Tiranë, 8 mars 2022 – Në Shqipëri, kryetari demokrat Lulzim Basha është vënë përpara përgjegjësisë për humbjen e thellë që PD pësoi në zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës. Në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila zgjati deri pas mesnate, deputetë të ndryshëm i kanë kërkuar atij dorëheqjen. Burime nga brenda mbledhjes kanë bërë të ditur se një pjesë e mirë ka propozuar gjetjen e një zgjidhjeje për një bashkim me pjesën tjetër të demokratëve që mbështesin lëvizjen e ish kryeministrit Sali Berisha.
Në votimet e së dielës, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, përveç Rrogozhinës dhe Dibrës, ku kandidati Luan Haka, u nda me disa dhjetra vota nga i dyti në garë, të të katër bashkitë e tjera, grumbulluan shumë më pak vota se kandidatët e propozuar nga zoti Berisha dhe mbështetësit e tij.
Zoti Basha mësohet të ketë deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar se “6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosëm para detyrimit për të marrë pjesë në zgjedhje”, duke akuzuar në këtë mënyrë presidentin Ilir Meta se kishte dekretuar papritur zgjedhjet e pjesshme të cilat ai i kishte mbajtur të bllokuara për një kohë të gjatë.
Edhe në deklaratën e djeshme për mediat, zoti Basha u përpoq që të gjente shkaqet e humbjes jashtë përgjegjësisë së Partisë Demokratike. Por deputetë të ndryshëm nuk kanë qenë të këtij mendimi. Madje nënkryetari i parlamentit dhe një nga 4 nënkryetarët e PD Agron Gjekmarkaj, ka njoftuar dorëheqjen nga të gjithë funksionet politike, në shenjë përgjegjësie për rezultatin.
“Të bëjë një hap pas Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Ne po rrezikojmë të shuhemi, unë e ndiej dhe marr përgjegjësi. Kam ndier mërzitjen njerëzve para fytyrës sime, ua kam borxh atyre marrjen e përgjegjësive. Duhet të ngrihet një komision që të dërgojë PD në zgjedhje për të mirën e demokratëve. Të bëhet garë, gara nxjerr lider”, shkruajti ai në Facebook, ndërsa më herët gjatë ditës kishte folur për “një humbje tronditëse”, për të cilën sipas tij “çdo justifikim është i papranueshëm”.
Zoti Basha mësohet të ketë deklaruar se “dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ja dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është ta marrë PD-në për t’u mbrojtur nga non grata”. Nga mjaft deputetë është këmbëngulur që si zgjidhje të hapet një garë për një kryetar të ri në Partinë Demokratike, në të cilën as Basha e as Berisha të mos marrin pjesë. Kryetari demokrat mësohet të ketë qenë në pozita mbrojtëse thuajse gjatë gjithë kohës, pa lëshuar pe’ ndaj propozimeve të ndryshme.
Zoti Basha u përball me një valë të fortë kritikash shumë të ashpra dhe kërkesa për dorëheqje, edhe pas humbjeve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, por edhe pas vendimit të tij për të lënë jashtë grupit parlamentar demokrat zotin Berisha, për shkak të shpalljes së tij non grata nga Shtetet e Bashkuara. Por këtë herë, ai duket se është në një pozitë shumë më të vështirë, pasi trysnia po i vjen nga njerëzit që i besuan atij, në të dyja rastet.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)