Nevojiten sa më shpejt konsultime e përfshirje me të gjithë aktorët prodhues, tregtarët, eskpertët dhe dakordësi politike në të gjithë spektrin për vendim marrje të reja. Bota nuk është më ajo që ishte jo vetëm mbas luftës, por mbas 2 vjet pandemie, mbas politikave për ndryshimet klimatike, ndryshimet në teknologji, ikja nga fosilet, nuk mund të ecet përpara me subvencione për rrush në serra e luleshtrydhe. E as nafta falas, nqs nuk ka ujë.  Objektivi për 1 miliard Euro eksporte bujqësore ka rënë, tani objektivi është si të ulim po aq importet e shtrenjtuara dhe të kemi mjaftueshëm prodhime vendase që zevëndësojnë importet. Duhen siguruar me sasi e çmim të përballueshme karbohidratet dhe proteinat shtazore e bimore të cilat janë baza e ushqimit e në të njëjtën kohë të kemi standarte jetese për fermerët. Kjo me politika të reja, investime masive në infrastrukturën e ujit, infrastrukturën tregtare, të transportit, politika sociale, politika zhvillimi të qëndrueshëm, teknologji, e subvencione për sa kohë është e nevojshme për prodhimin e ushqimit në këto kushte të reja. Sa për perimet aktualisht sipas të dhënave prodhojmë sasi më se të mjaftueshme, 4 kg për frymë në ditë.