Rrethimi i jashtëzakonshëm që Edi Rama po thurrte përreth Berishës në këto javë, pësoi humbjen e parë të dukshme. Pasi arriti t’ia marrë Berishës, firmën e lakmuar të “partisë greke” (PBDNJ), Rama u detyrua të paguajë çmimin. “Partia (e parë) e çamëve” (PDIU) harroi mëdyshjet dhe u kthye në prehrin e Berishës, kurse Aleanca Kuq e Zi vendosi të kandidojë më vete.
Sigurisht që në sytë e lexuesit cinik të zhvillimeve në Shqipëri, këto parti thjesht kanë parë pazaret politike që u janë afruar se sa janë nisur nga interesat kombëtare. Madje, në teori, interesat kombëtare nuk duhet të jenë në konflikt me ato të PBDNJ-së, e cila në fund të fundit është një parti politike e pakicave, po gjithësesi parti e shtetit shqiptar.
Aleanca Kuq e Zi ndodhej mes dy aleancave të cilat kanë filluar festën e fitores përpara se të fillojnë fushatën që do t’i çojë drejt fitores, pa zgjidhur çështjen e KQZ-së dhe pa çimentuar listat e kandidatëve që do t’u paraqesin votuesve. Të mendosh se jemi vetëm pak javë përpara zgjedhjeve, kjo është një nga situatat më të papërgjegjshme të politikës shqiptare. Edhe në verën e vitit 1997, kishte më shumë qartësi me të ardhmen e votimit.
Si do të bëhen këto zgjedhje kur ende nuk kemi një komision qendror normal? Pa ardhur dikush nga bota apo nga kozmosi që t’i numërojë si i paanshëm, nuk shoh ndonjë shpresë për partitë kryesore shqiptare që të pranojnë humbjen në zgjedhje. Madje edhe ata nga jashtë mund të mos mjaftojnë.
Rama iu referua së fundi, kryetarit të Partisë Popullore Europiane, si “Saliu i PPE-së”. Nga PD ka një traditë të vjetër që zbulon kriptokomunistë mes vëzhguesve të huaj.
Do të ishte më e natyrshme që Aleanca Kuq e Zi të hynte në koalicion me Partinë Socialiste. Në fund të fundit, shumica e sulmeve të saj kanë qenë drejtuar kundër qeverisë në fuqi dhe personalisht kundër Sali Berishës. Nëse beson Kreshnik Spahiun gjërat do të ndryshojnë katërcipërisht në Shqipëri, nëse Berisha bie nga pushteti.
Por marrëveshja nuk ndodhi. Rama kuptoi se “sharmi” i tij si “kryeministri i ardhshëm i padiskutueshëm” ka kufizimet e veta. Aleanca Kuq e Zi vendosi të dalë më vete në zgjedhje, duke mos u besuar asnjë prej dy koalicioneve politike. (Kjo është një lëvizje e rrezikshme që kërkon si minimum nga një person të vendosur e parimor në çdo komision zgjedhor, në çdo qendër votimi të Shqipërisë. Përndryshe votat e partive të vogla të papërfaqësuara janë në mëshirën e fatit.)
AK bëri zgjedhjen e saj dhe mund të gëzojë apo të vuajë rrjedhojat e kësaj zgjedhjeje. Deri këtu nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme. Nëse mendon që më vete del më mirë në zgjedhje, atëhere pse jo. Mirëpo, ajo që të bën përshtypje më shumë është reagimi pas vendimit të AK-së.
Nëse Edi Rama fiton, do të kemi padyshim një qeveri të re, po a do të kemi një qeverisje të re? A do të kemi një klimë më normale politike, një civilizim të debatit, një tolerancë të shendëtshme ndaj mendimit ndryshe?
Reagimi i Edi Ramës lidhur me vendimin e AK-së paralajmëron tjetër gjë. Sipas fjalëve të Edi Ramës, dilema e AK-së ishte ose të bëhej një shqiponjë me Aleancën Europiane të Rama-Metës, ose të mbetej “një sorrë në qiellin e pozitës”.
Kjo retorikë, “o me mua, o kundër meje” është gjëja më e vjetër në politikën shqiptare. Dhe nëse kjo është “rilindja” atëhere, në fakt, fitorja e Ramës do të ishte vetëm një rizgjim i frikshëm, një fund i një ëndrre të bukur për një Shqipëri ndryshe që nuk ka si të vijë.
Kur më në fund Spahiu dhe shokët e tij deklaruan se nuk do të jenë as me PS-në dhe as me PD-në, Edi Rama e quajti kryetarin e AK-së një “xhuxhmaxhuxh të Saliut”. Udhëheqësi ynë europian që pretendon se flet me gjuhën e Europës, e quan pra normale që të përgojojë tiparet fizike të dikujt. Kreshniku nuk është i gjatë dhe kjo e bën atë “xhuxhmaxhuxh”. Kreshniku nuk u bë me Ramën dhe kjo e bën atë automatikisht “njeri të Saliut”. Dmth “o me mua o me Saliun”, askush nuk mund të ekzistojë në mes. Kjo është e njëjta llogjikë me të cilën Edi dhe Saliu bashkëpunuan në ligjin elektoral që do të shkërmoqte partitë e vogla.
Çfarë do të ndodhë nesër me ata socialistë e aleatë të PS-së që do të kenë pikëpamje të ndryshme? A do të shpallen edhe ata, “çalamanë”, :qorra”, “xhuxhmaxhuxhë”, “avdallë” e lloj lloj epitetesh ulëse me koloritin që u jep prejardhja gjuhësore turke? Çfarë do të ndodhë me partitë e vogla që do të duan më shumë pavarësi politike? Kur Rama sillet kështu me dikë kur është ende në opozitë në kërkim të votave, kur ende ia do halli që të jetë i butë e sjellshëm në publik, si do të sillet ai kur të ngjitet në kolltukun e kryeministrit.
Për dhjetë vite me radhë nuk e lëshoi atë të kryebashkiakut. Madje as dikujt të partisë së tij. Madje as në shërbim të një kolltuku më të lartë, atë të kryeministrit. Çfarë na bën të mendojmë se nuk do të bëjë nesër po ato gjëra për të cilat kritikon Berishën sot?
Ndoshta AK është vërtetë një sorrë e Spahiu një xhuxhmaxhuxh politik. Por kjo mënyrë të foluri, nuk është përdorur ndonjëherë nga udhëheqësit perëndimorë që kanë bërë histori. Etika e komunikimit është një minimum që Rama mund ta durojë qoftë edhe për pak javë derisa të mos kemi çfarë t’i bëjmë më.
Jo më pak interesant është reagimi i medias që mbështet Berishën dhe PD-në. Në vend që të përfitojnë nga ky moment për të treguar se Rama nuk është ai ndryshuesi i madh që pretendon të jetë dhe ta interpretojnë refuzimin e AK-së një dështim të rëndë të Ramës që paralajmëron humbjen e tij në 23 qershor, ata i janë vërsulur me gëzim Kreshnik Spahiut.
Nëse lexon median pro-PD-së është AK-ja që me këtë refuzim ka varrosur veten. Fjalët “sorrë” dhe “xhuxhmaxhuxh” po përsëriten me gëzim nga po ata që urrejnë çdo gjë tjetër të Ramës.
Arsyeja mund të jetë e thjeshtë. Edhe në sytë e PD-së, nëse nuk je me Berishën atëhere je me Ramën. Duke refuzuar PS-në, Spahiu ka sfiduar retorikën e Berishës, i cili prej më shumë se një vit i quan kuqezinjtë si “faqezinj” dhe aleatë të fshehtë të Ramës. Si të tillë, ata duhej t’i kishin thënë Po ftesës së Ramës.
Mirëpo, duke iu bashkuar Ramës, AK mund të humbte një pjesë të demokratëve që do të votonin për të. Kurse më vete, ai mbetet përsëri një rrezik rrjedhjeje për votat demokrate. Sidomos tani që Berisha u detyrua nga perëndimorët që të heqë dorë nga retorika patriotike.
Në fakt, ndërkohë që media e djathtë ka sulmuar Spahiun në harmoni me median e majtë, vetë Berisha, që gjithësesi mbetet më i zgjuari në kampin e tij, është treguar i përmbajtur. Ai e di që rezultati i 23 qershorit mbetet i koklavitur dhe ndërsa AK ia kërcënon votat, një mundësi koalicioni me të pas zgjedhjeve mund të mos jetë aq e pamundur sa duket sot. Kush do ta besonte para zgjedhjeve të vitit 2005 se Berisha dhe Nano do të bëheshin një ditë aleatë? Në politikën shqiptare çdo rotacion aleancash është i mundshëm.
Vetë Spahiu dhe Aleanca Kuq e Zi është duke jetuar këto ditë periudhën me sfiduese. Deri tani, e meta e Spahiut ka qenë te qendrimet gati njëdimensionale të natyrës patriotike. Përtej premtimeve për reforma e pastrim në sistemin gjyqësor, ka pasur pak në mos aspak qartësime për vizionin e politikave ekonomike të partisë me dy ngjyra. Për këtë arsye, të majtët dhe të djathtët natyralë kanë bashkëjetuar pa problem nën flamurin kombëtar.
Po ndarja përfundimtare me Edi Ramën ka bërë esëll, majtistët në partinë e re që janë kujtuar se fakti se të gjithë janë shqiptarë nuk mjafton për të ndenjur bashkë. Pak orë, pas “demaskimit” nga komandanti i të majtës, një numër sekretarësh të Aleancës Kuq e Zi, kanë vendosur se nuk mund të udhëhiqen nga një njeri kaq dritëshkurtër (apo shtatshkurtër?) sa Spahiu. E kanë akuzuar se e përdor partinë si pronën e tij private (gjë që nëse është e vërtetë thjesht tregon se Spahiu është në fund të fundit ashtu si çdo kryetar tjetër partie në Shqipëri).
Po akuzat e tyre u përngjasin kaq shumë akuzave të Ramës dhe socialistëve të tjerë, që e quajnë Spahiun njeri të Berishës saqë është e qartë se këta janë përfaqësuesit e rrymës majtiste në partinë e re.
Spahiu dhe AK nuk janë të parët që përpiqen të bëjnë një forcë të tretë, të pavarur nga PD dhe PS po janë të parët që të dyja partitë përpiqen t’ia “falin” kundërshtarit.
Largimi i kriptosocialistëve nga rradhët e partisë së re nacionaliste mund ta shtyjë më në fund AK-në në pozicionin e saj të natyrshëm djathtas. Por prania e të majtëve brenda saj ishte edhe veçantia e kësaj force, që ndryshe nga partitë e mëparshme nacionaliste shqiptare ishte mbarëpolitike dhe me anëtarësi në moshë të re. Me ikjen e të majtëve, AK ose rrezikon të bëhet një nga partitë e shumta të vogla që përfundojnë në fund në xhepin e Berishës, ose ndoshta vërtet do të sfidojë kritikët duke ruajtur për vete të qeshurën e fundit. Nëse në fund, Spahiu ka në dorë votën e fundit që anon peshoren qeverisëse pas zgjedhjeve të 23 qershorit, kjo do t’i mjaftonte.