Tiranë, 8 mars 2022 – Shqipëria ngriti një komitet të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave mbi ekonominë, që po sjell lufta në Ukrainë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk është në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por ekonomia e saj po kërcënohet përditë prej anormalitetit të thellë të çmimeve për mallrat e konsumit, si shumë vende të tjera.
Ai theksoi se Shqipëria është në mbështetje të Ukrainës dhe ndërkohë ka detyrimin të mbrojë jetët e njerëzve dhe të bëjë çmos që lufta të mos përhapet.
“Solidariteti me Ukrainën nuk është vetëm solidaritet me njerëz dhe me popull në një hall shumë të madh. Solidariteti me Ukrainën është vetëmbrojtje e pastër, për të mos lejuar që ajo që ndodhi atje të vijë edhe këtu ose të shkojë të infektojë të gjithë botën tonë. Këto janë sakrificat e luftës, që na ka ardhur në shtëpi, tek mallrat e konsumit, tek pompa e naftës, tek fatura e energjisë” – tha zoti Rama.
Ndërkohë që çmimi i naftës në tregje është rritur më shumë se 3 herë dhe ka shenja të rritjes së mëtejshme, theksoi ai, dhe Shqipëria është drejtpërdrejt e prekur njësoj si vendet e tjera, ndaj nevojiten përgatitje edhe për shkurtime të thella të furnizimit me energji ose naftë.
“Europa ka hyrë në luftë. Duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do zgjasë kjo luftë. Jemi në të njëjtat kushte të të panjohurës siç ishim me pandeminë, me armikun e padukshëm ku nuk e dinim kohëzgjatjen, ku nuk dinim zhvillimin në dinamikën e tyre dhe ku u përgatitëm për disa skenarë” – tha zoti Rama.
Ai shtoi se çmimet i përkasin tregjeve të përfshira nga kriza dhe se qeveria nuk mund të ndërhyjë, por po planifikon masa për të kapëcyer këtë gjendje me sa më pak pasoja.
“Lufta nuk po zhvillohet këtu, bombat nuk janë mbi familjet tona, të cilat nuk janë kërcënuar nga ndarja e dhunshme, siç po ndahen mijëra familje në Ukrainë. Por ndikimi i asaj që po ndodh atje, është i prekshëm këtu në ekonominë e vendit. Detyrimi ynë është që të garantojmë vazhdimësinë me sa më pak dhimbje, por luftë pa dhimbje nuk ka” – tha zoti Rama.
Nafta e automjeteve në Shqipëri u rrit menjëherë në 230 lekë për litër nga afro 170 lekë litri që është mesatarja vjetore e vitit të kaluar.
Krahas naftës dhe grurit, rritje çmimesh janë shfaqur edhe në produkte të tjera ushqimore.
(Zëri i Amerikës)